Analisti Mark Marku, duke komentuar në një opinion te Panorama, lëvizjet e Edi rramës për të hedhur në erë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, shkruan se kështu ndodh kur shoqëritë i lejojnë politikanët të shndërrohen në liderë autoritarë.
“Problemi është ky: këta liderë e deformojnë sistemin demokratik në atë shkallë, sa e bëjnë të pamundur rrotacionin politik me votë demokratike. Dhe kur sharmi i liderit totalitar venitet dhe shoqërisë i rëndohet aq shumë pesha e abuzimeve të tij me pushtetin (po asaj shoqërie që e ka inkurajuar ngritjen e tij), sa do ta largojë me çdo kusht tashmë liderin e padëshiruar, shoqëria nuk i ka më instrumentet për ta rrëzuar dhe i duhet ose ta shqisë me dhunë nga poltrona e pushtetit, ose t’i nënshtrohet atij dhe të vazhdojë rënien pafund bashkë me të,” shkruan analisti.
“Me Ramën kemi arritur në këtë pikë dhe kjo po ndodh. Parlamenti Europian, Bundestagu gjerman, ambasada e SHBA-së, OSBEsë, të gjithë aktorët ndërkombëtarë me me ndikim për Shqipërinë, kanë deklaruar qartë dhe prerë si asnjëherë tjetër më parë, vendosmërinë për zbatimin e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore dhe kundërshtinë ndaj përpjekjeve të Kryeministrit Rama për të mos e respektuar atë. Madje, ambasadorja amerikane ka përmendur në mënyrë të qartë nevojën për rrotacion politik, duke e konsideruar atë si “qarkullimi i gjakut”. Edhe pse pjesë e një diskursi “diplomatik”, nuk është e vështirë të kuptohet se rrotacioni politik nënkupton nevojën e alternimit të pushtetit, pra largimin e mazhorancës nga pushteti dhe kthimin në pushtet të opozitës.
Nëse për politikanët normalë një gjë e tillë do të tingëllonte e natyrshme, për Ramën një gjë e tillë tingëllon e pakuptueshme. Sepse Rama tashmë nuk e kupton këtë gjuhë. Rama që njohim tani nuk është më Rama i fillimit, megjithëse shenjat e këtij Rame që njohim tani i kemi parë që në ato fillime (kush ka ditur dhe dashur t’i shohë). Rama është një lider tipik autoritar i zhytur në delirin e vet dhe i bindur se, ashtu siç ka bërë ç’ka dashur me pushtetin duke i marrë të gjitha dhe duke e ushtruar atë në mënyrën më mediokre dhe të rrezikshme të mundshme, të njëjtën gjë mund ta bëjë pafundësisht,” shkruan Marku.
“Për këtë arsye, duhet një strategji e mirmenduar në koordinimin e përpjekjeve për realizimin e objektivit themelor: alternim paqësor i pushtetit, qartësim rolesh dhe objektivash, ku të përfshihen të gjithë ata që e duan një gjë të tillë: partitë politike, faktori ndërkombëtar, shoqëria civile, mediat dhe kryesisht qytetarët. Një lëvizje me objektiva të përcaktuara mund t’i çonte aktorët në rolet e tyre, duke i përfshirë në një ndërveprim që krijon premisat e rithemelimit të demokracisë në vend, duke ridimensionuar marrëdhëniet mes qytetarit, organizatave politike e atyre të shoqërisë civile, shtetit, ligjit,” e mbyll analizën Marku.