Shteti ligjor RA! Zgjohu shqiptar, rivendosja e demokracisë, detyrë e çdo qytetari!

0
1205

✍️EDITORIAL/ STANDARD.AL

Shembja e Teatrit Kombëtar, si nga mënyra e ekzekutivimit ashtu edhe nga shkeljet e shumta ligjore mbi bazën e e të cilave u ndërmor, ishte akti i fundit i një sage paligjshmërie të qeverisë rilindase, i cili i dha shtysën finale shtetit demokratik drejt greminës.

Duke injoruar ankimimet e kreut të shtetit në Gjykatën Kushtetuese, njëherazi duke shkelur kokë e këmbë ligjin si me vendimin e kalimit të truallit te bashki e Tiranës ashtu edhe me ligjin për shembjen e TK-së, shumica qeverisëse vërtetoi përfundimisht se vendi ndodhet në kushtet e një regjimi.

Edhe para këtij akti, kupa ishte te mbushur me akte anti-ligjore, anti-demokratike dhe në kundërshtim të fortë me të drejtat e njeriut dhe pronës. Kujtojmë nga hera kanabizimin e vendit, kriminalizmin e politikës dhe administratës, kapjen e reformës në drejtësi, lënien me dashje të vendit 3 vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, prishjen e shtëpive te Unaza dhe nxjerrjen jashtë të banorëve me gaz, faktet e dosjeve 184 dhe 339 që vërtetuan botërisht lidhjen mes Rilindjes dhe krimit, blerjen e votës, vendimet antikushtetuese në favor të oligarkëve pranë qeverisë etj etj.

Ka një pafundësi shkeljesh në këto 7 vite pushtet nga Rilindja, sa vetë kjo e fundit është kthyer në sinonim të fjalës antikushtetueshmëri. Por më e keqja është fakti se vrullin drejt shpalljes zyrtarisht të regjimit, Rilindja nuk po e ndal aspak, përkundrazi po e përshpejton çdo ditë.

Shembja e Teatrit ishte pika kulmore e këtij synimi, ndërsa nën rrogoz vazhdojnë aktet e tjera që do të çojnë përfundimisht në vdekjen e shtetit ligjor e demokratik dhe në triumfin e një diktature moderne. Në këtë pikë, rol kryesor luan junta ushtarake-policore.

Së fundmi kujtojmë policët që ushtruan dhunë e terror në 4 të mëngjsit kur u shemb Teatrit Kombëtar. Në paligjshmëri të plotë, askush prej tyre nuk mabnte numër identifikimi, duke verpuar si një juntë që merr urdhra vetëm  nga Rilindja dhe që për të zbatuar këto urdhra nuk nguroin të shkelë ligjin, të drejtat e njeriut dhe të pronës. Dhe për ti dhënë më shumë forcë kësaj junte ka menduar qeveria.

Një projekt qeveritar, i dorëzuar së fundmi në Parlament parashikon mundësinë që Policia të kryejë përgjime pa autorizimin e Prokurorisë apo Gjykatës, si edhe krijimin e një Komiteti, në të cilin drejtuesit e prokurorisë do të raportojnë para Ministrit të Brendshëm. Të dy këto propozime kontroverse konsiderohen nga juristët e fushës dhe ekspertët e ligjit si një fuqizim i palogjikshëm i policisë në dëm të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Ky akt do jetë themeli i diktaturës moderne që kërkon të instalojë kryeministri në vend.

Në këto kushte, aktivistë të shquar të shoqërisë civile, artistë, gazetarë e diplomatë karriere kanë shprehur këto ditë rëndësinë emergjente të krijimit të një fronti qytetar për rivendosjen e demokracisë në vend.

Nëse qytetarët do e cilësojnë shembjen barbare të Teatrit si një akt të përveçëm, gabojnë!

Nesër, junta policore mund të trokasë në derë e të kërkojë prishjen e shtëpisë. Letrat e pronës dhe ligji nuk do bëjnë më fajde, “mbreti” i shtetit do jetë pushteti.

Nesër, junta policore mund të arrestojë babain, vëllain, motrën e çdo të afërm, edhe thjesht pse shprehin kundërshti ndaj regjimit, sic ndodhi me arrestimet në protestat pas shembjes së Teatrit.

Dhe ti ndaj gjithë këtyre akteve nuk do mund të bësh asgjë i vetëm. Kjo pasi atëherë kur duhej, nuk u ngrite për t’i thënë ndal instalimit të dikaturës moderne në vend.

Ndaj sa nuk është vonë, cilido qytetar, përtej bindjeve politike, duhet të ngrihet e të bashkohet sa më parë me frontin e rivendosjes së demokracisë. Koha nuk pret, çdo vonesë është një hap përpara i Rilindjes drejt vendosjes së regjimit ushtarako-policor në Shqipëri.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here