Banori më i shquar i katundit në periferi të Tiranës, doli më në fund në skenën e shfaqjes së ndryshimeve kushtetuese. Po ai që në 2008 i mbylli listat, për t’ua hapur ato të fortëve që ranë si mollë të kalbura nga dekriminalizimi dhe mbrojti mbylljen hermetike derisa nuhati mundësinë për t’i trajtuar si një kal Troje në të cilin fshihet pragu 5% dhe ndalimi i koalicioneve, sot aktron si liberator.
Veçse tempi i kësaj vendimmarrjeje, distanca kohore që na ndan nga zgjedhjet e ardhshme dhe shkelja e dakordësisë së 5 qershorit, e vendosën Ramën diametralisht kundër me faktorin ndërkombëtar. Jo vetëm me ‘miqtë e Bashës në Bundestag’, por edhe me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-në. Të gjithë kategorikisht kundër ndryshimeve kushtetuese dhe njëzëri pro kodifikimit të sa mëparshëm të produktit të Këshillit Politik.
Ndonëse kjo sfidë e hapur ndaj aleatëve tradicionalë të Shqipërisë duket si guxim i tepruar i një njeriu që njihet gjerësisht për mungesën e tij; në këtë moment të jetës politike të Ramës, ky potere, ngjason me atë që nisin dhe nuk bitisin kurrë autokratët në tentativë, në prag të humbjes së gjithçkaje. Dhe duke qenë në këtë teposhtë, kaq larg shkëlqimit të dikurshëm, (të qenë apo të pretenduar) nuk mund t’i shpëtojë rebelimit që lind së brendshmi kur ajo që merrej si e mirëqenë, fillon të mos jetë më; e për pasojë, në përpjekje për të shmangur të pashmangshmen, futesh në një spirale gabimesh që nuk bëjnë gjë tjetër veçse përshpejtojnë degradimin.
Duke lundruar në këto ujëra, Rama po kryen gjithsesi një manovër të rrezikshme. Ngase për të mbrojtur pushtetin e tij, po rrezikon edhe integrimin e vendit, pasi faturën për shkeljet e kryeministrit do ta paguajë Shqipëria dhe për pasojë shqiptarët; të cilët Europën nuk e kanë vetëm si një tokë të premtuar, por edhe një tokë që premton mbështetje financiare dhe institucionale për t’i përafruar standardet e këtushme me ato të BE-së. Dhe duke qenë se deri më tani modeli i vetëm për ndryshime kushtetuese në kohë pandemie është Putini, që gjithsesi në Rusi mori një tis shumë të hollë legjitimiteti nga referendumi popullor me të cilin u miratuan manovra të tilla, në zhargonin e betejave nënujore të Luftës së Ftohtë, ‘Ivani i çmendur’. Një emërtim që iu vendos veprimeve të papritura të nëndetëseve ruse, të cilat, për të zbuluar nëse ndiqeshin nga armiqtë, ndërmerrnin lëvizje të befta në 90º ose 180º, duke rrezikuar njëkohësisht të përplaseshin me nëndetësen që i ndiqte.
Dhe përtej gjuhës domosdoshmërisht diplomatike që përdoret nga të huajt në këto momente, lëvizja e çmendur, e rrezikshme dhe polarizuese, ndërhyrje në Kushtetutë më pak se një vit nga zgjedhjet, ka vendosur në mënyrë të paprecedentë në të njëjtin istikam SHBA, BE, OSBE dhe opozitën. Kjo e fundit iu përgjigj ‘Ivanit të çmendur’ në të njëjtën mënyrë me të cilën marina amerikane vepronte me nëndetëset ruse për të shmangur përplasjen, distancim dhe qetësi nëpërmjet fikjes së motorëve. Kësodore, me lënien e Ramës në marrëzinë e vet, opozita e ekspozoi atë përballë qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarëve. Tashmë këta të fundit dinë se garancitë që kërkonte opozita për t’u futur në zgjedhjet e vitit 2017, buronin nga ngjarjet që më vonë do të njiheshin botërisht nëpërmjet Dosjes 184. Po ashtu, dinë se ato që atë mot mund të konsideroheshin paragjykime të opozitës ndaj Ramës ose akuzat e zakonta postzgjedhore të politikanëve shqiptarë, janë sot krime më shumë se zgjedhore që presin prej shumë kohësh hetim, nën siglën e Dosjes 339.
Ndanë këtyre krimeve që presin ndëshkim, kurrikulumi i Ramës është pasuruar me bëma që e kanë kthyer atë në një interlokutor krejt të pabesueshëm për ndërkombëtarët, si dhe në një kosto të papërballueshme për një Rajon që nuk po ua sheh hairin autokratëve.
Dhe nëse ajo që po ndodh me Serbinë e Vuçiç-it është sigurisht një ftesë për reflektim, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjen aspak të lavdishme midis stabilitetit dhe demokracisë, simptomat e shfaqura nga Rama e kthejnë atë në pacientin zero, i cili duhet t’i nënshtrohet një karantinimi ndërkombëtar, pasi investimi i mëtejshëm në figura autoritare, ka potencialin ta ndezë së brendshmi ‘fuçinë e barutit’.
Sigurisht që Rama do të vijojë të bëjë çmos për të penguar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilave iu friket si djalli temjanit. Megjithatë, ndërkombëtarisht i izoluar, iluzionet e dikurshme mbi rolin e tij kanë sosur. Tani Edi Rama mahnit vetëm Surrelin.