Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kthyer për shqyrtim në Kuvend ligjin “Për përmirësimin e zonave të biznesit”.
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 63/2020
“PËR PËRMIRËSIMIN E ZONAVE TË BIZNESIT (BID)”
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NR. 63/2020
“PËR PËRMIRËSIMIN E ZONAVE TË BIZNESIT (BID)”
Të nderuar deputetë!
Në seancën plenare të datës 14 maj 2020 Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”. Ky ligj me shkresën nr. 1308 prot, datë 19.05.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Sipas dokumentacionit parlamentar rezulton se projektligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e një mekanizmi ku poseduesit e njësive tregtare, të cilat përdoren për qëllime biznesi, të nxiten të marrin pjesë në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës që sipas këtij ligji quhet “BID”, nëpërmjet kontributeve private, të cilat përdoren për shërbime shtesë për bizneset në zonën BID përkatëse.
Nga shqyrtimi në tërësi i ligjit nr. 63/2020, vlerësohet se ky akt shkel parimet kryesore kushtetuese të:
- lirisë së veprimtarisë ekonomike;
- ushtrimit të së drejtës së pronës private me gjitha tagrat e saj (zotërimin);
- mënyrës së caktimit të taksave dhe tarifave vendore;
- mënyrës së administrimit të fondeve publike dhe të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të detyrueshme të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Në këtë mënyrë, ky akt i ri ligjor, përveç se shkel nenit 11, 41, dhe 155 të Kushtetutës, në disa nene të tij njëkohësisht, përmban parashikime që bien ndesh me legjislacionin aktual në fuqi, duke mosrespektuar për pasojë edhe nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkinë e akteve në Republikën e Shqipërisë.
Arsyet më të detajuara, i gjeni si më poshtë:
- Përmes këtij ligji, Bashkitë heqin dorë nga ushtrimi i funksioneve të veta të detyrueshme dhe të padelegueshme, për t’ia kaluar për ushtrim një organizate jofitimprurëse, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”.
Në nenin 1 të ligjit nr. 63/2020, se ky ligj ka për qëllim ndër të tjera që :
“a) të krijojë një mekanizëm ku zotëruesit e njësive tregtare, të cilat përdoren për qëllime biznesi, nxiten të marrin pjesë në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës BID, nëpërmjet kontributeve private, të cilat përdoren për shërbime shtesë për bizneset në zonën BID përkatëse dhe për përmirësime të pasurisë publike;
- b) të konsolidojë dhe të zhvillojë përtëritjen urbane të qyteteve, duke njohur nevojat unike dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballen biznese me karakteristika lokale të ndryshme;
- c) të lehtësojë identifikimin e zonave gjeografike të caktuara, për të përmirësuar dhe shtuar ofrimin e shërbimeve bashkiake brenda tyre;
ç) të përcaktojë në mënyrë të qartë kushtet, sipas të cilave krijohet një BID dhe të sigurojë që poseduesit e njësive tregtare brenda zonave të propozuara BID të jenë të përfshirë plotësisht në proceset përkatëse, duke lehtësuar kështu pjesëmarrjen e tyre në ҫështjet e zonës dhe të qytetit.”
1.1 Ndërkohë, mekanizmi që krijohet është ai i një organizate jofitimprurëse, ku bashkia përkatëse mund të marrë pjesë, përkatësisht si anëtar ose si anëtar i organit vendimmarrës, dhe që administron fondin BID përkatës, i cili mblidhet pas miratimit të BID-it përkatës. Kësaj organizate jofitimprurëse, ku bashkia mund të jetë pjesë e saj, i njihet mundësia sipas këtij ligji, të:
- zhvillojë zonën;
- përmirësojë pasuritë publike;
- zhvillojë përtëritjen urbane;
- përmirësojë dhe shtojë ofrimin e shërbimeve bashkiake brenda tyre.
1.2 Të gjitha këto kompetenca që i njihen një organizate jofitimprurëse sipas këtij ligji, janë kompetenca dhe detyrime që ligji ia ka njohur për t’u ushtruar ekskluzivisht njësive të vetëqeverisjes vendore. Ky është një detyrimi tyre dhe përkundrejt interesit publik ky detyrim kurrsesi nuk mund të ndryshojë në këtë formë siç propozohet.
