Nga Andi Bushati
Alarmi i ngritur nga ambasadorja e SHBA për mundësinë e një konspiracioni për të vrarë reformën në drejtësi është një motërzim modern i atij proverbit shqiptar për 100 të zgjuar që nuk e gjejnë dot gurin e hedhur në lumë. Të gjithë janë vërsulur të kuptojnë se kush po qëndron pas komplotit. Disa shohin me dyshim Ilir Metën dhe platformën e tij me 14 pika, duke aluduar për një pakt të tij nën rrogoz me Ramën. Të tjerë përdorin deklaratat e një deputeti avdall të PS-së, si provë se krimin po e bën kryeministri. Ka dhe nga ata që e shohin si pjesë të një marëveshje sekrete mes shefit të qeverisë dhe Bashës.
Pra me pak fjalë, të gjithë po kërkojnë atentatorin kur kufoma tashmë është shtrirë në arkivol. Sepse Reforma në Drejtësi ka vdekur me kohë. Alarmi i Yuri Kim se dikush po komploton për ta vrarë atë kishte dhe një pjesë të dytë që pak kush e lexoi. Ajo e konsideronte si të dhimbshme, të ngadaltë dhe jo perfekte, shumë larg nga fabula e historisë së suksesit me të cilën na kanë rokanisur kokën deri tani.
Por situata është shumë më keq sesa kaq.
Bashkimi Europian ka ndaluar aplikimin e saj në vende të tjera, sepse më në fund, zyrtarët që kanë dhënë viston për të hedhur miliona duke vënë në lojë edhe karierën, e kanë kuptuar tashmë kolapsin që përgatitën me duart e tyre. Ata ia ndaluan pa hezitim Maqedonisë së Veriut për të vënë në jetë një skemë të ngjashme.
E njëjta gjë, pas entuziazmit fillestar, po perceptohet edhe nga publiku shqiptar. Sondazhi i fundit i Institutit Shqiptar për Demokraci në bashkëpinim me PNUD nxori në maj të këtij viti shifrat tronditëse se vetëm 32% e shqipëtarëve besonin se reforma ishte zbatuar si duhet. Kjo shifër kishte një rrënie të konsiderueshme në vite (shiko tabelën) dhe ishte ku e ku më ulët edhe se një sondazh i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit vetëm 37 përqind e shqipëtarëve besonin se Vettingu do ta pastronte realisht drejtësinë.
Në fakt, të gjithë e dinë se në një sistem gjysëm diktatorial është krejtësisht e pamundur të ndërtosh një drejtësi të vërtetë. Me liderë të fortë dhe të gjithëpushtetshëm mbi kokë, mundësia e operimit të insitucioneve të pavarura është pothuajse zero. Por, këto aksioma teorike u bënë të prekshme për masat e gjëra, kur njerëzit filluan ta përqasin projekin shpresënxitës euro- amerikan me fytyrat e Arta Markut, Donika Prelës apo Ardian Dvoranit që vendoste për gjykatësit kushtetues. Vëtëm atëherë ajo shifra e mbështetjes nga mëse 90% e shqiptarëve që deklamonte me triumfalizëm në vitin 2015 Donald Lu, degradoi në vetëm një të tretën e saj.
Dhe problemi është se mënyrën se si e aplikoi regjimi i Rilindjes atë që u quajt fillimisht si një projekt shprese, e keqja ende nuk e ka prekur fundit. Edhe nëse në verën e 2021, zgjedhjet do të krijojnë një rotacion politik – gjë që është pothuajse e pamundur të ndodhë- pra edhe nëse regjimi bie, drejtësia do të mbetet përfundimisht e shkatërruar. Sepse në këto katër vite sistemi punoi vetëm për të sekelsionuar servilë dhe lakej, që do të konformohen nesër me ç’do lloj pushteti. Pikërisht për këtë alarmi që po ngre Yuri Kim është i pavend dhe i vonuar. Ambasadorja shqetësohet se po komplotohet për të vrarë atë reformë që tashmë nuk ka asnjë shpresë të ringjallet. Prandaj përpara se të kërkojmë gurin në lumë, pra përpara se të bëhemi pjesë e “xhalos” se gjetjes së fajtorëve, le të bëjmë paqe duke organizuar më parë funeralin e projektit që na e shitën si euro amerikan.