Paketa bilionëshe e Ursula von der Leyen për krizën e COVID, ja si do të shpërndahen paratë

0
116

Të paktën 1000 miliardë euro do të mobilizojë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për rindërtimin pas krizës së Coronës. KE kërkon të marrë borxhe. Si buxhet normal i BE miratohet 1 bilionë tjetër.

Në kuadër të buxhetit të ardhshëm të BE, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kërkon të mobilizojë 1 bilionë euro për të mbështetur ekonominë europiane pas krizës së Coronës. Këtu vetëm një pjesë e vogël janë fonde direkte, sepse pjesa tjetër janë garanci, rishpërndarje e për herë të parë në histori borxhe. Plani që prezanton të mërkurën, Ursula von der Leyen sjell një rritje të pushtetit për të vetë, sepse ajo e ka në dorë mbikqyrjen e “Recovery Fund”, fondit të rimëkëmbjes. Shuma gjigande do të thotë dyfishim të shpenzimeve të BE. Buxheti normal i BE për vitet 2021-2027, ende i pamiratuar përfshin po ashtu 1 bilionë euro.

Si do të shpërndahen paratë?

Komisioni Europian jep prej dekadash ndihma rajonale për të mbështetur rajonet më të dobta ekonomike të Europës. Kjo do të funksionojë kështu edhe në ndihmat për Coronën, por ende është e hapur, nëse shtetet që bëjnë kërkesë do të marrin përsipër edhe një pjesë të shpenzimeve. Fondet do të shpenzohen për qëllimet afatgjata të BE, projektet kundër ndryshimit të klimës, digjitalizimin apo shkencën e zhvillimin. Nga “Recovery Fund” nuk do të mbahen me injeksione financiare industritë që kërcënohen nga falimentimi për shkak të Coronës. Për këtë ka për të pasur grindje në BE, sepse shumë vende shpresojnë për ndihma të menjëhershme me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës. Paratë do të shkojnë për vendet më të prekura nga Corona. Nuk ka pra fonde për arkat e shtetit. Por a mund të ketë kaq shpejt projekte për të tërhequr paratë. Italia, që tani nuk është në gjendje të tërheqë fondet e miratuara për të në Bruksel. E a mund të mobilizojë Brukseli kaq shpejt nëpunës për të shpërndarë miliarda të reja?

Kundërshtime

Kur kancelarja gjermane, Angela Merkel e presidenti francez, Emmanuel Macron paraqitën fondin e rimëkëmbjes me peshë 500 miliardë euro, Merkel tregoi, se si do t’i bindte edhe ata që dyshojnë në shtëpinë e saj. Një përgjigje e përbashkët për krizën është edhe në interesin gjerman, tha ajo. Sekretari i Shtetit për Europën, Michael Roth përsëriti të martën në Bruksel po këtë argument. Solidariteti nuk është vetëm një gjest zemërgjerësie, por “solidariteti është në interesin e të gjithëve.”

Kjo deklaratë i adresohet “katër kursimtarëve” në BE. Austria, Danimarka, Holanda e Suedia. Ato duan që mjetet për fondet e ndihmës pas Coronës të mos jepen si grante, si propozuan Merkel e Macron, por si kredi të kthyeshme. Kundër këtij qëndrimi është absolutisht kundër Italia. Ministri italian për Europën, Enzo Amendola kritikoi planin e grupit të të katërve si defensiv dhe të papërshtatshëm. “Komisioni Europian ka nevojë për më shumë guxim më 27 maj.” Zgjidhja e problemit pritet të jetë një përzierje e kredive me grantet. Ursula von der Leyen dëshiron një përzierje 60:40 – ose 70:30 për të kënaqur grupin e kursimtarëve.

Ende pa ujdi për buxhetin e BE

Grindja komplikohet, kur në të njëjtën kohë duhet mbyllur edhe plani financiar afatmesëm i BE. Edhe këtu vendet anëtare janë larg një ujdie. Grupi i katër kursimtarëve duan shkurtime në buxhet. Edhe në kohë normale gjithmonë ka pasur grindje deri në orët e vona të natës për buxhetin e BE e bëhen negociata të forta. Tani duhet të gjendet një ujdi në të njëjtën kohë për dy arka me miliarda dhe të ketë miratim madje njëzëri. Pritet që një ujdi mund të arrihet vetëm në një samit të jashtëzakonshëm, që duhet ta përcaktojë presidenca gjermane e BE që fillon më 1 korrik.

Kush duhet të paguajë?

Fondi i rimëkëmbjes, “Recovery Fund” do duhet të financohet nga leja që jepet historikisht vetëm njëherë për BE që të marrë borxhe. Për këtë presidentja e KE përdor si bazë për kredi buxhetin e BE, me qëllim që të marrë në tregjet financiare miliardat e nevojshme. Këto para do duhet që të paguhen në tre periudhat e ardhshme të buxhetit të BE për rreth 20 vjet. Përkatësisht do të rriten edhe pagesat e rregullta të vendeve anëtare në arkën e përbashkët europiane, kur të fillojë edhe kthimi i parave. E rëndësishme është që këto kredi të jenë gati me fillimin e vitit 2021 për të arritur efektin e tyre.

Por marrja e borxheve nga Komisioni Europian kontestohet nga ana juridike, gjë që mund të sjellë edhe vonesa. Friedrich Heinemann nga Instituti Ekonomik ZEW paralajmëron. “Recovery Fund nuk do t’i zgjidhë në fund të fundit problemet dramatike të Italisë dhe Greqisë.” Pagesat si grante paraqesin vetëm 2-3% të kapacitetit ekonomik të secilit vend. Gjermania duhet të mbajë barrën kryesore. Sipas zhvillimit të koniunkturës, Berlini duhet të paguajë nga 23-38 miliardë euro në arkën e përbashkët të BE. Polonia me një kontribut prej 10 miliarde euro mund të kthehet për herë të parë nga pritës i fondeve të BE në pagues neto. Në varësi të llogaritjeve, nëse merret për bazë kapaciteti ekonomik apo nëse futet aty edhe rritja e papunësisë, pritet që jugu europian të marrë pjesën e luanit në këto fonde. Fondet do të rishpërndahen nga Lindja në Jug tani. Franca, Italia, Spanja do të jenë përfituesit kryesorë. Por këto fonde duhet të kenë edhe miratimin e vendeve lindore të BE. Negociatat pra janë në shumë fronte shpërthyese./DW

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here