1.3 Neni 3, i ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore” përcakton qartë misionin e vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, për të siguruar një qeverisje të efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve nëpërmjet:
- a) njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive;
b)respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të sanksionuara në Kushtetutë ose në ligje të tjera;
- c) zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësive të tjera publike vendore në dobi të bashkësisë;
ç) ushtrimit efektiv të funksioneve, kompe-tencave dhe realizimit të detyrave nga organet e vetëqeverisjes vendore;
- d) realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme, bazuar në nevojat e anëtarëve të bashkësisë;
- dh) nxitjes efektive të pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të bashkësisë në qeverisjen vendore;
- e) realizimit të shërbimeve, në përputhje me standardet e kërkuara me ligj ose akte të tjera normative.
1.4 Po sipas këtij ligji, njësitë e vetëqeverisjes vendore, ushtrimin e funksioneve në shërbim të qytetarëve dhe të zonës administrativo-territoriale që mbulojnë, nuk e kanë vetëm të drejtë, por mbi të gjitha e kanë përgjegjësi.
1.5 Njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë funksione, kompetenca, si dhe funksione të deleguara (neni 21, pika 1 e ligjit nr. 139/2015). Neni 23, i ligjit nr. 139/2015 përcakton qartë funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre, mes të tjerash për:
- Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të trotuareve dhe shesheve publike vendore.
- Ndriçimin e mjediseve publike.
- Shërbimin e dekorit publik.
- Parqet, lulishtet dhe hapësirat e gjelbra publike.
- Planifikimin, administrimin, zhvillimin dhe kontrollin e territorit, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
1.6 Po ashtu, sipas nenit 28, të ligjit nr. 139/2015, bashkitë janë përgjegjëse për:
- Hartimin e planeve strategjike të zhvillimit e të programeve për zhvillimin ekonomik vendor.
- Ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë.
- Mbështetjen për zhvillimin e biznesit të vogël, nëpërmjet veprimtarive nxitëse, të tilla si panaire e reklama në vende publike.
- Organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor, si informacioni për bizneset, aktivitetet promovuese, vënia në dispozicion e aseteve publike etj.
- Publikimin e broshurave informative, krijimin e portaleve me profil ekonomik etj
Sipas nenit 30, të ligjit nr. 139/2015, këto funksione janë funksione, të përcaktuara me ligj, të deleguara dhe të detyrueshme. Dhe ligji nuk parashikon mundësinë e heqjes dorë prej ushtrimit të tyre, apo nëndelegimit, siç parashikohet në këtë rast me ligjin nr. 68/2020, përmes marrëveshjes operacionale që do të lidhë bashkia me organizatën “BID”.
- Ky ligj, në tërësinë e tij, përmes parashikimeve për mënyrën e krijimit, organizimit dhe të imponimit të organizatës BID ndaj zotëruesve të njësive ndërtimore në një zonë të caktuar, krijon detyrime rënduese për biznesin e vogël, duke cenuar lirinë e pronës, lirinë ekonomike dhe duke i vënë para një skeme të taksimit të dyfishtë.
2.1 Në nenin 3, pika 2, të ligjit nr. 63/2020 parashikohet se: Veprimtaria e BID-it ka si qëllim rigjallërimin e zonave të biznesit në qytete dhe qyteza urbane, duke lehtësuar zhvillimin e tyre, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm në zonat BID përkatëse, ku ka përqendrim të lartë të biznesit të vogël.
Pra ky ligj, përmes përqendrimit të zonave BID në pjesën ku ushtrojnë më së shumti veprimtari bizneset e vogla, i vë këto biznese para rëndimit të dyfishtë për të paguar edhe detyrimet që rrjedhin prej të qenit pjesë e zonës BID. Ndërkohë që në kushtet ekonomike aktuale, pas pandemisë së Covid-19 dhe në disa zona, për shkak të tërmetit të nëntorit 2019, biznesi i vogël po përballet me vështirësi reale financiare.
