Çfarë e shtyu Victor Hugo-në që t’i shkruante përkthyesit italian të romanit të tij “Les Misérables”

0
180

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Qershor 2020

“Le Rappel” ka botuar, të dielën e 13 janarit 1878, në faqen n°3, letrën ekskluzive të Victor Hugo drejtuar përkthyesit italian të romanit të tij “Les Misérables”, më 18 tetor 1862, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Portret i Victor Hugo nga Nadar (rreth 1884).
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një gazetë e re, “Le Glaneur littéraire”, botoi një letër të shkruar në 1862 për përkthyesin italian të “Les Misérables”, z. G. Daelli. Kjo letër, përmbajtjen e të cilës do ta zbuloni, nuk ishte botuar kurrë më parë në Francë :

Hauteville-House, 18 tetor 1862.

Zotëri, ju keni të drejtë, kur më thoni që libri “Les Misérables” është shkruar për të gjithë popujt. Nuk e di nëse do të lexohet nga të gjithë, por e kam shkruajtur për të gjithë. I drejtohet Anglisë po aq sa Spanjës, Italisë po aq sa Francës, Gjermanisë po aq sa Irlandës, republikave që kanë skllevër si dhe perandorive që kanë bujkrobër.

Problemet sociale tejkalojnë kufijtë. Plagët e racës njerëzore, këto plagë të mëdha që mbulojnë globin, nuk ndalen në vijat blu ose të kuqe të vizatuara në hartën botërore. Kudo që njeriu injoron dhe dëshpëron, kudo që gruaja e shet veten për bukë, kudo që fëmija vuan për një libër që e mëson ose një shtëpi që e ngroh, libri “Les Misérables” troket dhe thotë : Hapeni derën, kam ardhur për ju.

Në këtë orë, ende kaq të errët, të civilizimit në të cilin gjendemi, mjerimi quhet NJERIU; ai është në agoni në të gjitha kohët dhe rënkon në të gjitha gjuhët.

Italia juaj nuk është më shembullore në raport me të keqen se Franca jonë. Italia juaj e admirueshme mbart në fytyrën e saj të gjitha mjerimet. Mos vallë banditizmi, kjo formë e tërbuar e varfërisë, nuk banon në malet tuaja? Pak kombe janë gllabëruar aq thellë sa Italia nga kjo ulçerë e manastireve që u përpoqa t’i hetoja. Ju mund të keni Romën, Milanon, Napolin, Palermon, Torinon, Firencen, Sienën, Pizën, Mantovën, Bolonjën, Ferrarën, Xhenovën, Venecian, një histori heroike, rrënoja sublime, monumente madhështore, qytete të shkëlqyera, por ju jeni, si ne, të varfër. Ju jeni të mbuluar nga mrekullitë dhe parazitët. Padyshim që dielli i Italisë është i shkëlqyeshëm, por, fatkeqësisht! kaltërsia e qiellit nuk i fsheh dot leckat (zhelet) mbi njeriun.

Ju, si ne, keni paragjykime, bestytni, tirani, fanatizëm, ligje të verbëra që mbështesin zakonet injorante. Ju nuk e shijoni të tashmen ose të ardhmen, pa shijen e së kaluarës. Ju keni një barbar, murgun (priftin) dhe një egërsirë, lazzaronen. Çështja sociale është e njëjtë për ju si dhe për ne. Vdesin më pak urie te ju, dhe pak më shumë nga ethet; higjena juaj sociale nuk është shumë më e mirë se e jona; Terri, protestant në Angli, është katolik në Itali; por nën emra të ndryshëm, “vescovo” është identik me “bishop-in”, gjenden aty natën dhe kanë të njëjtat cilësi. Shpjegimi i gabuar i Biblës ose moskuptimi i Ungjillit është e njëjta gjë.

A duhet të këmbëngulim? a duhet ta shohim më tej këtë paralelizëm të zymtë? A nuk keni njerëz në nevojë? shikoni poshtë. A nuk keni parazitë? shikoni lart. Ky ekuilibër i shëmtuar, dy fushat e të cilit, mjerimi (varfëria) dhe parazitizmi, barazpeshohen me vështirësi, a nuk lëkundet para jush si para nesh?

