Presidenti Ilir Meta përmes një statusi të publikuar në Facebook thotë se ka marrë shumë mesazhe dhe letra falenderimi për vlerësimin e Heroit të Popullit, Vasil Laçi me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, atë të Flamurit Kombëtar.
Një prej tyre është edhe ajo e Aristotel Spiro Mëhilli nga Saranda, profesor i matematikës, që e përshëndet Kreun e Shtetit, me një baladë të shkruar që më 1980 për Heroin e Popullit, Vasil Laçin.
STATUSI I PLOTE
Shumë mesazhe dhe letra falenderimi kam marrë këto ditë nga të gjitha trevat shqiptare për vlerësimin e Heroit të Popullit, Vasil Laçi me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, atë të Flamurit Kombëtar.
Ndër to veçoj letrën e ndjerë që mora nga Aristotel Spiro Mëhilli nga Saranda, profesor i matematikës, sot në pension, i cili ndër të tjera më përshëndeste edhe me një baladë plot me emocione të thella njerëzore dhe atdhetare, të shkruar prej tij qysh në vitin 1980 për Heroin e Popullit, Vasil Laçi, disa pjesë të së cilës po i ndaj me të gjithë ju.
?? VASIL LAÇIT ??
Linde buzë detit,
Me dallgë e shqetësime,
Krenar përball tyre,
Malet kryetrime.
Nëna ty të rriti,
Me zemër shqiptari,
Verës me erë deti,
Dimrit me erë mali.
Deti të dha zemrën,
Populli dashurinë,
Urrejta – koburen,
Mali, trimërinë!
Në fishek ti fute,
Si plumb e barut,
Urrejtjen e popullit,
Urrejtjen pa fund.
Zemrën dot s’ta thyen,
Torturat fashiste,
Dhe përmbi trekëmbësh,
Më i larti ishe.
Në qiellin e Atdheut,
Mbushur yje lirie,
Ti jeton e ndriçon,
Në këngë trimërie.
Lirisë ti ja fale,
Gjithë dashuritë,
Ndaj ti nuk vdiqe,
Por jeton përditë.
Kurorë e përhershme,
Përmbi lapidar,
Një ulli tund degët,
Dimër e behar.
Piqeras, 1980.