Nga Erion Dasho
COVID-I DHE MANAXHERËT: KU ËSHTË FSHEHUR DREJTORI I QSUT-SË?!
Prej kohësh ka nisur debati në se shëndetësinë duhet ta manaxhojnë mjekët apo manaxherët. Argumenti kryesor PRO mjekëve është njohja pothuajse ekskluzive e proceseve komplekse të “prodhimit” të kujdesit shëndetësor.
Argumenti kryesor PRO menaxherëve është, çuditërisht, shumë i ngjashëm. Kompleksiteti i të njëjtave procese jepet si argument që mjekët duhen lënë të lirë të merren me pjesën mjeksore, duke përfshirë ekonomistë, juristë, etj. në menaxhimin e pjesës jo-mjeksore. Debati vazhdon.
SHQIPËRIA E KOHËS SË COVID PO JEP NJË ARGUMENT TË FORTË NË FAVOR TË MANAXHERIT MJEK OSE, TË PAKTËN, MENAXHERIT JO-MJEK POR ME NJOHURI TË THELLA DHE SOLIDE MJEKSORE.
QSUT është institucioni kryesor, apo si e kam quajtur në statuse dhe intervista, flamurmbajtësi i sistemit tonë shëndetësor. Për këtë arsye, QSUT pritej të ishte:
1. Vendi më i sigurt lidhur me COVID sepse shërben si pika e referimit për gjithë sistemin tonë shëndetësor.
2. Burimi i protokolleve dhe trajnimeve për gjithë pjesën tjetër të sistemit.
3. Modeli për riorientimin e spitaleve dhe gjithë institucioneve të tjera shëndetësore në epokën COVID.
Jo vetëm që këto nuk ndodhën, por QSUT u kthye në vatrën më të madhe të transmetimit të COVID në vend. Ndonëse nuk janë bërë publike të dhëna të detajuara, media ka raportuar se shumë nga vatrat e COVID gjatë fundit të muajit maj dhe në vazhdim u ndezën pikërisht nga pacientë apo pjestarë të personelit të QSUT-së. Janë me dhjetëra mjekët dhe infermierët e infektuar dhe mjeku i parë që humbi jetën nga COVID ishte një profesor i njohur i QSUT.
NË QSUT KANË DËSHTUAR POTHUAJSE TË GJITHË KOMPONENTËT MJEKSORË APO JO-MJEKSORË TË PËRGJIGJES NDAJ NJË EPIDEMIE.
Nga ana klinike nuk funksionojnë protokollet e parandalimit dhe trajtimit (të cilat edhe në se ekzistojnë nuk janë bërë publikë), auditi klinik i rasteve dhe vdekjeve, depistimi i pacientit para pranimit, testimi para ndërhyrjeve të caktuara, diskutimi publik i shembujve pozitivë (për t’u përdorur si case study mësimorë), përhapja e përvojës së parandalimit që zbatohet në Spitalin Infektiv edhe në spitalet apo shërbimet e tjerë, etj.
Nga ana e shërbimeve mbështetëse ka dështuar disiplina e rrjedhave të pacientëve, stafit dhe furnizimeve, parandalimi i infeksioneve spitalore (si në elementët infrastrukturorë, ashtu edhe sanitarë), zinxhirët logjistikë, shërbimet e hotelerisë (një nga pacientët e shëruar, figurë publike, vlerësonte trajtimin human, por theksonte deri mungesën e ushqimit të mjaftueshëm dhe sapunit në tualete), etj.
Ndërkohë ekipi drejtues dhe vetë drejtori i QSUT-së (i njohur si menaxher në struktura mediatike dhe me studime bazë në shkencat muzikore) nuk janë parë në asnjë prononcim ku të analizohen dështimet dhe të tregohen rrugët që do të ndiqen për përmirësimin e situatës.
QSUT-SË NUK I MUNGOJNË PROFESIONISTËT, NJOHURITË, PAJISJET, FONDET PËR TË RIORIENTUAR INFRASTRUKTURËN DHE AS ATO PËR TË BLERË PAJISJE MBROJTËSE PËR STAFIN NË SASI DHE CILËSINË E DUKUR!
PROBLEMI KRYESOR NË QSUT GJATË GJITHË KËSAJ PERIUDHE KA QËNË DREJTIMI DHE MENAXHIMI I MUNGUAR OSE I GABUAR!
A KA GJASA QË DIKUSH TË MARRË FRENAT E SITUATËS DHE LIDERSHIPIT NË QSUT PËR TA RIKTHYER KËTË INSTITUCION NË ROLIN QË I TAKON?!