Silva Caka: “Venecia” konstatoi përfshirjen diabolike e të qëllimshme të Dvoranit për kapjen e Kushtetueses

0
138

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka flet në një intervistë për “standard” mbi opinionet përfundimtare të Komisionit të Venecias mbi çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas saj, ky opinion faktoi antishtetin që po vendos Edi Rama me qeverinë e tij.

Më tej Caka komentoi edhe rezolutën e Parlamentit Evropian dhe diskutimet në Komisonin e Punëve të Jashtme të këtij parlamenti, duke pohuar se edhe një herë propaganda rilindase doli zbuluar.  “Problemet tona, kryesisht ato me krimin e organizuar dhe trafiqet me origjinë Shqipërinë, i kanë kaluar kufijtë tanë, duke u kthyer problem për vendet e tjera Europian, të cilat nuk e tolerojnë një çmenduri të tillë.”.

Ndërkaq ish-deputetja e LSI-së komenton edhe debatet mes palëve për reformën zgjedhore, ku thekson se Rama i trembet zgjedhjeve të lira si djalli temjanit e po bën ç’të mundet për t’i kapur edhe zgjedhjet e ardhshme.

 

Para pak ditësh u zbardhën zyrtarisht opinionet përfundimtare të Komisionit të Venecias mbi çështjen që krijoi një përplasje të fortë institucionale në vend, siç ishte ajo për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Cili është vlerësimi juaj për këtë opinion?

 

Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias faktoi antishtetin që po vendos Edi Rama me qeverinë e tij dhe me funksionarë të pushteteve të tjera, siç është konkretisht ish kreu i KED-së, Z. Ardian Dvorani. Në Opinion, Komisioni i Venecias shprehej qartë se procedura e betimit përpara Presidentit, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është tipar i regjimeve kushtetuese dhe parakusht për fillimin e detyrës. Çdo projektligj tjetër që tenton të ndryshojë këtë procedurë, ka si synim të vetëm ndryshimin e regjimit, nga kushtetues, në antishtet. Gjithashtu, Komisioni i Venecias ishte shumë i qartë, duke na ndihmuar të gjithëve të kuptojmë edhe një herë, se cila është radha që duhet respektuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe se cili është organi i radhës së emërtesës, duke faktuar kështu se Kuvendi I Shqipërisë, tejkaloi me vetëdije të plotë kompetencat e tij, kur tentoi të merrte kompetencat që i takonin Presidentit. Megjithatë, në gjykimin tim, çështja më e rëndësishme dhe e nxehtë, mbetet konstatimi në këtë Opinion, i përfshirjes diabolike dhe të qëllimshme të ish Kreut të KED-së, për prishjen e balancave në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias argumentoi se Z. Dvorani ka vepruar në paligjshmëri të plotë, edhe pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme nga institucioni i Presidencës. Për këtë arsye, Opinioni i Venecias, duhet të shërbejë si etalon për drejtësinë shqiptare e të orientojë SPAK-un drejt një vendimmarrjeje të shpejtë e të drejtë. Në këtë kontekst, siç e kam shprehur edhe më parë, gjykoj se po kaq përgjegjës sa ish kreu i KED-së, është edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, i cili jo vetëm që nuk iu përgjigj shqetësimit të Presidentit për kalimin e afateve të përcaktuara, por këmbënguli në paligjshmërinë e tij, duke shkaktuar anarki në Gjykatën Kushtetuese.

 

Po lidhur me vendimin e KLGJ e cila shkarkoi Ardian Dvoranin nga Gjykata e Lartë, si do ta gjykoni?

Vendim i vonuar! Madje do të thosha se ajo që i parapriu vendimit të shkarkimit të Z. Dvorani, pra i referohem kërkesës për opinion që KLGJ i drejtoi misionit Euralius, do të përligjte shkarkimin për paaftësi të të gjithë anëtarëve që votuan pro kërkimit të opinionit të Euraliusit. Ju kujtoj që gjatë shqyrtimit të kandidaturave për formimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, për çdo kandidat, në Kuvendin e Shqipërisë, erdhi edhe opinioni i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ato opinione, përveçse evidentonin faktin që shumë prej kandidatëve nuk plotësonin kriteret kushtetuese dhe ligjore për pozicionin e anëtarit të KLGJ-së/KLP-së, informonte që pothuajse të gjitha kandidaturat e ardhura, nuk kishin një platformë prezantuese, ose kishin një platformë prezantuese të dobët. Kjo në fjalë të thjeshta përkthehet në mungesë informacioni lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të institucionit, kompetencat e tij e njëkohësisht, në mungesë vizioni lidhur me zbatimin e detyrave funksionale. Për këtë arsye, por edhe duke marrë në konsideratë proçesin qesharak të përzgjedhjes së tyre, e kam të qartë se veprimtaria e tyre do të karakterizohet në rastin më të mirë nga paaftësia e në rastin më të keq nga përulja e shërbimi ndaj atyre që e bënë të mundur përzgjedhjen e këtyre anëtarëve.

