Gjermania e lë Shqipërinë jashtë listës së vendeve të vizitueshme, reagimi i fortë i ish-ministrit të PS

0
77

Borxhi publik arriti nivelin 66.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2020, duke u rritur me 0,9 pikë për qind në krahasim me fundin e vitit 2019.

Në vlerë neto borxhi publik është rritur me rreth 380 milionë euro. Në muajt në vijim borxhi publik do të rritet edhe më tej për shkak të efekteve të pandemisë. Në tremujorin e parë të vitit qeveria mori një hua prej 174 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, teksa shtoi intensitetin e financimeve nga tregu i brendshëm.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, ish-ministri i Ekonomisë Arben Malaj tha se qeveria duhet të reagojë përmes politikave proaktive të kohezioni social, përmes paketave ekonomike të qarta që mbështesin jo vetëm individin, por në radhë të parë biznesin si mjeti që gjeneron zhvillim ekonomik.

“Risku më i madh nga pikëpamja sociale do të jetë rritja e papunësisë. Shqipërisë do t’i shtohen mbi 100 mijë të papunë, çka do të sjellë varfëri të mëtejshme në familjet shqiptare. Kjo përbën detyrim për politika të kohezionit social; të papunët duhet të marrin paga, familjet në nevojë duhet të marrin rregullisht ndihmën sociale.

Paketa ekonomike të qeverisë kanë qenë të paqarta. Ishin tre kolona ku duhej ndërhyrja e qeverisë: shëndetësia, që është menaxhuar mirë; kohezioni social, të papunët, familjet e varfra, ku duhen përfshirë edhe punonjësit informalë; biznesi, nga ai individual tek ato të mëdha.

Ka pasur lehtësi si ngrirja e detyrimeve të tatimeve dhe taksave, por na duhet një rritje ekonomike më e lartë dhe më e qëndrueshme dhe që prodhon punësim e lufton varfërinë”, tha z. Malaj.

Sipas z. Malaj, paketa e tretë e qeverisë duhet të ketë në fokus sektorët që ushqejnë rritjen ekonomike të vendit, siç është turizmi.

“Në kushtet normale Shqipëria ka 5 mln turistë që futen në ciklin ekonomik të vendit, mungesa e të cilëve do të sjellë pasoja negative edhe në sektorë të tjerë. Nga një raport që ka dalë pak më parë rezulton se qeveria gjermane ka lënë jashtë listës së vendeve që mund të vizitohen, Shqipërinë. Ky është një lajm i keq për vendin tonë, sidomos për turizmin.

Është thelbësore të ndihmohet turizmi, edhe pagesa në Rrugën e Kombit mund të mos aplikohet këtë vit për të lehtësuar ardhjen e turistëve nga Kosova”, tha ish-ministri i Ekonomisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here