Rastet me Covid-19/ Në Shqipëri ajo që ndodhi në 3 javë, e njëjtë me shifrat e 3 muajve…

0
102

Në Shqipëri, vetëm në tre javët e fundit rastet e reja me koronavirus, janë thuajse në nivele të njejta me ato të regjistruara përgjatë 3 muajve të parë që nga fillimi i epidemisë.

Deri më sot numërohen 1139 raste, ndërkohë që nga 9 marsi deri më 9 qershor ishin 1263 të tilla.

Ritmet e larta të rasteve nuk po dëshmojnë as një tendencë rënëse. Vetëm 24 orët e fundit u regjistruan 72 të prekur të rinj, në 14 qytete të ndryshme: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë.

Në të gjithë vendin janë aktualisht 963 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Me ritme shqetësuese, po shtohen dhe viktimat. Për tre ditë me radhë, janë shënuar 6 vdekje. Në 24 orët e fundit autoritetet njoftuan se kanë humbur jetën në spital një 70-vjeçar nga Shkodra dhe një 54-vjeçar nga Tirana, të cilët vuanin dhe nga sëmundje të tjera. Në 17 ditët e fundit janë rregjistruar 21 viktima, ndërsa në total janë 55 persona, të cilët janë ndarë nga jeta.

Në Shërbimin Infektiv vijojnë të rriten të shtruarit, e veçanërisht ata në gjendje të rëndë. SIpas të dhënave të mesditës së sotme, në 24 orët e fundit nga 77 pacientë, 15 janë në terapi intensive dhe 2 të tjerë të intubuar.

Rastet me koronavirus, janë përhapur thuajse në të gjithë vendin, dhe të infektuarit po vërehen në ndërmarrje private dhe institucione publike. Ministria e Shëndetësisë vijon të përsërisë thirrjet drejtuar qytetarëve për zbatimin e rregullave të sigurisë. “E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, u shpreh sot Rovena Daja e Institutit të Shëndetit Publik. /VOA/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here