Patriot më shumë se vetë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Kjo ishte kronika e vizitës dy ditore të kryeministrit Edi Rama në Kosovë . Me termat “vëllezër”, “shtëpia tjetër”, “bjeshkët” apo “djemtë e malit” , kreu i qeverisë shqiptare hasi në fjalimin e tij për mediat nga aeroporti “Adem Jashari”, nota të forta patriotike.
A thua se është po i njejti Edi Ramë, që kishte ngritur padi ndaj atij që sot e quan sivllaun e tij, Ramush Haradinaj?! Për të qenë sa më i vërtetë në rolin e tij si mbështetësi numër një i luftës për liri, Rama deklaroi sot publikisht se do hiqte dorë nga padia ndaj Haradinaj?! Ajo padi nuk duhej të ishte bërë kurrë z.kryeministër e jo më të thuhet sot me krenari ndër buzë se do hiqet dorë prej saj!
Por le të kthehemi e të analizojmë pak qëndrimin e Ramës ndaj luftës…
Në dy ditët e tij në Kosovë, kryeministri shqiptar foli me aq shumë lavde e krenari për luftën e UÇK-së, sa mbeti pa thënë vetëm pohimi edhe vetë kishte qenë pjesë e saj. Sigurisht këtë nuk mundi ta bënte, nuk ka lajthitur deri në atë masë sa të besoj edhe këtë për veten sic beson se ka qenë një ndër inicatorët kryesorë të lëvizjes për demokraci në vitet ’90!
E megjithatë referimet e Ramës për UÇK-në u dukën aq të afërta, aq të njohura, sa thua se bëhej fjalë për ndonjë nga iniciativat e këshillit rilindas të ministrave në Tiranë. Por “UÇK” nuk është si “KÇK” ( kap ça të kapësh) z.kryeministër! UÇK kishte në thelbin e saj luftën për liri e ndërsa ju zoti kryeministër sot në kohët bashkëkohore konsideroheni si kryeministrit më autoritar i Ballkanit, padyshim së bashku me mikun tuaj Vuçiç!
UÇK nuk mund të trajtohet si nismat antikushtetuese që ju ndërmerrni sa herë që kapeni me presh në duar në tentativat e panumërta në vendosjen e shtetit regjim në Shqipëri.
Dhe së fundmi z.kryeministër, UÇK nuk ka nevojë për mbrojtje nga një shqiptar matanë kufirit, që nën hije, luftoi deri dje për një marrëveshje dypalëshe Kosovë-Serbi me shkëmbim territoresh. Ato troje janë fituar me gjak, nuk mund të lëshohen me lobingje!