Borxhi publik i bashkisë së Tiranës renditet në krye të listës për vlerën më të lartë, që kap shifrën e 2 miliard lekëve, por kryebashkiaku Veliaj parashikon të rrisë barrën për qytetarët përmes kredisë për ndërtimin e Teatrit të ri me vlerë deri në 30 milion euro.
Aleanca i është drejtuar sot me një letër Z. Werner Hoyer, Presidenti i Bankës Europiane për Investim ku i lutet të konsiderojë heqjen dorë nga një kërkesë e tillë eventuale bazuar në arsye të rrepta morale, ligjore dhe etike.
Aleanca konsideron që çdo bashkëpunim i Bankës Europiane të Investimeve me institucionet që ushtruan dhunë ndaj qytetarëve dhe shkatërruan trashëgiminë kulturore shqiptare dhe në të njëjtën kohë europiane (e mbrojtur nga Europa Nostra) do të nënkuptonte miratimin dhe pajtimin me shkeljen e rëndë të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Më poshtë letra e plotë në shqip
Për: Werner Hoyer, President i BEI
Për dijeni:
Ursula von der Leyen, PRESIDENTE
Josep Borrell Fontelles, PËRFAQËSUES I LARTË/ZËVENDËSPRESIDENT
Margaritis Schinas, ZËVENDËSPRESIDENT
Mariya Gabriel, KOMISIONER
Didier Reynders, KOMISIONER, Drejtësi
Janez Lenarčič, KOMISSIONER, Manaxhim krize
Olivér Várhelyi, KOMISIONER, Fqinjësia dhe zgjerimi
Jutta Urpilainen, KOMISSIONER, Partneritetet ndërkombëtare
Andrej ŠIRCELJ, Kryetar i Bordit të Guvernatorëve BE
David Maria SASSOLI, President i Parlamentit Europian
Luigi Soreca, Ambasador i Delegacionit të BE në Shqipëri
Hermann Parzinger, President Ekzekutiv, Europa Nostra
Sneška Quaedvlieg-Mihailovic, Sekretare e Përgjithshme, Europa Nostra
Tiranë, 30 Maj 2020
I nderuar Presidenti Hoyer,
Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ne dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj dhe vëmendjen e organeve më të larta vendimmarrëse të organizatës suaj të nderuar, një situatë që mund të përfshijë Bankën Europiane të Investimeve në cilësinë e huadhënësit për një kredi që mund të kërkohet nga Qeveria e Shqipërisë dhe / ose Bashkia e Tiranës.
Përmes këtij komunikimi, ne i lutemi Bankës Europiane të Investimeve të konsiderojë heqjen dorë nga një kërkesë e tillë eventuale bazuar në arsye të rrepta morale, ligjore dhe etike.
Ne përfaqësojmë një Aleancë të qytetarëve dhe artistëve. Që nga shkurti i vitit 2018, me një mbështetje në rritje të publikut dhe ndërkombëtare, ne jemi angazhuar për të ruajtur dhe restauruar Teatrin Kombëtar ekzistues të ndërtuar në 1938-39 dhe shembur së fundmi në një aksion qartësisht të paligjshëm të iniciuar nga Bashkia e Tiranës, si dhe për të bllokuar ndërtimin e një teatri të ri në qendër të qytetit të Tiranës. Disa akuza dhe procese gjyqësore janë në zhvillim kundër kryebashkiakut të Tiranës dhe zyrtarësh të tjerë publikë të përfshirë në këtë situatë.
Shembja e Teatrit u urdhërua dhe u krye më 17 maj 2020, si rezultat i një operacioni të urdhëruar nga Bashkia e Tiranës, i mbështetur nga rreth 1500 oficerë policie, i cili ndërkombëtarisht dhe veçanërisht nga disa përfaqësues të lartë të BE-së, u dënua si një veprim barbar dhe një shkelje e shtetit të së drejtës dhe e masave të sigurisë publike të zbatuara nën regjimin Covid-19.
Bashkimi Europian, përmes Komisioneres për Kulturën Mariya Gabriel dhe Europa Nostra, organi më i dalluar europian kushtuar mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në mënyrë të përsëritur deri disa ditë para prishjes, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të mos procedonte me shkatërrimin e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar, i cili më 24 mars ishte përfshirë në programin “7 Vendndodhjet më të Rrezikuara” të Europa Nostra, të drejtuar në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e BEI.
