Policët amerikanë gjunjëzohen për t’u solidarizuar me protestuesit, “VOA”: Mund të sjellë ndryshime të përhershme!

0
128

Pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte ndaluar nga policia në qytetin Minneapolis, të shtetit amerikan Minesota, disa oficerë në të gjithë vendin u gjunjëzuan në solidaritet me protestuesit që dënonin racizmin. Zëri i Amerikës u takua me sherifin dhe organizatorët e protestave në Qarkun Prince William, Virxhinia, ku veprimi simbolik i “uljes në gjunjë” mund të sjellë ndryshime të përhershme

“Ne nuk patëm shumë kohë për ta biseduar ose për tu menduar”, thotë Glen Hill, sherif në qarkun Prince William. “Ata donin që ne të gjunjëzoheshim dhe luteshim me ta. Pse jo? Pse të mos tregojmë se jemi të interesuar për atë që i shqetëson?”

Trajtimi i George Floyd-it,… në duart e policisë së Minneapolisit është i vështirë për tu parë.

Kur shpërtheu protesta pas vdekjes së tij, pamjet e oficerëve duke u ulur në gjunjë, ndihmuan në qetësimin e një kombi të tronditur.

Në Manassas, Virginia, oficerët e policisë u gjunjëzuan vetëm një ditë pasi demonstrata në 30 maj u bë e dhunshme.

Sherifi Glen Hill dhe zëvendësat e tij vepruan kështu kur protestuesit paqësorë u tubuan në sallën e gjykatës së Qarkut Prince William.

“Ajo që ndodhi në Minesota, sigurisht për mua ishte një tragjedi. Nuk dua që dikush në profesionin tim të bëjë diçka të tillë sepse kjo reflekton te të gjithë ne. Një nga gjërat që duhet të bëjmë është të kujdesemi për njëri-tjetrin. Nëse shihni një tjetër nga oficerët tuaj, një nga miqtë tuaj që po bën diçka – ndalojeni!”, thotë sherifi Hill.

“Puna jonë si oficerë të zbatimit të ligjit nuk është të përshkallëzojmë një situatë. Ne u betuam për të shërbyer dhe mbrojtur. Dhe për t’i shërbyer dhe mbrojtur të gjithë”, thotë zëvendës sherifi Terry Fearnley.

Disa thonë se rasti Floyd tregon dështimin në trajnimin e oficerëve për të ndalur praktikat raciste.

Por Rreshtere Angel Tyson, e cila gjithashtu u ul në gjunjë, thotë se ka më shumë për të mësuar.

“Unë mund të identifikoj fushat ku mund të rrisim ndërgjegjësimin kulturor, ku mund të orientojmë disa nga trajnimet tona. Mund të mos kem prejardhjen tuaj, por jam e gatshme t’ju dëgjoj. Jam e gatshme të mbaj një mendje të hapur. Jam e gatshme t’ju mbështes, ndërsa ushtroni të drejtat tuaja”, thotë ajo.

Por, përpjekjet për të krijuar besim mes policisë dhe njerëzve me ngjyrë nuk kanë dhënë fryt, thonë protestuesit. Gjunjëzimi është një gjest i bukur, por ata duan drejtësi.

“Sasia e përvojave në komunitetin tonë sa i përket diskriminimit racor në radhët e zyrtarëve të zbatimit të ligjit është e shumtë. Kemi njerëz që ndalohen vazhdimisht vetëm sepse duken të dyshimtë. Nuk ka asnjë arsye ligjore për t’i ndaluar. Dhe atëherë kur ndalohen, u gjejnë një arsye për t’iu vënë një gjobë, ose për t’i futur në burg”, thotë Franklin Parker, organizator i protestave lokale.

Protestat dhe pandemia nuk shkojnë mirë së bashku. Sidoqoftë, këta aktivistë thonë se ata janë të gatshëm të rrezikojnë shëndetin e tyre në mënyrë që vdekja e Floyd-it të mos jetë e kotë.

“Diçka duhet të ndryshojë. Dikush duhet ta bëjë atë ndryshim. Dhe nëse kjo do të thotë se duhet të sëmurem, do të sëmurem. Do të shkoj në spital. Do të kurohem dhe do të jem sërish këtu. Nuk ka asgjë më shumë që mund të bëj për këtë. Sepse në fund të ditës, unë thjesht po përpiqem të sjell paqen, njerëzit duan paqe”, thotë Savana Davis, organizatore e protestave.

Këtu në qarkun Prince William, po dëgjohen lutjet e tyre. Bordi i qarkut po krijon një komision të ri për diversitetin kulturor për të ekzaminuar marrëdhëniet racore.

Dhe sherifi Hill synon kontaktet me komunitetin dhe ndërmarrjen e veprimeve për të pasuar gjestet e mira.

“Një nga gjërat që duhet të bëjmë, jo vetëm me të rinjtë, por me të gjithë ata me të cilët merremi – ne duhet t’u tregojmë atyre dinjitet dhe respekt. Ndoshta duhet të kontaktojmë me komunitetin tonë dhe t’i njoftojmë ata se po, ne mbrojmë, shërbejmë dhe kujdesemi edhe për ju”, thotë sherifi Hill./VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here