Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një intervistë për Ora News dhe pse ndan shqetësimin e Ambasadores, nuk është dakord me fajin kolektiv për autorë e sabotimit të reformës në drejtësi. Për Vasilin tashmë është e qartë se përgjegjësi kryesor, që e ka sabotuar nga fillimi reformën në drejtësi është kryeministri Edi Rama.
“Presidenti i Republikës ka kompetenca për të zgjedhur vetëm 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në të gjithë korpusin e drejtësisë, opozita shqiptare ka zero kompotenca në sistemin e drejtësisë pasi kështu u bë reforma dhe kështu u mbështet edhe nga ndërkombëtarët që të bëhet. Në të vetmin rast ku duhet të kishte një konsensus mazhorancë-opozitë, një rast i cili u përvëlua edhe me konsensusin e ndërkombëtarëve dhe janë bashkëfajtorë në këtë çështje, ishte rasti i zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm ku në dhunim të Kushtetutës u zgjodh vetëm me 69 vota”,- tha Vasili.
Ai shtoi se “edhe KED, një çështje shume delikate që ka shkatërruar integritetin e sistemit është çështja kryetarit Dvorani dhe tentativës për të rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese si dhe kudo ku kanë futur duart. Dhe konkluzioni është ky: I vetmi njeri që ka një aleancë të shëmtuar me krimin dhe me trafikantët për të kapur drejtësinë, po ka edhe instrumentet për të bërë këtë gjë është Edi Rama. Keni dëgjuar dhe nisma të deputetëve të Rilindjes që thonë të ndryshojmë Kushtetutën dhe ligjet e reformës në drejtësi. Në këtë moment na duhet të kemi hipertransparencë për reformën në drejtësi dhe jo hiperhipokrizi. Mbështes shqetësimet e Ambasadores por nuk mbështes gjuhën e fajit kolektiv. Nuk ka faj kolektiv, këtë duhet ta dijë shumë mirë dhe ambasadorja amerikane. Ka përgjegjësi konkrete. Nëse fajin e ka Edi Rama tu thuhet shqiptarëve që fajin e ka Edi Rama. Tu thuhet me gojën plot se është fajtori i vetëm. Unë kam qenë një nga 5 anëtarët e Komisionit të Reformës në drejtësi”.
Nënkryetari i LSI-së tha se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për mënyrën sesi po ecën reforma dhe problemet që ajo ka krijuar.
“Cila është përgjegjësia e opozitës në këtë reformë? Zero. Ndërkombëtarët vetë mbështetën një sistem të tillë që opozita të mos kishte asnjë rol. Kur u kërkua një balancim sa më i madh u insistua të mos kishte asnjë rol. Reforma në drejtësi e la Shqipërinë në kushte skandaloze në tre vjet, Soreca ka ngritur çështjen e krizës sesi do të mbusheshin vendet nga ata që janë larguar për shkak te vettingut. Çfarë reforme ishte kjo? Reformë që krijoi institucione gjysmake apo hiç institucione që ekzistojnë. Secili të marrë përgjegjësitë e veta, Edi Rama të marrë përgjegjësinë që e ka sabotuar nga fillimi dhe deri në fund, dhe ndërkombëtarët që kanë qenë aty dhe në Kushtetutë të marrin të tyret. Unë si përfaqësues i opozitës refuzoj të marr përgjegjësi për një çështje ku nuk më jepet asnjë kompetencë dhe kur sugjerojmë na hidhet poshtë. Në qershor të 2018 u hodhën poshtë në Kuvend një paketë përmirësimesh lidhur me reformën në drejtësi, të gjithë afatet e përcaktuara në Kushtetutë për reformën në drejtësi ishin shkelur dhe dhunuar. Asnjë ndërkombëtar, meqë u dhemb për reformën në drejtësi këtyre, nuk tha asnjë fjalë.Kjo do të thotë bashkëpërgjegjësi. 99% e ka përgjegjësinë Edi Rama, pjesën tjetër faktori ndërkombëtar.Është koha për të folur me emra të përveçëm”.