Ky imponim për të paguar kuotën si pjesë e zonës BID vetëm për shkakun e vendndodhjes, sipas nenit 5, të ligjit nr. 63/2020, mund të vijë si propozim jo vetëm nga biznesi në atë zonë, por edhe nga:
- ҫdo organizatë jofitimprurëse ekzistuese me një interes publik përkatës dhe të justifikuar në zonën BID;
- ҫdo dhomë tregtie me një interes publik përkatës dhe të justifikuar në zonën BID;
- bashkia përkatëse, në raste të veçanta, kur nuk ka ndonjë propozim për BID në një zonë të caktuar.
- Ky ligj, sipas nenit 8, pika 1, vë para detyrimit për zbatimin e një plani investimi dhe biznesi të zotëruesve të një njësie ndërtimore (jo domosdoshmërisht të përdorur për qëllime tregtare) që ndodhet në zonën BID, kur ky investim apo plan biznesi jo vetëm që nuk është kërkuar, por edhe është detyrim i bashkisë të kryejë investime në territorin e saj administrativ.
- Ligji parashikon pagimin e kuotës BID, ndërsa dhe vetë forma e miratimit të BID-it sipas nenit 11 të ligjit, është një formë imponuese. Konkretisht, kjo dispozitë, parashikon se, miratimi bëhet:
“1. Nëse brenda 30 ditëve kalendarike nga publikimi i njoftimit për BID, prospekti BID pranohet nga më shumë se 50 % e të gjithë personave me të drejtë vote në zonën BID përkatëse, duke nënshkruar formularin për votimin e prospektit BID, ky prospekt BID konsiderohet i pranuar
- Nëse brenda 30 ditëve kalendarike nga publikimi i njoftimit për BID, prospekti BID refuzohet nga të paktën 50 % e të gjithë personave me të drejtë vote në zonën BID përkatëse, duke nënshkruar formularin për votimin e prospektit BID, ky prospekt BID konsiderohet i papranuar dhe nuk mund të zbatohet.
- Nëse prospekti BID pranohet, sipas pikës 1, të këtij neni, ose nuk refuzohet, sipas pikës 2, të këtij neni, BID-i konsiderohet i miratuar dhe propozuesi i BID-it njofton më pas të gjithë paguesit e kuotës BID për miratimin e BID-it dhe fillimin e themelimit të organizatës BID ose të pajtimit të një organizate jofitimprurëse ekzistuese, sipas pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji. […]”
Një formulim i tillë është tërësisht i papranueshëm, pasi imponon një vendimmarrje për zotëruesit e njësive në një zonë të caktuar administraive, edhe nëse ata nuk janë përfshirë fare në vendimmarrje.
Nëse do të ishte i pranueshëm miratimi i një vendimmarrjeje pas një votimi “pro” me rezultat “50% +1”, përkundrazi, mungesa e votave “pro”, apo e votave “kundër”, nën këtë nivel pjesëmarrjeje, kurrsesi nuk mund të konsiderohet si pranim.
Një parashikim i tillë, në veçanti me mungesën e garancive që përmban ky ligj për mënyrat dhe procedurat e njoftimit, përbën një vendimmarrje të imponuar për zotëruesit e njësive në zonën ku propozohet BID-i.
Ndërsa ligji, për një vendimmarrje të tillë imponuese, që i vë zotëruesit e njësive të asaj zone para detyrimit të pakërkuar apo të papranuar, nuk përcakton asnjë mënyrë ankimi apo kundërshtimi në gjykatë, në kushtet kur neni 12, parashikon vetëm afatet për regjistrimin direkt të organizatës BID në gjykatë si organizatë jofitimprurëse.
- Lidhur me formën e organizimit të BID si organizatë jofitimprurëse dhe regjistrimin e saj në gjykatë, ky parashikim bie ndesh me përcaktimet e ligjit nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar. Sipas këtij ligji, organizata jofitimprurëse është shoqata, fondacioni dhe qendra, veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti.
- Ligji nr. 8788/2001, në nenin 6, sanksionon parimin e pavarësisë nga shteti:Organizatat jofitimprurëse e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur nga organet dhe interesat shtetërore.
