Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço ka zbuluar indeksin vjetor të 2019 duke thënë se ka pësuar rënien më të madhe në 8 vitet e fundit, në 38 pikë nga 100 të plota. Lidhur me këtë fakt, por edhe me situatën ekonomike në Shqipëri, i ftuar në Syri TV ishte eksperti Besart Kadia.
“Dua të theksoj atë që ka thënë ish presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford, i cili tha se, një investitor amerikan u shpreh se, midis të gjithëve vendeve të botës, vetëm në Irak dhe në Shqipëri nuk do të investoja më kurrë. Dhe nëse e thotë një investitor amerikan këtë pafuqi ç’do të thotë për të gjithë investitorët e tjerë, të cilët marrin risqe dhe shteti është palë dhe është abuzues në fuqinë që ka, në mungesë të gjykatave.
Gjykata Administrative nuk funksionin, Gjykatat e tjera janë në proces riformimi dhe në këtë vakuum ligjor shteti ka marrë aq shumë pushtet sa është e pamundur të përballosh këtë përbindësh, me këtë fuqi të madhe që ka, që të jetë i drejtë”, tha Kadia.
Eksperti shtoi se, në një kohë kur jo vetëm vendi ynë, por edhe bota po shkonte drejt një përkeqësimi ekonomik, qeveria shqiptare shpërdoroi para.
“Ne kemi shpenzuar për stadiume. Çfarë do të thotë kjo? Ne këto para i shpërdoruam. Nuk kemi mundësi të rikthehemi pas. Dhe pandemia dhe tërmeti vështirësuan atë çka ishte e vështirë. Ne kishim filluar rënien në fillim të vitit 2019. Indikatorët gjithashtu tregonin se edhe bota po shkonte në vështirësi ekonomike. Në këto kushte ne vazhduam sikur ishim një vend konkurues, që çfarë do që të ndodhë në botë ne nuk do të vazhdojmë të lulëzojmë. Kjo është fatkeqësia e qeverisjes shqiptare. Këto indikatorë do të përkeqësohen akoma më shumë vitin e ardhshëm”, tha Besart Kadia.