Mund të zbulojë praninë e COVID-19 më shpejt dhe me saktësi të madhe, ekspertët studiojnë sistemin imunitar për të dhëna mbi koronavirusin

0
96

Sistemi imunitar i njeriut është i përbërë nga miliona qeliza të bardha të llojit T (limfocitet T), të cilat ndihmojnë në luftimin e viruseve që hyjnë në trup. Kompanitë “Microsoft” dhe “Adaptive Biotechnologies” po zhvillojnë një provë klinike për të identifikuar dhe analizuar mënyrën se si këto qeliza reagojnë ndaj COVID-19. Rezultatet do t’i ndihmojnë ekspertët e mjekësisë të përmirësojnë mënyrën e diagnostikimit dhe trajtimit të virusit si dhe për zhvillimin e vaksinave efektive ndaj tij.

Maçoku i Christy Karras, Fredi, i ka bërë asaj shoqëri gjatë një periudhe të vështirë.
“Isha një nga personat e parë në SHBA që u diagnostikova me COVID-19, me një formë të butë të sëmundjes”, Christy Karras, pjesëmarrëse në studim.

Pasi u shërua, shkrimtarja e cila jeton në Siatëll dëshiron të bëjë më shumë. “Nuk më pëlqen kur më marrin gjak, por jam e lumtur ta bëj këtë gjë në emër të shkencës”.

Zonja Karras mori pjesë në një studim klinik të quajtur “ImmuneRACE” apo Gara e Imunitetit”, të kompanive “Adaptive Biotechnologies” dhe “Microsoft”.
Një nga drejtuesit kryesorë të projektit, Lance Baldo, thotë se prova ende në fazë studimi është e ndryshme nga provat aktuale diagnostikuese apo ato që lidhen me antitrupat.

“Ata përqëndrohen më shumë tek efektet e virusit në trup. Ne po shohim efektin e trupit tek virusi”, thotë ai.

“ImununeRACE” do të analizojë se si reagojnë ndaj COVID-19 sistemet imunitare të njerëzve të ndryshëm, duke studiuar reagimin e qelizave të bardha T apo limfocitet T.

“Ata janë qelizat e para të sistemit imunitar që priren të reagojnë kur trupi përballet me një infeksion viral siç është COVID-19”, thotë ai.

Identifikimi i këtyre reaksioneve fillestare mund të ndihmojë në krijimin e një testi diagnostikues që zbulon praninë e COVID-19 më shpejt dhe më një saktësi më të madhe sesa testet aktuale.

Duke parë se si reagojnë limfocitet T mund të sigurojmë të dhëna që mund të ndihmojnë studiuesit për të përgatitur mënyra më efikase mjekimi e vaksina.
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të shohim përgjigjen e sistemit imunitar duke parë ndryshimet mes pacientëve, për të kuptuar se cilat janë ndryshimet në përgjigjen që jep çdo sistem imunitar”, shton zoti Baldo.

Studimi pritet të zbatohet tek një mijë vetë të regjistruar për të marrë pjesë në provën klinike prej 24 qyteteve të ndryshme këtu në SHBA si dhe mbi 3 mijë kampionë të tjerë të marrë nga Afrika dhe Evropa.
“Adaptive dhe Microsoft përdorin algoritmin e kompjuterit për të nxjerrë informacion nga kjo sasi e madhe të dhënash, për ta bërë atë të kuptueshëm”.

Për zonjën Karras kjo është një mënyrë për të kuptuar se si u sëmur.
“Ajo që më bën të shpresoj është ideja që ndoshta diçka e mirë mund të dalë prej gjithë kësaj dhe mbase gjithashtu do t’u japë edhe njerëzve të tjerë shpresë”./VOA/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here