Zhvillimet e fundit dramatike në Kosovë kanë nxjerrë në pah edhe karaktere dhe kute të ndryshme që përdorin politikanët dhe media të caktuara, në të dyja anët e kufirit. Në këtë vëzhgim të ftohtë po hedhim prozhektorët mbi Hashim Thaçin, Ramush Haradinaj dhe Edi Ramën. Do të shohim se si për të njëjtën çështje, situatë të ngjashme dhe mbi të njëjtin argument, kemi prej tyre kute morale dhe politike, krejtësisht të ndryshme.
Presidenti Hashim Thaçi ditën e djeshme, duke njoftuar anulimin e vizitës në Uashington, ka nxituar njëkohësisht që ta bëjë të qartë se nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen.
“Nëse më vjen ftesa, do të përgjigjem. Nuk jap dorëheqje nga presidenti. Pse të jap dorëheqje? Intervistimi është normal. Janë intervistuar ministra, ish-kryeministra, kryetarë komunash. Të gjithë duhet të shkojnë në shtëpi?. Aty shkon qytetari dhe jo Presidenti”, ka deklaruar Thaçi.
Alibinë e mosdhënies së dorëheqjes nga posti i presidentit si një akt përgjegjshmërie dhe morali ndaj popullit të Kosovës deri sa të vërtetohen apo të hidhen poshtë akuzat e prokurorit special, Hashim Thaçi e ndërton në dy kolona.
Ai kujton se përpara tij në të njëjtën situatë kanë qenë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, si ministra apo ish-kryeministra. Rasti më i bujshëm i ngjashëm me këtë të Thaçit ka qenë ai i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka qenë dy herë në Hagë.
Por herën e fundit, në korrik të vitit 2019, Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit edhe pse nuk ishte i akuzuar si Thaçi tani, por thjesht i thirrur për t’u intervistuar.
Haradinaj, pavarësisht kësaj, la postin duke deklaruar se nuk donte që çështja e tij të ishte edhe një faturë negative për Kosovën.
Sot Hashim Thaçi nuk e ka guximin që të bëjë aktin e Haradinajt dhe nuk e sheh si një faturë për Kosovën qëndrimin në detyrën e presidentit, edhe pse po akuzohet për 100 vrasje dhe veprimtari kundër popullit të tij.
Kolona tjetër e alibisë së Thaçit për të mos dhënë dorëheqjen qëndron te fjalët: Aty shkon qytetari dhe jo Presidenti!
Nëse është kështu, pra se kemi të bëjmë vetëm me qytetarin Hashim Thaçi, atëherë përse i gjithë enturazhi i tij politik dhe mediatik përfshi edhe mikun e tij në Tiranë, Edi Ramën, kanë nisur një fushatë të fortë për të njësuar Hashim Thaçin me UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për liri dhe vetëmbrojtje, të njohur ndërkombëtarisht si e tillë?!
Pra Thaçi, një ish-zëdhënës dhe udhëheqës politik i UÇK-së i cili më së shumti akuzohet për krime pas luftës, duket se ka diferencë të madhe morale dhe politike me Haradinajn, në situata të ngjashme.
Gjithsesi akuzat jo vetëm për Thaçin, por për këdo që ka qenë pjesë e luftës epokale për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duhet të demontohen jo duke u fshehur pas gjakut dhe kauzës së drejtë, por duke u përballur pa asnjë lloj imunitetit.
Njësoj si Hashim Thaçi, na shfaqet edhe miku dhe ortaku i tij në Tiranë, Edi Rama: Dy kute e dy këndvështrime të ndryshme për të njëjtën çështje.
Kur thirret për intervistë Ramush Haradinaj në Hagë, sipas Ramës është sfidë e tij personale. Kur akuzohet Hashim Thaçi për krime teje të rënda, të cilat ende nuk i dimë nëse i ka bërë për hesap të pushtetit të tij absolut në këto 20 vite apo për ‘hir’ të Kosovës, sipas Ramës kemi të bëjmë me nderin e luftës çlirimtare të cilin duhet ta mbrojnë të gjithë shqiptarët.
“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK,janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20 vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre”, shkruante Rama në korrik të vitit 2019 për Haradinajn.
Kështu e shihte “Rambon” në Hagë Edi Rama, kurse tani që në këtë histori është përfshirë keqas miku i tij, kemi të bëjmë me nderin e Kosovës dhe jo fatin personal të Hashim Thaçit.
“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time!
Do të shprehem publikisht nesër(sot) me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta ç`prangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Millosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës!
RROFTË KOSOVA dhe sot më shumë se kurrë NDERIM UDHËHEQËSVE TË LUFTËS ÇLIRIMTARE”, shkruante Rama dje.
Vini re: Nëse lexon me kujdes tekstin e akt-akuzës që u publikua dje nga prokurori special amerikan, në asnjë rresht nuk përmendet UÇK dhe pozicionet drejtuese të Hashim Thaçit në kohën e luftës!