Ku është ushtria juaj e mësuesve të shkollës, ushtria e vetme që qytetërimi pranon? Ku janë shkollat tuaja falas dhe të detyrueshme? A dinë të gjithë të lexojnë në atdheun e Dantes dhe Michelangelos? A i keni bërë kazermat tuaja shkolla ushtarake? A nuk keni ju, ashtu si ne, një buxhet të rëndësishëm për luftën dhe qesharak për arsimin? A nuk keni edhe bindje pasive, të cilat lehtësisht ju shndërrojnë në ushtarë? A nuk keni një militarizëm që iu jep urdhër të qëlloni mbi Garibaldin, domethënë mbi krenarinë e gjallë të Italisë? Le ti bëjmë ekzaminimin rendit tuaj shoqëror, le ta marrim ashtu siç është, le të shohim veprën e tij flagrante, më tregoni gruan dhe fëmijën. Shkalla e civilizimit matet me sasinë e mbrojtjes që rrethon këto dy qenie të dobëta. A ka më pak prostitucion në Napoli sesa në Paris? Sa është sasia e vërtetësisë që del nga ligjet tuaja dhe sasia e drejtësisë që del nga gjykatat tuaja? A bëni sikur nuk i kuptoni këto fjalë të errëta : hakmarrje publike, abuzim legal, burg, arenë ekzekutimi, dënim me vdekje?

Italianë, te ju ashtu si te ne, Beccaria (Cesare) ka vdekur dhe Farinace është gjallë. Dhe pastaj, le të shohim arsyen tuaj shtetërore. A keni një qeveri që kupton identitetin e moralit dhe të politikës? Po i amnistoni heronjtë! Ne kemi bërë diçka të ngjashme në Francë. Ja, le të flasim për mjerimet : që secili të sjellë grumbullin e tij, ju jeni po aq të pasur sa ne. A nuk keni si ne dy mallkime (dënime) : mallkimin fetar të shqiptuar nga prifti dhe atë social të dekretuar nga gjykatësi? O popull i shkëlqyer i Italisë, ti je i ngjashëm me popullin e madh të Francës! Fatkeqësisht, vëllezër, ju jeni si ne “des Misérables – të Mjerë !”

Nga thellësia e hijes ku jemi dhe ku jeni, nuk shihni shumë më qartë se sa ne portat rrezatuese dhe të largëta të Edenit. Priftërinjtë gabohen : këto dyer të shenjta nuk janë pas nesh, por para nesh.

Si përfundim, ky libër, Les Misérables, nuk është më pak pasqyra juaj se e jona. Disa njerëz, disa shtresa të shoqërisë, revoltohen kundra këtij libri, i kuptoj. Pasqyrat, këto transmetuese të së vërtetës, urrehen; kjo nuk i pengon ato të jenë të dobishme.

Sa për mua, unë kam shkruajtur për të gjithë, me një dashuri të thellë për vendin tim, por pa u shqetësuar për Francën më shumë sesa për një popull tjetër. Ndërsa përparoj në jetë, thjeshtësohem dhe bëhem gjithnjë e më patriot i njerëzimit.

Për më tepër, kjo është tendenca e kohës sonë dhe ligji i ndikimit të Revolucionit francez; librat, për t’iu përgjigjur zgjerimit (përhapjes) në rritje të civilizimit, duhet të pushojnë të qenit ekskluzivisht në gjuhën frënge, italiane, gjermane, spanjolle, angleze dhe të bëhen evropianë; unë them më shumë humanë (njerëzorë).

Prej kësaj, një logjikë e re e artit, dhe e disa nevojave të përbërjes që modifikojnë gjithçka, madje edhe kushtet, më parë të ngushta, të shijes dhe të gjuhës, të cilat duhet të zgjerohen si pjesa tjetër.

Në Francë, disa kritikë më qortuan, fatmirësisht për mua, sepse isha jashtë asaj që ata e quajnë shije franceze; Unë do të kisha dashur që kjo lëvdatë të ishte e merituar.

Me pak fjalë, bëj atë që mundem, vuaj nga vuajtja universale dhe përpiqem ta lehtësoj atë; Unë kam vetëm forcën e vogël të një njeriu dhe u bëj thirrje të gjithëve : Më ndihmoni !

Kjo, zotëri, është ajo që letra juaj më bën t’ju them, e them për ju dhe për vendin tuaj. Nëse këmbëngula shumë, kjo ishte për shkak të një fjalie në letrën tuaj. Ju më shkruani : “ — Ka italianë, dhe shumë, të cilët thonë : Ky libër, Les Misérables, është një libër francez. Kjo çështje s’na përket. Le ta lexojnë francezët si një histori, ne e lexojmë si një roman.” — Fatkeqësisht! e përsëris, italianë apo francezë, mjerimi na shqetëson të gjithëve. Meqenëse historia shkruan dhe filozofia reflekton, mjerimi është veshja e racës njerëzore; ka ardhur momenti të zhvishet kjo zhele, të zëvendësohet në trupin nudo të Njeriut-Popull, veshja leckamane e së kaluarës me fustanin e madh të purpurt të agimit.

Zotëri, nëse kjo letër ju duket e nevojshme për të qartësuar disa mendje dhe larguar disa paragjykime, mund ta botoni.

Duke ju paraqitur sigurinë e re të ndjenjave të mia më të veçanta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here