- Ndërsa ligji nr. 63/2020 nuk merr në konsideratë këto parashikime mbi organizimin dhe funksionimin e organizatave jofitimprurëse, kur që në dispozitën e përkufizimeve, në nenin 2, pika 11, e përkufizon organizatën BID si: një organizatë jofitimprurëse, me ose pa anëtarësi, ku bashkia përkatëse mund të marrë pjesë, përkatësisht, si anëtar ose si anëtar i organit vendimmarrës, e krijuar sipas legjislacionit për organizatat jofitimprurëse, e cila është personi juridik BID që administron fondin BID përkatës i cili mblidhet pas miratimit të BID-it përkatës, në përputhje me këtë ligj.
- Jo vetëm pjesëmarrja e bashkisë, por edhe parashikimet mbi burimet e financimit të kësaj organizate BID, nuk janë në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 8788/2001, dhe deformojnë vetë konceptin e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut.
- Sipas ligjit nr. 63/2020, një organizatë jofitimprurëse si BID, duhet të ushtrojë veprimtari publike të natyrës së ofrimit të shërbimeve bashkiake në atë komunitet. Ndërkohë që ushtrimi i tyre është detyrim dhe përgjegjësi e organeve të vetëqeverisjes vendore.
- Edhe nëse njësia e qeverisjes vendore, për përmirësimin e këtyre shërbimeve vendos të transferojë kryerjen e tyre, këtë mund ta bëjë përmes procedurave që përcakton legjislacioni në fuqi për prokurimet, koncesionet, partneritetin publik privat, apo qoftë dhe përmes krijimit të ndërmarrjeve për shërbime publike, ku në çdo rast, kapitali, vota ose e drejta për të emëruar organet drejtuese dhe financimi kontrollohen nga bashkia.
- Parashikimet e ligjit nr. 63/2020 cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nenin 41 të Kushtetutës që garanton të drejtën e pronës private.
E drejta e pronës private garanton njëkohësisht dhe lirinë në mënyrën e posedimit dhe përdorimit të saj. Ndërsa ky ligj, sjell implikime që kushtëzojnë sipas prospektit BID, edhe mënyrën e përdorimit sa i takon llojit të veprimtarisë që do të ushtrohet. Edhe pse ky fakt nuk thuhet në mënyrë eksplicite në ligj, kuptohet nga mënyra se si është parashikuar funksionimi i zonave BID në tërësi.
Ky cenim vjen edhe nga detyrimi i pagimit të kuotave të zonës BID, edhe nëse njësia ndërtimore nuk është duke e përdorur fare subjekti, ose mund të ketë vullnetin që pavarësisht vendndodhjes dhe pozicionimit të saj, të mos ta përdorë për qëllime të veprimtarisë tregtare.
- Për të njëjtat arsye, si dhe për faktin e imponimit të vendimmarrjes për pagimin e kuotës BID, madje dhe në rastet kur njësia nuk përdoret nga zotëruesi, cenohet direkt edhe neni 11, të Kushtetutës duke sjellë pengim të lirisë së veprimtarisë ekonomike.
- Ky ligj, cenon po direkt nenin 155 të Kushtetutës që sanksionon se:
Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese.
6.1 Ky ligj në tërësi, dhe në veçanti përmes dispozitës së nenit 15, parashikon detyrimin për pagimin e një kutoe, që në thelb përbën një tarifë shtesë përveç taksave, tatimeve dhe detyrimeve financiare kombëtare dhe vendore që paguhen. Por kjo tarifë në formë kuote, nuk është e përcaktuar me ligj. Madje ligji parashikon pagimin e këtij detyrimi “vendor” edhe kur nuk bëhen mbi 50 % e pronarëve bashkë për të shkuar dhe për të votuar kundër prospektit të zonës BID.
- Madje, këtë tarifë ekstraligjore, parashikohet se mund ta mbledhë edhe vetë bashkia përkatëse.
- Ky detyrim ekstraligjor i imponohet edhe një zotëruesi të ri të njësisë tregtare që ndodhet në zonën BID, që nuk ka qënë pjesë e vendimmarrjes. Madje, mospagimi i kësaj kuote që përbën një tarifim të dyfishtë të papërcaktuar me ligj, mund edhe të ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme sipas pikës 8, të nenit 15, të ligjit.
- Ky detyrim rëndon edhe për pronat që nuk përdoren, sipas nenit 19 të ligjit, apo ato që janë ende të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, sipas nenit 20 të tij. Ndërkohë që për këto pasuri, detyrimet dhe taksat vendore paguhen sipas ligjeve të veçanta, tashmë u imponohet edhe një pagesë shtesë poseduesve të këtyre njëisve, vetëm për faktin që prona e tyre ndodhet në një territorit të caktuar.
