Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua sot me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Tiranë pas emërimit në detyrën e re. Përpara takimit mes dy delegacioneve në selinë e Partisë Demokratike, kryetari Basha dhe kryeministri i Kosovës, zhvilluan një takim kokë më kokë. Zoti Basha shprehu mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike dhe të opozitës për njëmarveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim njohjen reciproke mes dy vendeve. Kreu i opozitës theksoi besimin e fortë se Kosova do të dijë t’ia dalë mbanë për t’u konsoliduar si një shtet i fortë, demokratik, sovran dhe i pavarur në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian. Duke vlerësuar përvojën personale të jashtëzakonshme të kreut të opozitës në çështjet që lidhen me Kosovën, kryeministri Hoti, solli në vëmendje se shumë procese të rëndësishme shteti i Kosovës i ka kaluar duke patur edhe mbështetjen e PD. Kryeministri Hoti e ftoi kreun e opozitës Lulzim Basha për një vizitë në Kosovë, ftesë e cila u mireprit me kenaqësi nga zoti Basha i cili tha se shume shpejt do ta vizitoje Kosovën
KOMUNIKIMI I PLOTË I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA DHE KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, AVDULLAH HOTI.
Kam kënaqësinë e veçantë t’i uroj mirëseardhjen kryeministrit të Republikës së Kosovës, doktor Avdullah Hotit dhe t’i uroj atij nga zemra në emrin tim personal, në emër Partisë Demokratike, në emër të opozitës së bashkuar dhe, jam i sigurt, në emër të gjithë qytetarëve tanë në Republikën e Shqipërisë, punë të mbarë dhe suksese në misionin e tij në drejtimin qeverisë së Kosovës!
Me kryeministrin Hoti kemi diskutuar sot për një numër çështjesh të rëndësishme.
Së pari dhe mbi të gjitha për sfidat e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. Përshëndeta vendimin e kryeministrit Hoti për ngritjen e Këshillit të Ekspertëve, si një shenjë e qartë e vullnetit politik të qeverisë së re për të ndërtuar një bazë solide të kohezionit politik të të gjitha forcave politike në Kosovë, jo vetëm në funksion të stabilitetit politik të vendit, por edhe në funksion të përparimit me procese të rëndësishme, siç është dialogu midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ku, pa diskutim, Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet objektivat e vendosura nga autoritetet e Republikës së Kosovës, qëllimin, arsyen dhe përfundimin e këtij procesi, njohjen reciproke midis dy vendeve dhe, natyrisht, gjithë aspekteve të tjera me përfitim për qytetarët e dy vendeve dhe më gjerë.
Së dyti dëgjova me interes nga kryeministri Hoti, i cili vjen me kredenciale dhe përvojë politike, por po kështu me background të jashtëzakonshme në fushën e Ekonomisë, mbi planin e tij ekonomik, sa i përket situatës së ekonomisë dhe punësimit në Kosovë, qoftë për tejkalimin e menjëhershme të pasajave të pandemisë COVID, por, po kështu, edhe për vitin e ardhshëm.
Dua t’ju them se, për ne si opozitë, përbën një shembull dhe një frymëzim për mënyrën sesi qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hoti po përgatiten të përballen me këto pasoja për të lehtësuar dhimbjet dhe problemet që kanë shkaktuar tek qytetarët e Kosovës dhe për t’u fokusuar tek zhvillimi ekonomik dhe punësimi, që janë sfidat e Kosovës, por janë, po kështu, sfidat e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që janë edhe më të thella për shkak të COVID-it.
Dua, po kështu, të shpreh besimin tim, bindjen time se nën drejtimin e kryeministrit Hoti dhe me iniciativën e tij dhe mbështetjen e të gjitha forcave politike Kosova do të dijë t’ia dalë mbanë, ka gjithë përvojën, mençurinë dhe kurajon për të ecur përpara, pavarësisht prej situatës politike, drejt një synimi të përbashkët, i cili është një shtet i fortë, demokratik, sovran dhe i pavarur në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian.
Së fundmi, dua të theksoj edhe një herë se në këtë 30 vjetor të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, për mua personalisht si bashkëmoshatar i kryeministrit Hoti, është një kënaqësi e madhe të shoh se, 30 vjet pas këtij gurthemeli të Kosovës, Kosova është e pavarur, ka institucione të konsoliduara dhe ka në drejtim politikanë të zotë, të cilët janë rritur dhe mbrujtur nga idealet e lëvizjes paqësore për pavarësi të Presidentit Ibrahim Rugova, janë kalitur në sfidat e panumërta të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe janë pajisur me dijet, formimin, moralin dhe mendësinë e institucioneve më të mira të Perëndimit, të komunitetit euroatlantik, mishërim i të cilave është edhe kryeministri Hoti, të cilit nga zemra i uroj çdo sukses në sfidat e vështira, por plotësisht të mundshme që do të drejtojë gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Edhe një herë ju faleminderit për vizitën!
KRYEMINISTRI I KOSOVËS, AVDULLA HOTI
Ju faleminderit shumë Kryetar Basha. Unë isha vërtet i nderuar që, bashkë me kolegë të kabinetit, të vizitojmë Partinë Demokratike, të takojmë kryetarin Basha.
Biseduam për sfidat që kemi si qeveri në luftimin e pandemisë, edhe planin tonë për rimëkëmbje ekonomike, por edhe situatën e re të krijuar në Kosovë pas zhvillimeve të fundit dhe qasjen që kemi ne si qeveri, që këto situata të reja t’i përballojmë me maturitetin e nevojshëm shtetëror.
Dëgjuam edhe vlerësimet e zotit Basha me përvojën e tij personale të jashtëzakonshme, por edhe bagazhin komplet të Partisë Demokratike në këtë drejtim. Në shumë procese të rëndësishme që shteti i Kosovës i ka kaluar deri më tash, i ka kaluar duke patur mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike gjatë gjithë kohës.
Pyetje: A keni patur diskutime për taksën e Rrugën së Kombit, pasi zoti Bashaka premtuar se do ta heqë atë?
Kryeministri i Kosovës: Kemi ndarë të gjitha shqetësimet, çështjet që duhet t’i adresojmë si dy shtete, përfshirë edhe taksën e Rrugës së Kombit. Kam zotimin e zotit Basha, që ajo taksë do të hiqet.
Lulzim Basha: Premtimi im qendron. Do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme, heqja e taksës e Rrrugës së Kombit. Sikundër, i kam kërkuar kryeministrit Hoti të bëjmë gjithçka për të ndihmuar sado pak turizmin në këtë kohë të vështirë. Sot paradite kam qenë në Velipojë, gjatë gjithë javës kam vizituar vijën bregdetare dhe kam parë situatën shumë të rëndë të turizmit, që përbën ¼-ën e ekonomisë shqiptare. Të vetmit turistë që takova janë nga Kosova. Shpresoj që, me bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës, do të mundësojmë të kemi një numër sa më të madh turistësh ga Kosova në plazhet tona të bukura, veçanërisht në këtë kohë. Ka shumë punë që duhen bërë nga ana jonë, që nga siguria rrugore, infrastruktura, çmimi i lartë i karburantit. Këto janë çështje që nuk i korrigjoj dot sot, por marr angazhim para medias, opinionit publik të Shqipërisë dhe Kosovës se një nga vendimet e para do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit.
Ju falënderoj shumë edhe njëherë për pritjen dhe ju uroj shumë sukses në punën tuaj shumë fisnike si Kryetar i Opozitës.