Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho i konsideron kembane alarmi deklaratat e fundit në Parlamentin Evropian për Shqipërinë.
Sipas saj, Komisioni i Venecias qartësoi se veprimet e Presidentit Meta për emërimet në Gjykatën Kushtetuese ishin të drejta.
Erisa Xhixho tregon për Report TV edhe se çfarë po ndodh brenda kësaj force politike për përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhje.
Janë apo nuk janë 15 kushtet për hapjen e raundit të parë të bisedimeve me Bashkimin Evropian? Kjo dilemë nuk duhet të anashkalojë përgjegjësitë që ka qeveria për ti plotësuar të gjitha. Është ky qëndrimi i nënkryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho sipas të cilës kryeministri duhet të nisë nga puna në vend që të mohojë ekzistencën e kushteve.
“Kjo maxhorancë e qeveri duhet të krijonte një plan veprimi për përmbushjen e këtyre detyrimeve, pasi flasim për një interes kombëtar dhe përgjegjshmëria nuk erdhi me një tavolinë dateline-sh për përmbushjen e këtyre detyrimeve, por përkundrazi u përdor si strategji për të mohuar ekzistencën e këtyre kushteve, duke shkuar në anën e kundërt të interesit kombëtar. Deklaratat e fundit në PE janë një kambanë alarmi për procesin e integrimit dhe tregon sesa e ka larguar ky kryeministër Shqipërinë nga integrimi”, tha Xhixho.
Nuk i heq asnjë presje deklaratave të presidentit se ‘Vencia’ i dha të drejtë atij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Kërkon që edhe mazhoranca ta lexojë me të njëjtët sy.
“Përsa i përket raportit të Komisionit të Venecias për betimin, ajo e thotë shumë qartë se kur mund të ndryshohet Kushtetuta, apo procesi i betimit sepse ai nuk është thjesht një moment solemn, por edhe filtri i fundit i procedurave që ka kaluar gjyqtari që pretendon të emërohet në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që raporti i Komisionit të Venecias dhe momenti ku ai reflekton Vettingun duke shprehur rezerva si një proces që duhet rishqyrtuar, si një proces që ka lënë jashtë funksionit Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Xhixho.
Pothuajse të gjitha partitë politike kanë nisur përgatitjet për fushatën elektorale. Siç ka konfirmuar më herët Report Tv Lëvizja Socialiste për Integrim ka ngritur një strukturë të ngjashme me Vettingun për përzgjedhjen e kandidatëve brenda kësaj force politike. LSI ka zgjedhur që të hapë dyert jo vetëm për shqiptarët brenda vendit por edhe ata që jetojnë në Evropë, SHBA dhe në Australinë e largët.