Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kane deklaruar pas mbajtjes së Samitit të Parisit, se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të rifillojë më 12 korrik të këtij viti me një videokonferencë dhe po ashtu me 16 korrik do të vazhdohet me takimin e parë në Bruksel.
Deklarata e plotë
Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelarja Angela Merkel organizuan sot një samit përmes videokonferencës me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit evropian për Punë të Jashtme dhe politikë të sigurisë / Nënkryetar i Komisionit Evropian Josep Borrell, dhe Miroslav Lajčák, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale në lidhje me Ballkanin perëndimor.
Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Hoti kanë rënë dakord të rifillojnë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili është ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018. Bashkimi evropian do të vazhdojë të lehtësojë dialogun e tyre, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, me anë të një marrëveshje gjithpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme.
Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Hoti ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në kuadër të punëve që janë në vazhdim e sipër në shumë fusha të propozuara në procesin e Berlinit, si masa të rëndësishme për ndërtimin e besimit midis dy palëve.
Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi hapat e ardhshëm në dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës. Bisedimet midis dy palëve do të fillojnë më 12 korrik me videokonferencë dhe do të pasohen më 16 korrik nga një takim i parë në Bruksel. Ato do të organizohen nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe PSBE Lajčák. Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelarja Angela Merkel inkurajuan Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti të arrijnë përparim substancial në negociata në muajt e ardhshëm.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe ka një rëndësi të madhe për perspektivën e pranimit të dy vendeve në BE. Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelarja Angela Merkel do të mbetet të angazhuar për këtë çështje, në mbështetje të dyja palëve dhe të Bashkimit Evropian, dhe do të jenë të gatshëm të organizojë një samit të ri nëse është e nevojshme në një fazë të mëvonshme në negociata.