Kjo pagesë e vendosur jo me ligj, rëndon më shumë financat e qytetarëve, ndërkohë që nuk zhvillojnë asnjë veprimtari tregtare për ta justifikuar apo përballuar.
- Ky imponim në pagimin e një tarife të papërcaktuar në ligj, del edhe me qartë nga përmbajtja e nenit 16 të ligjit, që parashikon në pikën 2, se:
“Organizatat BID me seli në zonën BID, shkollat dhe spitalet me pronësi shtetërore, komunitetet fetare, njësitë e qeverisjes qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore që ndodhen në zonën BID, mund të lirohen nga pagimi i kuotës BID. Ҫdo përjashtim tjetër nga kuota BID, përfshirë por pa u kufizuar në përjashtimet e subjekteve sipas kësaj pike, parashikohet në prospektin BID.”
Ky parashikim shkon deri në konfuzion, kur krijon “mundësinë” për deri njësitë e qeverisjes qendore dhe të vetëqeverisjes vendore, që të përjashtohen nga detyrimi për të paguar po nga buxheti i shtetit, një kuotë të imponuar pa ligj.
- Parashikimi i nenit 17, sërish është i paqartë dhe krijon një deformim të mënyrës se si kryhen investimet publike në zona të caktuara.
Në pikën 1, shkronja “b)”, parashikohet e drejta e organizatës BID, për të marrë pjesë në planet, strategjitë dhe investimet e bashkisë përkatëse në zonën BID, nëpërmjet propozimeve të përbashkëta për të marrë pjesë në investimet e autoriteteve përkatëse, sipas udhëzimeve të ministrisë/ve përkatëse.
Madje, një parashikim i tillë, krijon premisa që të shmanget konsultimi real publik për një projekt që mund të kryhet në një zonë të caktuar, kur në vend që ky konsultim të zhvillohet sipas kërkesave ligjore me qytetarët, të kryhet me organizatën BID si “përfaqësuese” e interesave të tyre.
Në kushtet kur bashkia mund të jetë pjesë e organizatës BID, ose në rastin më të mirë, ka dhënë miratimin për atë organizatë, një veprim i tillë deformon tërësisht procesin e konsultimt që duhet të zhvillohet në rastin e projekteve të reja, duke cenuar pjesëmarrjen e publikut në zhvillimin e zonës.
- Neni 14 i ligjit nr. 63/2020 parashikon se, burimet e financimit të zonës BID, janë:
“a) kuota BID;
- b) financimet, të cilat bashkia përkatëse do të japë për organizatën BID, në përputhje me këtë ligj, me legjislacionin e zbatueshëm për vetëqeverisjen vendore dhe marrëveshjen operacionale përkatëse;
- c) fonde/të ardhura të tjera të siguruara nga donatorë privatë, vendas ose të huaj;
ç) fonde të tjera të siguruara nga qeveria qendrore në formën e granteve apo të donacioneve të disponueshme për t’iu transferuar organizatave BID;
- d) kontribute të tjera në të holla, brenda kufijve ligjorë përkatës, në natyrë ose në shërbime, të anëtarëve të BID-it dhe/ose të pushtetit vendor dhe/ose pushtetit qendror, dhe/ose të donatorëve të tjerë, vendas dhe/ose të huaj, publikё dhe/apo privatё.”
- Pra, ky ligj parashikon si burim financimi transfertat e fondeve publike, që bëhen nga qeverisja vendore ose qendrore, për një zonë BID. Në këtë rast, fondet publike i transferohen një njësie private për t’u administruar në kundërshtim me çdo parashikim ligjor në fuqi. Ndërkohë që, sipas Kushtetutës dhe ligjeve aktuale në fuqi nuk është njësia private përgjegjëse për të plotësuar nevojat prioritare të komunitetit të një zone të caktuar administrative, sipas programit të hartuar dhe të miratuar nga Këshilli Bashkiak përkatës. Përdorimi i fondeve publike duhet të bëhet në përputhje me programin e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe sipas procedurës dhe rregullave që përcakton ligji nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
- Çdo vendimmarrje për të përdorur fondet publike, i nënshtrohet një procesi të gjatë diskutimi me të gjithë komunitetin dhe më pas kalon për vendimmarrje në këshillin bashkiak. Ndërkohë që ky ligj parashikon transferimin e këtyre fondeve publike, pa konsideruar nevojat e komunitetit që shtrohen për diskutimin apo vendimmarrjen e këshillit bashkiak, direkt në përdorim dhe administrim të një organizate jofitimprurëse BID.
