Pandemia e Covid-19 ka goditur rëndë ekonominë shqiptare.
Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Arben Shkodra, mendon se qeveria duhet të ndihmojë në mënyrë të drejpërdrejtë sipërmarrjen.
Arben Shkodra: ”Qeveria duhet të na tregojë tashmë me një plan shumë të mirë, të konsultuar dhe të detajuar të rimëkëmbjes, ato procese të cilat nuk i bëri më parë. Ne i kemi kërkuar në paketat 1 dhe 2, të përballjes me pandeminë. Duhet t’i reflektojë në këtë plan të madh të rimëkëmbjes. Duhet të ketë patjetër si investime publike, infrastrukturore, energjitike, në sektorë të ndryshëm, por duhet të ketë patjetër një ndihmë të drejpërdrejtë për sipërmarrjen, të cilën nuk e ka patur. ”
Në një lidhje përmes Skype për ”Ora News”, Shkodra tha se masat të cilat u morën pa u konsultuar me biznesin, nuk patën efektivitet dhe efikasitet, siç ishte garancia shtetërore.
Arben Shkodra: ”Masat që u morën pa u konsultuar me sipërmarrjen, çuan në atë mungesë të efektivitetit dhe efikasitetit të masës, siç ishte garancia shtetërore, që nuk u përdor nga ato biznese familjare, bizneset e mesme dhe të vogla. Ne duhet të ndihmojmë ato të pamundurit. Të gjitha forcat, mundësitë dhe energjitë që ka shteti shqiptar, qoftë me buxhetin e tij, qoftë me donatorët, duhet të përqëndrohen te sipërmarrjet familjare, individët, sipërmarrjet e mesme dhe të vogla.
Sipas tij, problemet e biznesit janë të shumta, pasi ka rënie të konsumit, dhe eksportet kanë shkuar në pikiatë.
Arben Shkodra: ”Problemet e biznesit janë të shumta. Kemi rënie të konsumit i cili pasqyrohet edhe në rënien e të ardhurave të TVSH-së. Kemi rënie të konsumit i cili pasqyrohet, shikohet dhe preket gjatë gjithë kohës në pikat e shtijes. Kemi një problem të madh që ka filluar të lindë përsa i përket shkëmbimit me botën, qoftë në importe, qoftë në shkëmbimin e eksperiencave.”
Shkodra thekson faktin se problemi më i madh është ai i papunësisë dhe do të zgjatet në kohë.
Arben Shkodra: ‘‘Kemi probleme që tashmë kanë filluar të ndihen rëndë, ato të eksportit. Kemi një rënie pikiatë të eksporteve, e cila tregon që kemi filluar të humbim tregje. Këto janë probleme që janë gjatë gjithë kohës. Por problemi më i madh është ai i papunësisë. Ky problem do të zgjatet në kohë dhe do të gërshetohet me elementët e emigracionet. Pra, punonjës të cilët nuk e gjejnë veten në një sistem që nuk i mirëmbajti, do fillojnë të shohin sisteme të tjera punësimi.”