Presidenti Ilir Meta i ka dhënë Dr. Panagiotis Koliomichalis, Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Po kush është, Dr. Koliomichalis dhe përse iu dha ky titull? Vetë Presidenti shkruan:
“Për ndihmën e jashtëzakonshme të dhënë për mijëra shqiptarë në Greqi në momente tepër të vështira, si dhe për angazhimin e spikatur në forcimin e miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij grek, pata kënaqësinë të vlerësoja humanistin e shquar arvanitas me origjinë nga Lunxhëria, Dr.Panagiotis Koliomichalis, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Përmes punës humanitare dhe koleksionuese, dhe kryesisht për shkak të prejardhjes së tij të përbërë nga dy shtete fqinje dhe mike, Dr.Koliomichalis ka arritur të ngushtojë distancat artificiale që ekzistojnë shpesh midis dy popujve tanë që janë ndërlidhur qysh në gjenezën e tyre.
Për humanizmin, veprën, kontributet dhe punën e tij të vyer për kombin shqiptar, ne do t’i jemi përherë mirënjohës.”