I ftuar në hapësirën e intervistës në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, analisti dhe drejtuesi i emisionit 360 gradë Artur Zheji, tha se SHBA do të ndryshojë marrëveshjen PD-PS të vitit 2008.
“Unë mendoj që duhet të kthehemi mbrapa në vitin 2008, ku ligji aktual zgjedhor u miratua nga dyshja PD-PS. Ka qenë një marrëveshje Berisha-Rama e cila farkëtoi këtë kod zgjedhor që kemi sot. Nëse lexojmë atë çka është mbrapa paraqitjes, fakti që ambasadorja amerikane është detyruar dhe i ka ulur në kuadratin e SHBA, do të thotë se Shtetet e Bashkuara përmes Yuri Kim, duan të ndryshojnë jo kodin zgjedhor por marrëveshjen e vitit 2008 midis PD dhe PS. Pra, çformëzimin e dyshes PD-PS, që është ngurtësuar që në vitin 1991. Nuk bëhet fjalë për një reformë zgjedhore. Bëhet fjalë për përmbuysjen e një partitokracie e cila ka qeverisur me shumë probleme në Shqipëri që nga viti 1991 deri më sot”, u shpreh Zheji.