Vilma Nushi, e cila është një nga biznesmenet përfituesja më e madhe nga qeverisja e Edi Ramës, me shifra të fryra, duket se po vihet në lëvizje për të shkrirë, apo shitur një pjesë të aksioneve të saj në disa prej kompanive.
Burimet bënë të ditur për FaxWeb se, bizneset e Nushit që shiten dhe blihen brenda vetë anëtareve së familjes së saj, duket se po tentojnë të fshehin çdo gjurmë, në rast se do të ketë një hetim ndërkombëtar për të parë mënyrën sesi kanë marrë para nga Buxheti i Shtetit, dhe procedurat që janë ndjekur në tendera.
Në dokumentin që do të shihini më poshtë, shihet se Nushi Nushi ka shitur plotësisht aksionet e ”Riofarma SHPK”, që administrohej nga kunati i saj Edmond Hido, te vetë firma Trimed e cila po ashtu është në pronësi të saj. Në vendimin e Autoritetit të Konkurencës, thuhet se shitja është bërë në datën 20 Maj të këtij viti, me skemën “Përthithje”, edhe pse nuk ka asnjë raport lidhur me të ardhurat, apo kapitalet e kësaj kompanie.
Dyshimet janë se shkrirja dhe zhdukja e kësaj firme nga regjistri tregtar, lidhet me faktin se ”Riofarma SHPK”, është përdorur nga vetë Nushi si pjesë në tendera fiktivë, në mënyrë që fituese të shpalleshin kompani të tjera të saj.
Mësohet se kjo kompani ka qenë pjesëmarrëse në garë, në 80% të tenderave, ku fituese nuk kanë dalë as më shumë dhe as më pak, se bizneset e tjera të vetë Vilmës, apo motrës dhe mbesës së saj. Kjo është një skemë e paligjshme, se duket që legjitimon garën në tendera, por në fakt është fiktive sa kohë që Riofarma nuk paraqet asnjë lloj oferte, qoftë edhe ekonomike.
Njoftimi per shitjen e aksioneve te kompanise Riofarma, e blere nga Trimed, te dyja ne pronesi te familjes Nushi
Më herët Nushi kishte ndjekur pothuajse të njëjtën procedurë dhe me aksionet e saj në kompaninë Trimed. 3 vjet pasi kishin fituar koncensionin e “Check UP”, ajo shiti aksionet e saj për vlerën 300 mijë euro, tek një shtetas britanik, i identifikuar si Dominic Noel Ëilliam Evans, për të cilin thuhet se është bashkëshorti i mbesës së saj, Ledina Hido (vajza e Majlinda Hido, motra e Vilma Nushit).
Duke qenë se Nushi ka të paktën 5 biznese në fushën e farmacisë dhe të farmaceutikës, ajo është kujdesur që kompaninë më të madhe të saj “Marketing & Distribution”, të mos e përfshijë në shumë prej garave, duke u mjaftuar me koncensionin 120 milionë euro të check-up.
Duke iu referuar të dhënave të ‘Opendata”, kompania “Marketing & Distribution” ka fituar rreth 60 milionë lekë të vjetra në tendera të ndryshëm, gjatë periudhës 2015-2019. Por, shumë më ndryshe është situata me “Trimed”. Kjo kompani është në top-listën e 5 kompanive që kanë fituar më shumë tendera në Shëndetësi, sipas të dhënave të “openprocurment”.
Për periudhën 2015-2019, “Trimed” ka përfituar në total mbi 8 miliardë lekë të vjetra (rreth 7 milionë euro) në plot 904 kontrata me sektorin e Shëndetësisë. Në bazë të të dhënave zyrtare, “Trimed” rreth gjysmën e kontratave i ka fituar në procedura ku ka qenë konkuruese e vetme.
Në total, Vilma Nushi dhe familja e saj llogaritet të përfitojnë rreth 130 milionë euro, deri më tani nga paratë e shqiptarëve. Nga këto, 120 milionë euro do të arkëtohen periodikisht vit pas viti, nëpërmjet kontratës koncensionare, deri në vitin 2024. Ndërsa rreth 7 milionë euro të tjera janë përfituar, deri më tani, nga tenderat e kompanisë “Trimed”, e kontrolluar në 50% të saj nga nipi i Vilma Nushit.
Kujtojmë se tenderi më i lakmuar i saj ka qenë ai i Check up, për të cilin veç akuzave të bëra publike nga Partia Demokratike, ka pasur dhe një kallzim në SPAK, apo hetim në KLSH, por që derimë tani asgjë nuk është nxjerrë në dritë prej tyre.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimit, ka zbuluar se qeveria shqiptare i ka paguar kompanisë koncesionare, 4.7 milionë euro për kontrolle të pakryera deri tani. “Në total koncesionari ka përfituar në mënyrë të padrejtë në 455 mijë raste koston fikse të kontrolleve të pakryera për këtë shërbim, si dhe TVSH-në e të gjitha faturave”, thuhej në raportin e KLSH-së, në vitin 2017.
Në pritje të një hetimi të plotë për tenderat, Nushi duket të jetë një hap para, duke nxjerrë jashtë tregut disa prej kompanive, me shpresën se gjurmët e tyre nuk do të hetohen kurrë.
RD