Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në artikullin e saj me titull “Të fitosh pikë në Ballkan” thekson, se një takim ballkanik në Shtëpinë e Bardhë, sipas administratës së Trumpit do të duhet të sjellë lëvizje në konfliktin e ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë. “Trump und Grenell vendosën tani të veprojnë pa BE, me sa duket me shpresën e një suksesi në politikën e jashtme gjatë fushatës zgjedhore për presidentin amerikan.”
BE nuk ka arritur të gjejë një gjuhë të përbashkët për Kosovën, shkruan gazeta gjermane. “Por në tërësi BE nuk ia ka dalë kurrë të zhvillojë një politikë të njësuar për Kosovën. Pesë vende anëtare, Spanja, Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia -nuk e njohin Kosovën.” Prandaj si në Prishtinë edhe në Beograd ndërkohë po i besohet më shumë SHBA-së, nënvizon Süddeutsche Zeitung. “Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha, se administrata e Trumpit është më mirë për Serbinë, se një qeveri amerikane nën lidershipin demokrat. (…) por në një kohë që presidenti Thaçi shpreson në njohjen e Kosovës nga Serbia, presidenti serb Vuçiç e përjashtoi këtë të martën qartësisht.”
SHBA i anashkalon europianët
Edhe gazeta austriake “Die Presse” i kushton vëmendje njoftimit të të ngarkuarit amerikan për Kosovën e Serbinë, Richard Grenell për takimin në Uashington. Nën titullin “Europianët lejojnë që t’u zerë vendin SHBA” gazeta austriake shkruan të mërkurën, se “problemi për BE është: SHBA edhe këtu planifikojnë të veprojnë vetëm. Europianët rrezikojnë të anashkalohen në gjetjen e një zgjidhjeje. (…) BE nga ana e saj ka qenë gjithmonë krenare për të ashtuquajturën pushtet i butë. Anëtarësimi në BE është qëllimi i deklaruar i të gjitha vendeve europianojuglindore. Perspektiva për këtë ka qenë një kohë të gjatë motori për reforma dhe vetëpërmbajtje në krizat lokale.(…)Por ndërkohë yjet e BE-së nuk po shkëlqejnë si më parë. Maqedonia e Veriut megjithë ndryshimin e emrit u mbajt varur kur erdhi fjala për hapjen e negociatave, gjë që nuk e forcoi besimin tek BE. Në Kosovë ka zemërim, se qytetarët ende nuk lejohen të udhëtojnë pa viza në BE. Në të njëjtën kohë aktorë si Kina dhe Rusia kanë zgjeruar influencën e tyre në Ballkan. Dhe zotëria në Shtëpinë e Bardhë gjithnjë e më pak e vret mendjen për sensibilitetet e partnerëve europianë. Pavarësisht, se çfarë do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington: Pasojat i ka Europa. Ka ardhur koha që shtetet e BE-së të angazhohen më shumë.”
Nuk ka një zgjidhje të shpejtë për probleme të komplikuara
Edhe gazeta “Neue Zürcher Zeitung”, NZZ është e mendimit, se presidenti Trump po e le jashtë BE në negociatat për Kosovën. Richard Grenell habiti të hënën në mbrëmje me pohimin, se do të ketë një takim të dy vendeve më 27 qershor në Uashington, nënvizon NZZ. “Prej një kohe të gjatë është e bërë e dukshme që qeveria nën presidentin Trump kërkon të arrijë suksese me çdo çmim në marrëdhënien e komplikuar mes Kosovës dhe Serbisë.”
Bashkimi Europian ende nuk e ka komentuar zyrtarisht iniciativën e Richard Grenell, nënvizon gazeta zvicerane, duke shtuar se “që Grenell pak orë para mbërritjes së Lajçakut publikon bisedime në SHBA është një shkelm i fortë në kërci të europianëve, pavarësisht, se në Uashington fillimisht do të flitet vetëm për çështje ekonomike.”
Po sipas “Neue Zürcher Zeitung” ky njoftim “bën para së gjithash të qartë, se sa larg një strategjie të njësuar janë aktualisht BE dhe SHBA që për dekada me radhë ndiqnin të njëjtat synime të rajon.” BE është vetë përgjegjëse për humbjen e influencës së saj në Ballkan, thekson gazeta. “Por sipas vëzhguesve edhe perspektivat afatgjata të iniciativës amerikane janë të zymta (…) Faza më e re e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës zgjat që prej dy dekadash. Një ‘quick fix’- zgjidhje të shpejtë sipas dëshirës së presidentit amerikan nuk ka për problemet e komplikuara të rajonit.”/ DW