Kreu i Shoqatës së Transportit Publik: Ajrosja natyrale dhe kapaciteti të pazbatueshëm…

0
131

Kreu i Shoqatës së Transportit Publik Eneo Sulejmanaj ka folur në studion e Abc News me spikeren Sibora Bitri për pikat e panegociueshme që sollën shtyrjen e hapjes së transportit publik.

Ai tha se disa nga kërkesat në protokollin e sigurisë bien në kundërshti me njëra-tjetrën dhe janë të pazbatueshme.

Sulejmanaj deklaroi se përpos vështirësisë për t’u kthyer në punë me këto kushte, punonjësit e transportit publik janë hasur edhe me frikën e një gjobe që mund të kushtojë deri në 40 mijë lekë të reja, ndërsa shtoi se zbatimi i rregullores nuk është në dorën e tyre.

“Kemi kërkuar që kapacitetit të mos jetë 70% dhe heqjen e akcizës së naftës që i kushton goxha operatorëve.

Kemi kërkuar uljen e TVSH në shitje sepse vendet e Europës e kanë shumë më të ulët. Ne kemi kërkuar që 2020 të mbyllim pa TVSH sepse kjo do i jepte një llojë frymëmarrje transportit publik.

Është e pamundur ruajtja e distancës dhe për këtë pastaj bëhemi ne përgjegjës. Ne po mundohemi që në këtë formë të ofrojmë një shërbim më të mirë që të mos kthehemi në një vatër infeksioni.

Kemi kërkuar në fillim edhe propozimin e transportit falas gjatë pandemisë së koronavirusit por duke qenë se është e parealizueshme le të realizohen të tjerat.

Një pikë tjetër ka qenë ajrosja natyrale. Mendoni sa fluks mund të ketë dhe ajrimi duhet të jetë natyral. Ne i kemi autobusët hermetikë për shkak se është bërë ashtu për të shmangur ndonjë incident.

Jo të gjitha urbanet i kanë mundësitë për hyrjen dhe daljen të ndryshme. Për hartimin e protokollit duhet të konsultoheshin më shumë me ne. Ka shumë pika që bien ndesh me njëra tjetrën. Njerëzit duhet të punojnë dhe kjo është arsyeja pse funksionon transporti publik, prandaj duhet të flasim që t’i krijojmë kushtet qytetarëve që të mbrohen.

Duhet të rishikohet në tërësi protokolli i sigurisë. Ne duhet të ruhemi edhe nga gjobat në këtë rast që janë nga 40 mijë lekë e sipër.

Punonjësit e transporti publik kanë marrë 100 euro në muaj gjë që janë të pamjaftueshme pasi një shofer ka thënë se as letër higjienike nuk ble me kaq lekë.

Nëse ditën e hënë ishte fluksi i njerëzve që donin hapjen e transportit publik, në ditët e tjera do ketë akoma më shumë. Janë 100 mijë familje që ushqehen me këtë sektor”, u shpreh Sulejmanaj./abcnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here