Nga Gjergj Erebara | BIRN
Statistikat zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punës të publikuara nga Instituti i Statistikave bëjnë të ditur se të papunët e regjistruar shënuan një rënie të re gjatë tremujorit të parë të këtij viti si dhe nivelin e dytë më të ulët në histori, pavarësisht se vendi u godit nga pandemia e koronavirusit të ri, e cila solli bllokimin e pjesës më të madhe të aktivitetit ekonomik.
Shkalla e papunësisë zyrtare ra për rrjedhim në 5.6% të forcës së punës, nga 5.9% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i të papunëve të regjistruar për herë të parë në zyrat e punës shënoi një rekord të ri minimal me vetëm 5,600 vetë.
Tremujori i parë i këtij viti bëhet kështu periudha me normën e dytë më të ulët të shkallës së papunësisë zyrtare gjatë viteve të fundit. Në tremujorin e katërt të vitit 2018, të papunët e njohur zyrtarisht si të tillë nga regjistrat e shtetit ishin 64 mijë vetë ndërsa norma e papunësisë ishte 5.4%.
Norma e papunësisë zyrtare të Shqipërisë jo vetëm që është në rënie, por ajo tashmë është ndjeshëm edhe më e ulët se sa mesatarja e Bashkimit Europian (7.4% sipas shifrave të publikuara nga Eurostat për muajin mars) dhe e krahasueshme me vendet më të zhvilluara të Euroës. P.sh., Gjermania ka një normë papunësie prej 3.4% ndërsa Belgjika e ka normën e papunësisë 5.5%. Ndryshe nga këto, Greqia ka normë papunësie 18% ndërsa Spanja 14%.