Vetëm pak javë më parë, u zbulua se një vajzë 15-vjeçare në Tiranë ishte abuzuar nga roja i shkollës dhe disa të rinj. Denoncimi i rastit solli reagim të fortë nga opinioni publik si dhe u mbajtën dhe disa protesta duke bërë thirrje për forcimin e ndëshkimeve por edhe ndërgjegjësimin e institucioneve përkatëse për këtë fenomen.
Ervjola Osmanaj, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, tregon se rasti i abuzimit të vajzës 15-vjeçare ka ardhur pas ankimimit për të fshirë një video që qarkullonte në internet. Znj. Osmanaj tha më tej, se brenda një jave është bërë largimi i familjes nga banesa për t’i zhvendosur në një tjetër zonë për riintegrimin e tyre.
“Tani jemi në tentativë për të punësuar babain dhe mamanë e vajzës në mënyrë që ta kenë sa më të lehtë procesin e riintegirmit në një mjedis të ri. Janë zhvendosur me ndihmën e bashkisë. Gjendja emocionale e vajzës është shumë e mirë, është shumë e fortë dhe po e përballon shumë mirë, por sigurisht që ka ende nevojë për ndihmën e psikologut”, tha znj. Osmanaj.
Ajo thotë se, për abuzimin e fëmijëve, është e nevojshme që të mos organizohet një protestë sporadike por të bëhet një punë e koordinuar ndërinstitucionale.
“Shoh si problematikë dhunën në shkolla. Kurthem dhunë i referohem dhe dhunës seksuale. Mësuesit, psikologët, nxënësit por edhe prindërit duhet të bëjnë një në punë të gjithë së bashku që të ndërgjegjësohemi mbi fenomene të tilla negative, të cilat duhen denoncuar dhe nuk duhen mbajtur të fshehta”, tha znj. Osmanaj.
Nejlda Peka, Komisionere për Mbrojtjen e Fëmijëve thotë se, mungon një bazë të dhënash nga institucionet për dhunën mbi fëmijët. Ajo shprehet se ka një mungesë kulture për denoncimin e rasteve, që është element bazik në ligjet e vendit.
“Mjafton secili prej nesh, një individ, një person juridik, një OJF, një institucion shtetëror e ka detyrë ligjor detyrimin për raportim”, tha znj. Peka.
“Mentaliteti që ekziston sot në shoqërinë dhe rrethin familja përbëjnë tabu, ndaj është e nevojshme për trajtim sa më të gjerë të kësaj tematike në shkollë”, shtoi Komisionerja për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Një nga kërkesat e përhershme për qeverinë tha znj. Osmanaj ka qenë rritje e buxhetit për arsimin, që të përkthehen në shërbime, pasi përveç arsimit, shkollat duhet të ofrojnë dhe siguri.
Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit tha se, është kërkuar shtimi i psikologëve dhe punonjësve social nëpër shkolla pasi aktualisht një psikolog mund të mbulojë dy deri në katër shkolla.
Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, Alo 116 dhe Alo 111 funksionon 24 orë të shtatë ditëve të javës dhe ofron këshillim nga psikologë dhe punonjës social./euronews.al