Studiuesi Auron Tare, njëkohësisht anëtar i këshillit shkencor të UNESCO-s, thotë se do të dëshironte që të merrte pjesë në protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Unë kam qenë për ruajtjen e teatrit si një vlerë të rëndësishme edhe e trashgimisë të epokës fashiste në Shqipëri. Kushdo që ka lindur dhe është rritur në këtë qytet ka kontaktin emocional. Në kohën e rinisë tonë, Teatri ishte një çështje e rëndësishme kulturore, sociale, etj.Unë nuk do të shkoj në protestë, sepse kam parë që çështja e teatrit është bërë thellësisht politike. Njerëz pa kauzë. Kjo ja heq vlerën debatit.
Sepse po të shikosh, të dy liderët e opozitës kanë qenë 10 vite në pushtet, nuk kanë bërë asgjë për teatrin, as për aktorët, as për godinën, nuk kanë bërë asgjë fare. Pardje nuk e patë si u rrahën ato njerëzit atje. Edhe shumë njerëz që unë njoh, njerëz të mirë, e donin teatrin dhe e duan, që jam i sigurt që do të dilnin atje. Në momentin që shikojnë që e gjithë kauza e teatrit po bëhet teatër, nuk shkon njeri.
Nuk shkojnë sepse nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar. Çdo gjë në jetë është politikë. Por unë mendoj që nuk dal dot në një çështje politike, sepse nuk e shikoj që politika ka qenë e ndershme me teatrin. Ato që qëndruan dhe bënë atë pjesën e rezistencës, ato kanë respektin e shumë njerëzve, por jo pjesën e politikës”, u shpreh Auron Tare në Top Channel.