Vijon edhe ditën e sotme protesta e maturantëve, të cilët kërkojnë rivlerësim të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, me argumentin se pyetjet kanë qenë shumë të vështira dhe të pakuptimta. Sot në protestë janë ngritur edhe maturantët e Fierit, të cilët pasi kanë marshuar në qytetin, janë mbledhur përpara Drejtorisë Arsimore.
Maturantët kanë kërkuar të plotësohen kërkesat e tyre afatshkurtra, pasi në të kundërt do të bojkotojnë provimet e radhës të Maturës Shtetërore.
“Të vlerësohet nota mesatare e notës së Gjuhë Letërsisë në shkollë dhe 40% e provimit. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona të qarta dhe afatshkurtra, do të ketë bojkot të provimeve. Nëse arrijmë konsensus, do të vazhdojmë provimin”, tha një maturant.
Ndërsa një studente i drejtoi një mesazh të prerë ministres së Arsimit, Besa Shahini, duke i thënë se: “Është e pamundur të shpërbëhet gjithë ajo që kemi lexuar. Ne vërtet jemi të vegjël, por kur mblidhemi bashkë, ne shkatërrojmë botën”.