Kush e nxit dhunën e policisë? Ish-ministrat e Brendshëm: Heqja e distinktiveve, kriminale

0
135

Fillimisht skena në zonën e Liqenit Artificial. Më pas një tjetër skenë në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit. E për tu finalizuar më pas me atë që ndodhi në sheshin para teatrit kombëtar ku në njërën anë fadroma godiste godinën dhe në anën tjetër qytetarët përballeshin me një dhunë të fortë policore. Në harkun kohor të 15 ditëve, efektivët e Policisë janë përfshirë në skena dhunë që nuk shiheshin prej vitesh. Por çfarë e nxit në dhunë policinë?

“Ne kemi parë prej kaq kohësh një fodullëk dhe një arrogancë të pashoqe. Një zhgargon brutal politik të adresuar ndaj medias, politikës dhe shoqërisë civile nga gjithë kupola qeverisëse përfshirë kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, sigurisht që kjo reflektohet edhe tek militantët që e kanë mbushur Policinë e Shtetit. Një polici me profesionistë kurrë nuk do t’i lejonte vetes të eskalojë në akte të tilla dhune dhe brutaliteti ndaj qytetarëve”, thekson ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka.

Edhe ish-ministri i Brendshëm, Luan Rama dhunën e policisë e lidh me retorikën politike të kryeministrit Rama dhe ministrit Lleshaj.

“Ka disa punonjës policie që mesa duket lexojnë politikisht gjuhën e dhunës apo gjuhën e urrejtjes dhe pse jo gjuhën e armiqësisë të disa funksionarëve të lartë të tyre, më drejtpërdrejtë të drejtuesve politikë. Çfarë dua të them? Kur “x” punonjës policie sheh që kryeministri edhe përballë një akti të gjallë të një qytetari apo të një gazetari apo edhe të një veprimtari publik, të dhunuar hapur në kundërshtim me ligjin, thotë që kjo nuk është dhunë dhe për më tepër e ironizon këtë fakt, atëherë nënteksti është që ju vazhdoni dhe veproni sepse nuk ju gjen asgjë pasi kryeministri nuk e quan dhunë”, deklaron Luan Rama.

Të parat që zbarkuan në godinën e Teatrit Kombëtar ishin forcat e ndërhyrjes së shpejtë, strukturë e policisë e cila është krijuar dhe funksionon posaçërisht për të ndërhyrë në situata specifike me individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Reparti special RENEA duhet të veprojë vetëm për të neutralizuar elementë kriminalë të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë. Se kush ishin kriminelët me rrezikshmëri të lartë dhe të armatosur në teatër, nëse ishin artistët apo ish-deputetët e opozitës, këtë duhet ta thotë vetë Sandër Lleshaj”, shprehet Noka.

Ish-Presidenti dhe ish-ministri Bujar Nishani kujton se me pjesëmarrjen të forcave speciale tek Teatri Kombëtar u thye çdo ligj.

“Vajta me armatim të rëndë e policisë, e strukturave special të policisë ndaj një komuniteti qytetar është në shkelje flagrante të kushtetutës, të ligjit për Policinë e Shtetit, të rregullores të Policisë së Shtetit dhe të manualeve operacionale të Policisë së Shtetit”, thotë Nishani.

Dhe për këtë ish-minstri i Brendshëm, Luan Rama kujton një situatë përpara vitit  2005.

“Dua t’iu sjell në vëmendje një vëmendje një episod dhe ministri i Brendshëm mund ta gjejë në protokollet e asaj ministrie praktikën kur drejtues të përgjegjshëm të forcave speciale, po flas për periudhën para vitit 2005, janë urdhëruar që në protestat që bënte opozita përballë godinës së kryeministrit Nano të jenë aty. Flas për drejtues të forcave RENEA dhe reparte të ndërhyrjes së shpejtë dhe ata e kanë refuzuar këtë gjë si praktikë të paligjshme”, deklaron Rama.

Disa efektivë pa numra identifikues dhe të maskuar u evidentuan të përfshirë më shumë se kolegët e tyre në skenat e dhunës. Por përse i hoqën efektivët numrat identifikues në 17 maj? Ja çfarë deklaroi pas atij episodi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

“Kam dëgjuar shumë që kërkojnë numrat e identitetit të tyre. Duan ti identifikojnë personalisht. Të nderuar qytetarë apo kushdo qofshi, punonjësit e policisë në datën 17 maj kanë qenë atje jo individualisht por të strukturuar. Për çfarë i kërkoni emrat e punonjësve? Përse? Për t’i linçuar individualisht?”, tha Lleshaj në sallën e parlamentit.

Por çfarë thotë ligji dhe si e gjykojnë këtë vendim të drejtuesve të Policisë për të hequr nga trupat e efektivëve numrat identifikues, ish-ministrat Nishani, Noka e Rama?

“Heqja e distinktiveve dhe e numrit identifikues gjithashtu ka fshehur mundësinë e përdorjes së individëve jashtë policisë së shtetit brenda atyre veprimeve, duke i veshur si policë dhe ky është dyshimi më i drejtë që mund të ngrihet”, deklaron Nishani.

“Polici ka përveç dokumentit identifikues ka edhe numrin përkatës. Ligji nuk ka asnjë hapësirë që ti lejojë kujtdo qoftë heqjen e numrit identifikues”, thekson Noka.

“Për një pjesë të efektivëve vetë drejtuesit kanë kërkuar që t’i heqin numrat identifikues. Kjo pastaj vjen në një lloj sinkroni me justifikimin naiv që përpiqet të bëj ministri i Brendshëm, i cili nuk është aq naiv sa hiqet, kur thotë se e kemi bërë këtë për të mos lejuar intimidimin e e punonjësve të policisë. Kjo do të thotë se paraprakisht ata kanë menduar që një pjesë e punonjësve të policisë do të tejkalojnë ligjin, do të jenë instrumente dhune të paligjshme, dhe prandaj janë marrë në mbrojtje apriori. Në kuptimin e paligjshmërisë që të mos lejohet intimidimi i tyre. Por për çfarë intimidimi bëhet fjalë?”, thotë Rama.

Skenat e ndodhura në dy javët e fundit kanë rënduar jo pak imazhin e Policisë së Shtetit, ku përballë qytetarëve herë ishin të vendosur individë të paidentifikuar dhe herë efektivë që flisnin me gjuhën e dhunës.

/abcnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here