Takimi i Bashës me Yuri Kim, VOA: Opozita angazhohet që reforma zgjedhore të kryhet brenda majit

0
112

Opozita u angazhua sërish sot që të bëjë gjithçka sa i takon asaj për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda datës 31 maj. “Jemi të vendosur për këtë betejë. Do të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme” – tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai i bëri këto komente pas një takimi me ambasadoren e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.
“Shqiptarët duhet të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë, që meritojnë me votën e tyre dhe Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD që nga dita e saj e parë” – tha zoti Basha.

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, deklaroi se diskutimi me zotin Basha u bazua në të ardhmen, jo për të shkuarën. “Udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar për të përfunduar reformën zgjedhore deri në 31 maj. Ky është një afat kohor që e kanë vendosur vet udhëheqësit në bindjen e tyre. Opozita ka një punë të madhe përpara, por ndihem e inkurajuar nga diskutimi i sotëm dhe pres rezultate” – tha ambasadorja Kim.

Partia Demokratike falenderoi diplomaten amerikane për mbështetjen ndaj reformës zgjedhore. “Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është përparësi absolute e Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit” – tha zoti Basha. Po sot, rinisi punën Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore. Opozita paraqiti aty propozime për transparencën e financimeve partiake.
Fondet e dyshimta në arkat e partive politike kanë sjellë prej vitesh shqetësimin se prapa tyre qëndrojnë kapja e shtetit nga korrupsioni i niveleve të larta. Opozita jashtë-parlamentare shkoi sot në tryezën e reformës zgjedhore me disa propozime mbi financimin e partive, mbi kuotat gjinore dhe përcaktimin e periudhave zgjedhore. Ndërsa opozita brenda-parlamentare propozoi rregulla të reja për të lehtësuar mbajtjen e referendumeve.

Përfaqësuesit partiakë ranë dakord që një në tre kandidatë elektoralë të jetë zonjë, që zgjedhjet të mbahen në një muaj të pranverës ose të vjeshtës dhe që financimet private të partive politike të reduktohen me ligj, duke shtuar fondet shtetërore, për të larguar partitë nga korrupsioni politik.
Opozita propozoi uljen në minimum të financimeve private ndaj partive politike, forcimin e transparencës, verifikimin e financimeve dhe ndëshkimet për shkelësit. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike.

Opozita propozoi që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti, i cili nga e vet angazhohet të paguajë më shumë për të mbajtur partitë. Aktualisht ky raport është 1/10. Pra, partitë lejohen të marrin financime private 10 herë më shumë se sa financimet publike. Raporti i ri nuk është vendosur ende nga tryeza, por qëllimi është që hendeku të ngushtohet sa më shumë. Projekt – ligji i sjellë nga opozita, shton mekanizmat shtetërorë në kontrollin e shpenzimeve në fushatë, me qëllim që të ulet përdorimi i parave të pista në zgjedhje. Takimi tjetër është pas dy ditësh, ai vlerësohet si më i rëndësishmi nga pjesëmarrësit, sepse ka të bëjë me fshehtësinë e votës./VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here