Vetingu i akuzuar përpara drejtësisë, çështja Luan Daci…

0
128

 

Luan Daci, anëtari i komisionit të apelit të vetingut, u pezullua nga detyra nga gjykata kundër korrupsionit, me kërkesë të SPAK-ut që ka provuar se ai ka fshehur shkarkimin nga gjyqtar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1997.

Vendimi solli reagime të menjëhershme, ku spikati akuza e nënkuptuar e ambasadores amerikane se nxjerrja para drejtësisë e Dacit ishte pjesë e një marrëveshje të fshehtë për vrasjen e reformës në drejtësi.

Por, si është e vërteta e “dosjes Daci’? A ka një marrëveshje të fshehta për vrasjen e reformës në këtë rast? Apo sistemi i drejtësisë korrigjoi gabimin e bërë rreth tre vite më parë?

Emërimi i Dacit – dështim i Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit

Komisionet e vetingut janë organe të përkohshme që zgjidhen vetëm një herë. Procesi i përzgjedhjes së tyre, sikurse përcakton Aneksi i Kushtetutës dhe ligji për vetingun, u organizua nga Avokati i Popullit (AP), i cili mblodhi dhe vlerësoi aplikimet dhe hartoi një listë me aplikuesit që i plotësonin kriteret ligjore dhe një listë me ata që nuk i plotësonin ato.

Të dyja listat iu dërguan Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i cili i vlerësoi aplikantët dhe i dërgoi AP-së rekomandimet e tij. Dy listat, së bashku me rekomandimet e ONM-së, iu përcollën Kuvendit, i cili përmes një procedure të ndërlikuar (e cila përfshin edhe të drejtën e Kuvendit për të kaluar një kandidat nga lista jokaluese në atë kaluese) u miratuan në qershor 2017, me shumicë të cilësuar, komisionerët e KPK-së, gjyqtarët e KPA-së dhe komisionerët publikë.

Luan Daci aplikoi në shkurt 2017 pranë Avokatit të Popullit për t’u bërë pjesë e njërit prej tre organeve të vetingut. Pas kryerjes së verifikimeve dhe vlerësimit edhe nga ONM-ja, më 3 Mars 2017, Avokati i Popullit i përcolli Kuvendit dy listat. Luan Daci bënte pjesë në listën e kandidatëve që nuk përmbushin kriteret ligjore, pasi nuk kishte vjetërsinë në punë dhe kishte mungesa në dokumentacion.

Në rrethana të dyshimta ligjore, një muaj më vonë, më 7 Prill 2017, me justifikimin se disa kandidatë kishin paraqitur dokumentacion shtesë, AP-ja i ridërgoi Kuvendit listat e ripara dhe këtë herë Luan Daci u përfshi në listën e kandidatëve të kualifikuar.

Në dokumentacionin shtesë, të dorëzuar nga Daci, ishte një leje për avokat, e lëshuar më datën 27.03.2000, nënshkruar nga Kleanthi Koçi, por Koçi kishte ndërruar jetë në 21.02.1999, një vit përpara datës së lejes.

Nga ana tjetër, regjistri i Qendrës Kombëtare të Biznesit tregon se Luan Daci ka qernë i regjistruar si avokat për 10 vjet, nga 18.10.2007 deri 22.09.2017. Megjithatë, i pyetur nga komisioni i posaçëm parlamentar për vitet e punës, Daci pohoi se kishte punuar si avokat nga viti 2000 e në vazhdim, edhe pse nuk ka asnjë gjurmë të aktivitetit të tij para vitit 2007.

Ligji kërkon 15 vjet përvojë për kandidatët për organet e vetingut. Daci ka dokumentuar vetëm 14 vjet, 10 vite si avokat dhe katër si gjyqtar, dhe për këtë arsye nuk mund të shërbejë si gjyqtar vetingu.

Madje Daci fillimisht nuk përfshiu në jetëshkrimin profesional të paraqitur pranë Avokatit, 4 vite përvojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Kjo “harresë” nuk i shpëtoi komisionit parlamentar—në seancën dëgjimore para komisionit ai u pyet nëse ishte larguar vetë apo e kishin hequr nga detyra e gjyqtarit dhe u përgjigj “unë kam ikur me dorëheqje”.

Ky pohim më vonë u provua se ishte i rremë, pasi Daci është shkarkuar në dhjetor 1997 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për “shkelje të ligjës dhe paaftësi”.

Ky fakt është rishfaqur në një mbledhje të KLD-së të nëntorit 2016, e cila ka refuzuar aplikimin e Luan Dacit për t’u emëruar gjyqtar, pikërisht për shkak të shkarkimit të tij të mëparshëm.

Ligji i vetingut (neni 6) përjashton nga organet e vetingut personat e shkarkuar për shkelje të rëndë, përfshi shkeljen e ligjit dhe paaftësinë në detyrë.

Por, Daci nuk përmbushte edhe një kriter tjetër, atë të njohjes së gjuhës angleze. Në aplikimin e tij, ai nuk paraqiti asnjë dokument që të vertetonte njohuri të anglishtes.

Në fakt, Daci nuk flet anglisht—çdo kush mund të vërtetojë se Daci përdor gjithmonë kufjet e përkthimit sa herë që në seancat e vetingut flasin përfaqësuesit e OMN-së.

