Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i ftuar në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT e cilëson të papranueshëm ndalimin e koalicioneve, që sipas tij i rrezikojnë pushtetin kryeministrit Rama.
“Opozita aksidentale i bën shërbimin e fundit Ramës përkundrejt benefiteve që kanë marrë nga pushteti i korruptuar i tij. Ky shërbim zbulon djallëzinë e Ramës dhe arbitraritetin. Nuk mund të pengohet dhe nuk ka sesi të pengohet bërja e koalicioneve. Në asnjë vend europian, kjo nuk pengohet. Statistikat e nxjerrin Ramën humbës në raport me koalicionet opozitare. Fronti opozitar ka numrin më të madh të votave edhe në numërimin më të suksesshëm që ka pasur Rama. Ai sot është i vetëm dhe ka disa shërbëtorë brenda Parlamentit. Deputetët e rinj janë aty për t’u shëbyer interesave të veta. Marrëveshja që u firmos ka marrë formën përfundimtare. Nuk është realizuar kërkesa jonë për qeverinë tranzitore. Parlamenti ka për detyrë të kalojë atë draft pasi është vendimmarrje politike. Përdorimi i opozitës aksidentale veçse e diskrediton Ramën”, tha ai.
Sa u takon protestave të maturantëve për testin e gjuhë-letërsisë, Boçi tha se ministrja e Arsimit duhet të dorëhiqet.
“Përgjegjësia i takon ministres. Ajo duhej të kishte dhënë doreheqjen. Nuk i është kërkuar nga opozita, i është kërkuar nga nxënës, mësues dhe specialistë, njerëz që nuk kanë të bëjnë me politikën, por që përfaqësojnë shkencën”, tha ai.
Boçi tha se gjatë qeverisjes së PD-së, arritjet sidomos në fushën e arsimit të lartë kanë qenë spektakolare, por qeveria socialiste ndryshoi gjithçka me ligjin për arsimin e lartë.
“Arritjet gjatë PD kanë qenë spektakolare në arsim. U ndryshuan pas 2013, ka pasur trend rritës nga buxheti i shtetit për arsimin. Ka pasur një qasje ndaj një tregu të lirë, tregu ishte në fillimet e tij. Selektimi bëhej në formë ligjore, është gara ajo që përcakton. Ajo që shkatërroi arsimin e lartë ishte ligji i arsimit të lartë”, tha ai.