E dashura e djalit të madh të Presidentit Donald Trump ka rezultuar e infektuar me koronavirus. Kimberly Guilfoyle, dikur pjesë e televizionit “Fox News”, e lidhur me Donald Trump Jr, kishte shkuar në Dakotën e Jugut për të ndjekur fjalimin e Presidentit amerikan dhe fishekzjarret për festën e Pavarësisë së 4 të Korrikut në Mount Rushmore.
Guilfoyle, 51 vjeçe, u izolua menjëherë pasi zbuloi se ishte infektuar pas një testi rutinë, raportoi New York Times. Në një deklaratë për gazetën, Sergio Gor, shefi i stafit në Komitetin e fushatës së Trump, tha: “Ajo po bëhet mirë dhe do të testohet përsëri për t’u siguruar që diagnoza të jetë e saktë, pasi është asimptomatike.”
Ai shtoi: “Si një masë paraprake ajo do të anulojë të gjitha ngjarjet e ardhshme. Donald Trump Jr rezultoi negativ, por është vetizoluar dhe po anulon të gjitha aktivitetet publike”.
Guilfoyle është personi i tretë afër presidentit amerikan që del e infektuar me COVID-19, raportojnë media amerikane.Pandemia ka shkaktuar 130,000 viktima në Amerikë dhe një shpërthim i fundit “vë në rrezik të gjithë vendin”, ka thënë eksperti i lartë i sëmundjes infektive Anthony Fauci.