- Në relacionin shoqërues të ligjit, citohet se:
“Projektligji paraqet për herë të parë konceptin e BID-it në Shqipëri dhe është hartuar me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (Albanian-American Development Foundation (AADF), i cili ka angazhuar ekspertë britanikë (Kompania “The Means”) në fushën e veprimtarisë së BID-eve. Aktualisht, në bashkitë Berat, Korçë, Krujë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër po zbatohen projektet “Business Improvement District-BID” ose “Zonë për Përmirësimin e Biznesit”, në marrëveshje me AADF-në dhe në këtë marrëveshje janë përfshirë katër elemente kyçe:
– Përmirësim infrastrukturor;
– Zhvillim i sipërmarrjes nëpërmjet vetëorganizimit të biznesit;
– Zhvillim i lidership-it nëpërmjet shoqatës së BID-it (partneritet publik privat);
– Mbështetjeje për kulturën dhe ekoturizmin.”
Duam të sjellim në vëmendjen tuaj se ky model që sillet si shembull, është një model biznesi në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ai përbën një bashkim të fondeve të investitorëve privatë që realizojnë investime në një zonë të caktuar, dhe një nga alternativat e sjella, është edhe bashkëpunimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore për projekte zhvillimi.
8.4 Ndërsa modeli që sjell ligji duke parashikuar krijimin e organizatës BID, është modeli i një strukture private që nuk ka fonde në dispozicion paraprakisht, por i krijon ato nga kuotat e pjesëmarrjes dhe transfertat e fondeve publike. Ky lloj modeli anashkalon procedurat e administrimit të fondeve publike për financimin e projekteve të zhvillimit apo të ofrimit të shëbimeve në nivel vendor, që jo vetëm shmangin Planifikimin Strategjik të Zhvillimit të Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore siç përcaktohet në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqverisjes vendore”, por shmangin edhe kalimin e fazave të një projekti normal zhvillimi, që normalisht kalon nëpër këto faza:
- Identifikimit të projektit/eve;
- Diskutimit me komunitetin dhe aktorët e interesuar;
- Përzgjedhjen sipas prioriteteve apo strategjive në zbatim për zhvillimin e zonës;
- Miratimin në këshillin bashkiak;
- Financimin e projektti;
- Kontrollin e përdorimit të fondeve dhe zbatimit të projektit; etj.
8.5 Ndërsa për atë sasi të fondeve publike që sipas këtij ligji i transferohen organizatës BID, shmanget procesi i administrimit dhe kontrollit, veçanërisht kur përdorimi i këtyre fondeve pas transferimit nuk bëhet përmes procedurave të prokurimit publik, dhënies me koncesion të shërbimeve publike në atë zonë apo ndonjë forme të partneritetit publik privat. Ndaj dhe transparenca në përdorimin e këtyre fondeve publike mungon, duke cenuar direkt interesin publik.
- Përmes parashikimit të pikës 4, të nenit 22, imponimi mbi pagimin e kuotave dhe zbatimit të planit të biznesit, shkon më tej, kur në rastin e shpërndarjes së organizatës BID, parashikohet që, çdo send në pronësi të organizatës BID do t’i transferohet një organizate jofitimprurëse tjetër të ngjashme në atë zone. Kjo mënyrë e transferimit të pronësisë, nuk njihet nga legjislacioni në fuqi.
- Në përfundim, parashikimi i nenit 23, e bën më shqetësues situatën kur, njeh vazhdimësinë e shoqatave ekzistuese BID dhe rregullon procesin tranzitor të miratimit të tyre sipas kushteve të këtij ligji. Nëse vërtet ka shoqata që kanë ekzistuar që formë të tillë, dhe që kanë përfituar deri fonde publike për këtë qëllim, nevojitet një verifikim i mënyrës së transferimit e përdorimit të këtyre fondeve, pa një shtrat ligjor.
