Duket se kryeministri Edi Rama do ta mbesë në klasë Shqipërinë në provimin para BE-së. Grupi Parlamentar PPE ka dorëzuar sot një amendament për rezolutën mbi Ballkanin Perëndimor e cila miratohet këtë javë në plenaren e Parlamentit Europian, ku thuhet se ”Shqipëria të përmbushë 15 kushtet para Konferencës Ndërqeveritare”.
Lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe ish-Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila thotë se do të ishte mirë që kreu i qeverisë, Edi Rama të ndal kokëfortësinë dhe të përgjigjet me rezultate konkrete.
”Sa më parë të pranojë qeveria kushtet, aq më shpejt mund të rifitojmë kohën e humbur. Nëse Kryeministri nuk do të replikonte me forcë për të mohuar 15 kushtet, nuk do të ishte e nevojshme për amendamente shtrënguese që kërkojnë plotësimin e të gjitha kushteve para konferencës së parë ndërqeveritare”.
Postimi i plotë
15 kushtet e Shqipërisë për negociatat janë kthyer në luftën e madhe mes Kryeministrit dhe institucioneve të BE, ndërkohë që duhet të ishin udhërrëfyesi i qeverisë!
Sa më parë të pranojë qeveria kushtet, aq më shpejt mund të rifitojmë kohën e humbur. Nëse Kryeministri nuk do të replikonte me forcë për të mohuar 15 kushtet, nuk do të ishte e nevojshme për amendamente shtrënguese që kërkojnë plotësimin e të gjitha kushteve para konferencës së parë ndërqeveritare!
Nëse Shqipëria u mëshirua me një “Po” në parim për negociatat, kjo nuk do të ndodhë me konferencën e parë apo celjen e kapitullit të parë, që në fakt do të shënonte fillimin e vërtet të procesit të negociatave.
Do të ishte mirë të ndalej kokëfortësia dhe të përgjigjemi me rezultate konkrete. Kemi humbur kohë pafund dhe vonesa të tilla rëndojnë në të ardhmen e vendit!