 

Cili është komenti juaj mbi rezolutën e Parlamentit Evropian e cila zyrtarizoi 15 kushtet ndaj Shqipërisë para nisjes së negociatave për anëtarësim?

 

Për mua këto kushte përkthehen në 15 hapa pas për Shqipërinë. E nisëm procesin me 5 kushte dhe sot jemi me 15 të tilla, të cilat tregojnë realitetin tonë të hidhur e njëkohësisht na largojnë gjithnjë e më shumë nga Bashkimi Europian. Nuk ka nevojë të merrem me gënjeshtrat e Kryeministrit, i cili duke belbëzuar përbetohet se nuk ka kushte shtesë, pasi gënjeshtrën e tij të madhe e zbuluan 532 eurodeputetët, të cilët votuan pro vendosjes së 15 kushteve për Shqipërinë.

Vlen të theksojmë se në këtë numër kaq të madh eurodeputetësh, kishte edhe eurodeputetë që përfaqësojnë partitë simotra me Partinë Socialiste, duke rrëzuar përtokë propagandën e Ramës, se është opozita ajo që lobon dhe ”nxin faqen” e Shqipërisë në botë. Faqen e Shqipërisë në Europë e më gjerë, e nxin mungesa e demokracisë, antishteti i instaluar, tonelatat e kanabisit e kokainës të mbjella e të eksportuara nga Shqipëria, trafiqet e tjera të paligjshme, pandeshkueshmeria e kriminelëve votimet moniste e shumë elementë të tjerë kriminalë, që janë kthyer në kryefjalën e qeverisjes së Edi Ramës.

Gjithashtu nuk mund të rri pa përmendur edhe diskutimet e eurodeputetëve në Komisionin e Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, të cilët folën me seriozitet për pothuajse gjithë çështjet që shqetësojnë sot shqiptarët dhe që thyejnë gjithë makinerinë e propagandës së kësaj qeverie, e cila e ka harruar me kohë thelbin dhe e vetmja gjë për të cilën shqetësohet, është forma dhe dukja. Gjithsesi, kalbëzimi i çdo qelize të shtetit tonë nuk është më një çështje kombëtare. Siç kemi paralajmëruar, problemet tona, kryesisht ato me krimin e organizuar dhe trafiqet me origjinë Shqipërinë, i kanë kaluar kufijtë tanë, duke u kthyer problem për vendet e tjera Europian, të cilat nuk e tolerojnë një çmenduri të tillë.

 

Ndërsa palët siguruan një marrëveshje për reformën zgjedhore në Këshillin Politik, debati ka ngecur te kompozimi i KQZ. Ju si e shihni çështjen e reformës dhe sa do ndikojë ajo në gjykimin tuaj në minimizimin e atyre që tashmë edhe ndërkombëtarisht njihen si “krime zgjedhore”, referuar votimeve në 2015 dhe 2017-ën.

 

Ne mbetemi të bindur që për të parandaluar krimet zgjedhore, së pari duhet të dënojmë ato paraardhëse, pra duhet të çojmë përpara drejtësisë dhe të marrim shumë seriozisht ndëshkimin e atyre që kanë kryer krime elektorale në proceset e viteve 2015-2016 (zgjedhjet e pjesshme vendore të Dibrës) dhe 2017. Nëse do të tregohej vullnet i mirë për ndëshkimin e atyre krimeve, të jeni të bindur që standarti do të ngrihej dhe precedenti vështirë se do të përsëritej.

Mirëpo për aq kohë sa ndëshkimi nuk vjen, përkundrazi, këta njerëz gëzojnë suport politik dhe gjyqësor, duke bërë cirk me dosjet e tyre, pasoja e vetme që do të kemi, do të jetë qeveri ilegjitime, Parlament ilegjitim, institucione të kapura, polici kriminale, administratë të politizuar dhe shumë kushte të tjera nga Bashkimi Europian.

Në gjykojmë që në këtë aspekt ka shumë për të bërë, por le të fillojmë me eleminimin e një elementi që ka bashkëshoqëruar zgjedhjet gjithnjë, siç është mbushja e kutive të votimit me vota fiktive. Jemi të bindur se identifikimi biometrik do të na ndihmojë tej mase në këtë aspekt.

Gjithashtu, në propozimet tona në Këshillin Politik, kemi parashikuar edhe modalitete të ndryshme që lidhen me sanksionet ndaj keqpërdorimit të aseteve dhe administratës publike për qëllime elektorale, rritjes së ndëshkueshmërisë ndaj personave që kryejnë krime elektorale, deklarimi i financimeve private e disa propozime të tjera, të cilat në total reduktimin deri në zhdukje të krimit elektoral.

Ndërsa përsa i përket formimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kam bindjen se po bllokohet, me qëllimin e vetëm të kapjes së tij. Edi Rama i trembet zgjedhjeve të lira si djalli temjanit e po bën ç’të mundet për t’i kapur edhe zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, Reforma Zgjedhore do të miratohet ashtu siç u firmos nga palët në Këshillin Politik e siç mori bekimin nga SHBA-të dhe BE.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here