Pra, Luan Daci nuk përmbushte tre kritere kushtetuese dhe ligjore, por për shkak të dështimit të të treja filtrave—AP, ONM dhe Kuvend—ai u përzgjodh në qershor 2017 gjyqtar në KPA dhe ka vendosur për tre vjet për karrierën e dhjetëra gjyqtarëve e prokurorëve.

Heshtja e mëvonshme e Kuvendit, ONM-së dhe KPA-së

Rreth një vit më parë, ish-prokurorja Antoneta Sevdari bëri publike dokumentet që vërtetonin faktet e mësipërme. Sevdari, gjithashtu, informoi zyrtarisht Kuvendin e Shqipërisë, duke i vënë në dispozicion dokumentet përkatëse. Kuvendi bëri veshin e shurdhët.

Sevdari i kërkoi ONM-së dhe KPA-së fillimin e procedimit disiplinor për Luan Dacin dhe Ardian Hajdarin, një tjetër gjyqtar i vetingut me probleme në përmbushjen e kritereve.

Pas një sërë kërkesash të përsëritura të Sevdarit, ONM dhe KPA, i kthyen asaj një përgjigje të thatë se verifikimi i çështjes të zgjedhjes së gjyqtarëve të vetingut nuk ishte kompetencë e tyre.

Qëndrimi i ONM-së duket i cuditshëm, sepse në një opinion ligjor që Komisioni Evropian i ka përcjellë Gjykatës së Strasburgut në lidhje me vetingun, pohohet qartë se roli i ONM-së është sigurojë një proces të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të subjekteve të rivlerësimit.

Për më tepër, ONM-ja është organ i përfshirë në Kushtetutën shqiptare për të verifikuar përmbushjen e kritereve nga kandidatët për anëtarë të organeve të vettingut.

Më heshtjen e tij ky organ cënoi të drejtat e Sevdarit dhe dështoi në misionin kushtetues.

I njëjti qëndrim i AP-së, ONM-së dhe Kuvendit u përsërit edhe në rastin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Besnik Cani, tashmë të përjashtuar.

Cani kërkoi që para fillimit të procesit ndaj tij mbarimin e mandatit të gjyqtarëve Daci dhe Hajdari, dhe përjashtimin e tyre nga gjykimi i cështjes së tij, duke arsyetuar se kjo cënonte të drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor.

Të dyja kërkesat e Canit u rrëzuan nga KPA, pa u dhënë asnjë shpjegim.

Kuvendi dhe ONM heshtën sërish, madje, ONM, në mënyrë të dyshimtë i kërkoi trupës gjykuese ndaj Canit të tregoheshin pragmatistë dhe të vendosnin shpejt për shkarkimin e tij.

Çështja i shkon SPAK-ut dhe Gjykatës Kushtetuese

Përballë shëprfilljes nga institucionet e dejtësisë të së drejtës së tij për një proces të drejtë ligjor, ish-anëtari i KLP-së Cani, vendosi ta ndiqte të drejtën e tij penalisht.

Në janar 2020, ai kallëzoi gjyqtarin Luan Daci në SPAK, për “fallsifikim të dokumenteve”, në lidhje me fshehjen e shkarkimit të tij nga KLD në vitin 1997.

Më 10 Shkurt, SPAK nisi zyrtarisht hetimin ndaj Dacit, duke vënë në dijeni KPA-në dhe ONM-në të cilët vazhduan të heshtin.

Po në shkurt, Cani i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të verifikonte zgjedhjen e dy gjyqtarëve të KPA-së, Luan Daci dhe Ardian Hajdari.

Por, më 29 Prill, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi mospranimin e shyqrtimit të çështjes duke arsyetuar, në mënyrë absurde, se kërkuesi Cani nuk është subjekt që mund t’i drejtohet kësaj gjykate. Vendimi u duk një përpjekje e sforcuar për të shmangur një vendimmarje të sikletshme.

Vetingu në pikëpyetje në Gjykatën e Strasburgut

Në opinionin ligjor që Komisioni Evropian i ka dërguar Gjykatës së Strasburgut për një nga çështjet e vetingut, ai ka pranuar se në raste të caktuara vetingu mund të cënojë procesin e rregullt ligjor.

Megjithatë, Komisioni është treguar i kujdesshëm të theksojë se raste të tilla nuk duhet të shërbejnë për të vënë në dyshim procesin në tërësi.

Gjykata e Strasburgut është shprehur në mënyrë të përsëritur se e drejta për një proces të rregullt ligjor kërkon gjykimin nga një gjykatë e krijuar me ligj. Ky parim nënkupton që gjyqtarët duhet të jenë zgjedhur në përputhje me ligjin.

Në rastin e Luan Dacit është e qartë se ky parim është shkelur.

Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët i janë nënshtruar gjykimit nga Luan Daci, kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për shkeljen e të drejtës së tyre për një proces të rregullt ligjor.

Qëllimi kryesor i reformës ka qenë garantimi i barazisë përpara ligjit. Barazia kërkon që Luan Daci të dënohet dhe subjektet e gjykuara prej tij të rivlerësohen.

Nëse kjo nuk ndodh, për shkak të presioneve apo ndërhyrjeve, të tilla siç ka pasur këto ditë, ky është një lajm i keq për drejtësinë dhe vetë reformën në drejtësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here