Nëse bashki të caktuara kanë hyrë në operacione ekonomike duke i transferuar fonde publike OJF-ve, në të njëjtën mënyrë siç parashikohet nga ky ligj, tregon qartë faktin se çdo veprimi kryer prej tyre është realizuar pa një shtrat ligjor duke lënë të hapur mundësinë që në këto operacione mund të jenë kryer edhe shpërdorime të fondeve publike.
Për të gjithë sa më sipër, krijimi i formave të tilla të bashkëpunimit si lloji i BID, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit është një hap pozitiv në vetvete, por nëse krijohet si njësi mbi baza të vullnetarizmit dhe pa qenë nevoja e imponimit me ligj.
Një organizatë e tillë, e krijuar vullnetarisht, mund edhe të konkurrojë në projektet e financiuara dhe të miratuara të një bashkie, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për administrimin e fondeve publike.
Përmirësimi i infrastrukturës në zona historike brenda qyteteve është detyrim i institucioneve publike, ndërkohë që gjetja e mënyrave të bashkëpunimit prej tyre me partner vendas apo të huaj për t’i rigjallërruar ato, është kurdoherë i mirëpritur. Edhe mirëmbajtja më pas e çdo ndërhyrjeje përmirësuese të realizuar në këto zona është detyrim i institucioneve shtetërore përfituese, si për çdo investim tjetër publik.
Cedimi prej këtij detyrimi, nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë për të krijuar skema të reja hibride që nuk njihen nga legjislacioni në fuqi dhe që cenojnë parimet kushetetuese.
Gjithashtu, duhet të mbahet në vëmendjen e institucioneve publike fakti se, nuk mundet që qendrat tona të qytetërimit, të cilat pasqyrojnë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, të trajtohen përmes forcës shtrënguese të ligjit, sikur të jenë qendra tregtare.
Kjo do të keqorientonte zhvillimin e qëndrueshëm urban, shoqëror, kulturor dhe ekonomik, drejt interesave ekonomike të një pakice që ushtron veprimtarinë aty, duke bartur rrezikun e shuarjes pak e nga pak të kujtesës kolektive dhe traditës në një zonë të caktuar.
Institucionet publike si ato të nivelit qëndror dhe ato të nivelit vendor, kanë përgjegjësinë dhe detyrimin që të kujdesen njësoj për përmirësimin e gjithë territorit dhe qendrat e qyteteve. Nuk mundet që për pjesë të caktuara të territorit urban, ligjvënësi të miratojë ligje që krijojnë hapësira të trajtimit preferencial dhe të diferencuar të bizneseve apo individëve që ushtrojnë aktivitetin në këto zona të quajtura BID.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”.
Ky ligj në tërësi, dhe jo dispozita të caktuara të tij, përmban parashikime që bien ndesh me:
- lirinë e veprimtarisë ekonomike;
- lirinë e gëzimit të pronës private, parimet për vendosjen e pagimit të taksave dhe tarifave qendrore dhe vendore;
- parimet për përdorimin e fondeve publike;
- shmangien nga përmbushja e përgjegjësive ligjore të njësive të qeverisjes vendore për zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve në zona të caktuara ku ndodhen kryesisht të grumbulluara bizneset e vogla;
- dhe përdorimin e fondeve publike jo në përputhje me interesin publik në nivel vendor, duke anashkaluar konsultimet dhe nevojat e komunitetit në këto zona.
Ky ligj shkel nenet 11, 41, 155 të Kushtetutës, ashtu si dhe nenin116 të saj, për shkak të parashikimeve në kundërshtim me akte të tjera ligjore në fuqi.
Ndaj iu kërkoj deputetëve të Kuvendit ta rilexojnë me vëmendje këtë akt para se të votojnë për shqyrtimin e dekretit, duke mbajtur në konsideratë nevojat e komuniteteve të biznesit në zonat që mbulojnë, dhe jo interesin e pakicave që duan ta deformojnë biznesin lokal dhe ta shndërrojnë atë në një mënyrë tjetër përfitimi financiar, në mungesë të plotë transparence dhe gjithëpërfshirjeje.
Me respekt,
Ilir Meta