Ne po punonim me Europa Nostra drejt qëllimit tonë për të restauruar Teatrin Kombëtar dhe kur fluturimet të ishin përsëri të mundshme pas pandemisë, ne po prisnim që ekipi i ekspertëve të Europa Nostra dhe Institutit të BEI të vizitonte Teatrin Kombëtar dhe të fillonte me konsultimet teknike në lidhje me punën në vijim.
Dje, një letër e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Ministrit të Financave dhe Ministrit të Rindërtimit (në krye të një ministrie e cila u krijua me qëllimin e vetëm për të menaxhuar fondet për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në një kohë kur ndërtesa e Teatrit Kombëtar nuk u dëmtua aspak pas tërmetit tragjik, duke na bërë kështu të mendojmë se ata do të keqpërdorin fondet që kanë marrë nga vendet e BE për procesin e ardhshëm të rindërtimit), që po jua dërgojmë bashkëlidhur, u bë publike. Në letër kryetari Veliaj njofton se:
“Referuar komunikimeve me Institucione Financiare Ndërkombëtare (IFI), Banka Europiane e Investimeve (BEI), ka shprehur gatishmërinë e saj, për të financuar projektin e Teatrit të Ri, me kushte financiare shumë të favorshme.
Nga projekti paraprak, kosto e përgjithshme për ndërtimin e projektit parashikohet të jetë 30 milion euro.
Në vijim të procedurave të aplikimit pranë Bankës Europiane të Investimeve, lutemi të merrni në konsideratë kërkesën tonë për financim.”
Shkeljet e ligjit në lidhje me projektin e ri teatror dhe protestat e përditshme të qytetarëve që prej gati 28 muajsh, kanë çuar në:
– dy çështje të hapura në Gjykatën Kushtetuese, të cilat për shkak të procesit të vetingut janë bllokuar dhe kur ajo të bëhet funksionale duhet të vendosë mbi: (1) ligjin special të miratuar nga parlamenti shqiptar në 2018 ndërsa presidenti refuzoi dy herë për ta konfirmuar atë, i cili do të transferonte terrenin e Teatrit Kombëtar publik tek një kompani private për zhvillim; (2) Vendimin e Këshillit të Ministrave të 8 majit 2020 që transferoi këtë terren publik të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës;
– SPAK të hapë hetime për keqbërje të kryetarit dhe zv / kryetarit të bashkisë së Tiranës në lidhje me projektin e Teatrit Kombëtar;
– Avokati i Popullit i Shqipërisë të fillojë një hetim në lidhje me (1) vendimin e Këshillit të Ministrave të 8 majit i cili transferoi këtë truall publik të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës dhe (2) të gjithë shkeljet e ligjit dhe të të drejtave të njeriut në lidhje me operacionin e Bashkisë dhe Policisë më 17 maj 2020;
– Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që të (1) organizojë protesta në qytetet e mëdha të Shqipërisë për të sjellë frymën e rezistencës 28-mujore kundër shkeljes së shtetit të së drejtës, veprimeve të paligjshme kundër trashëgimisë kulturore dhe historike dhe pronës publike dhe (2) të organizojë një mbledhje mbarëkombërare firmash të ngjashme me referendum për rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu si ishte dhe aty ku ishte, që po ndërmerret si në internet ashtu edhe fizikisht në secilin nga qytetet ku protesta shkon. Mbi 20 000 njerëz kanë nënshkruar deri më sot.
Ne konsiderojmë që çdo bashkëpunim i Bankës Europiane të Investimeve me institucionet që ushtruan dhunë ndaj qytetarëve dhe shkatërruan trashëgiminë kulturore shqiptare dhe në të njëjtën kohë europiane (e mbrojtur nga Europa Nostra) do të nënkuptonte miratimin dhe pajtimin me shkeljen e rëndë të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Një veprim i tillë eventual do të dëmtonte fuqimisht besimin e qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve europiane, të cilat mishërojnë aspiratën tonë për një shtet të fortë të së drejtës dhe vlera të përbashkëta europiane.
Ne kemi besim se ju do ta konsideroni këtë apel dhe do ta shqyrtoni atë seriozisht përmes ekipit tuaj të profesionistëve dhe në bashkëpunim me organet më të larta vendimmarrëse të organizatës suaj të nderuar.
Me përshëndetjet më të mira,
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit