Ish-deputeti i PD Bardh Spahia deklaroi se spitali i Pukës është kthyer në një vatër infeksioni me Covid-19.
Përmes një postimi në Facebook, Spahia shkruan se kjo situatë ka ardhur për shkak të neglizhencës skandaloze dhe mos-respektimit të protokollit të sigurisë.
Postimi i plotë
”Edhe spitali i Pukës vatër infeksioni me Covid!!!
Prej 3 ditësh në Spitalin e Pukës është konstatuar një pacient me Covid. Pacienti ka shkuar si rast urgjent dhe është shtruar nga shefja e shërbimit të Urgjencës në repartin e Patologjisë, ku ka qëndruar rreth 11 orë, pa respektuar protokollin e sigurisë për pandeminë!!! Pasi ka rezultuar pozitiv nga testi që i është kryer është dërguar në Tiranë. Denoncimi vjen nga personeli shëndetësor i shqetësuar për vete, për pacientët e shtruar në këtë spital, 8 të tillë, si dhe për pacientë të tjerë që vazhdojnë të paraqiten sipas nevojës. Asnjë karantinim nuk është realizuar dhe nuk ka transparencë për numrin e tamponëve të kryer!!!
Pra neglizhenca skandaloze e mosrespektimi i protokollit të sigurisë e kthen këtë spital të vatër infeksioni dhe as nuk u vihet veshi personelit shëndetësor, as merren masa mbrojtëse e parandaluese, por fshihet si informacion, që do sillte minimumi një kujdes të shtuar nga pacientët, që vazhdojnë t’i drejtohen spitalit të Pukës.
Ministria e Shëndetësisë po provohet se është përgjegjësja kryesore e numrave në rritje të infektimeve, pasi janë institucionet shëndetësore publike ato, që po kthehen në vatra infektimi njëra pas tjetrës!!! Dështimi bëhet spektakolar, kur qytetarët kanë sakrifikuar duke respektuar izolimin total, teksa kërcënoheshin me gjoba e burgosje.
Zonja ministre e shëndetësisë, je direkt përgjegjëse për këtë situatë të pas hapjes! Militantizmi me të cilin ke infektuar edhe drejtues militantë të shëndetësisë, si në Pukë, të cilët bëjnë presion për të fshehur realitetin është skandaloz dhe kriminal! Po luan rëndë me sigurinë e shëndetin e njerëzve, sepse e para ti, nuk menaxhon dot respektimin e protokolleve në institucionet që ke në varësi!”
Deri më tani në vend janë shënuar 36 viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 1,464 persona.