Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se edhe dy persona të tjerë kanë ndërruar jetë nga koronavirusi, ndërsa janë konfirmuar edhe 45 raste të reja.
Viktimat janë një 74-vjeçare nga Shkodra dhe një 82-vjeçare nga Tirana, të cilat kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese. Deri tani kanë ndërruar jetë nga koronavirusi 65 persona.
DEKLARATA E PLOTE
Dr. Marjeta Dervishi
Instituti i Shëndetit Publik
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë. Vijon të ketë shtrime të reja në spital me simptoma të rënduara si pasojë e Covid-19, dhe raste të reja pozitive të identifikuara nga epidemiologët në terren.
Fatkeqësisht, një 74-vjeçare nga Shkodra dhe një 82-vjeçare nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në Spitalin Infektiv si pasojë e insuficiencës respiratore progresive, pavaresisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.
Aktualisht në Spitalin Infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 269 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 45 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 21 raste në Tiranë, 10 në Shkodër, 4 në Elbasan, nga 3 raste Delvinë, Kurbin, nga 1 rast në Krujë, Kukës, Lezhë, Sarandë.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar në 1516 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 999 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Numri i rasteve të rritura në 2 javët e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gadishmëri të shtuar, por në të njejtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë bashkëpunëtorë në këtë betejë.
Ju lutemi, respektuar rregullat, duke ruajtur distancën nga njëri tjetri, duke mbajtur maskat në ambientet e mbyllura ku nuk është e mundur të ruhet distanca, duke ruajtur higjienën personale, duke ruajtur veten dhe të tjetër në mënyrë që të kufizojmë sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.
Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid-19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19.
COVID-19 – Statistika (1 korrik 2020)
Testime totale-27303
Raste pozitive-2580
Raste të shëruara-1516
Raste aktive-999
Humbje jete- 65 (Qarku Tiranë 36, Durrës 11, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 9, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë- 367
Durrës- 201
Shkodër- 150
Vlorë- 110
Fier- 47
Lezhë- 42
Korçë- 28
Kukës- 19
Elbasan- 16
Gjirokastër- 7
Berat- 6
Dibër- 6