Rama, një fund plot frikë

0
133

Nga Armand Shkullaku

Atë që opozita e Lulzim Bashës nuk po arrinte ta krijonte dot, pra frymën e besimit në një fitore të sigurtë në zgjedhjet e ardhshme, po ia mundëson vetë Edi Rama me sjelljet e tij të fundit. Për herë të parë në këto shtatë vite, frika e tij nga një ballafaqim elektoral është më shumë se e lexueshme.

Nëse deri më sot shumica dërrmuese e shqiptarëve ishte e bindur për dështimet e qeverisë dhe degradimin pa kthim të saj, gjithnjë një pyetje ka mbajtur pezull të ardhmen politike të vendit: A mundet opozita të rrëzojë më zgjedhje një regjim autokratik? Të vetëdijshëm për fuqinë e një pushteti që kontrollon gjithçka dhe luan kudo fijet e interesave, që nga bota e krimit e deri tek bizneset klienteliste, që nga mediat e deri tek instrumentat e drejtësisë, që nga paratë e koncensioneve e deri tek opozita fallco në Kuvend dhe po ashtu të vetëdijshëm për mungesën e një fryme entuziaste të opozitës që do duhej të përfshinte gjithë shoqërinë, qytetarët kanë qenë dyshues për mundësinë e largimit me votë të një regjimi.

Por lëvizjet e fundit të Edi Ramës, po heqin çdo dyshim se pushteti i tij mund të mbajë dhe një mandat të tretë. Kryeministri po luan gjithçka, duke rrezikuar edhe mbështetjen ndërkombëtare, për të sajuar një hibrid elektoral që t’i sigurojë avantazhe në tavolinë në mungesë të përparsisë tek shumica e shqiptarëve. Rama po kërkon edhe lista të hapura por edhe gjysëm të mbyllura, edhe prishje të koalicioneve edhe respektim marrëveshje, duke shpikur ca kritere që të kujtojnë ato të tenderave të qeverisë ku fituesit ishin përcaktuar më parë. Ai po kërkon me çdo kusht provokimin e opozitës, me shpresë të dëgjojë prej saj reagimin ekstrem: nuk futemi në zgjedhje.

Mirëpo opozita nuk ka pse të prishë me duart e saj perceptimin si humbës që Rama po i krijon vetes, brenda dhe jashtë vendit. Përgjigja normale e pyetjes së përse kryeministri kërkon të sabotojë koalicionet parazgjedhore, si në Tiranë ashtu edhe në Berlin, është e njëjta: Ka frikë nga një humbje e sigurtë në zgjedhjet e ardhshme. Në vend që të provokojë një bojkot të mundshëm të opozitës, Rama po i dhuron asaj atë që nuk arriti ta krijojë vetë, idenë dhe perceptimin e fitores, të cilën pushteti po përpiqet ta pengojë me çdo mjet. Nëse deri dje, partnerët ndërkombëtarë i shihnin me rezerva akuzat e opozitës ndaj Edi Ramës, tentativat e tij për të futur duart në sistemin zgjedhor edhe me riskun e prishjes me ta, nuk lënë asnjë dyshim se ai bën pjesë në atë rracë politikanësh që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të mos e lëshuar pushtetin.

Asnjë kyreministër në Shqipëri nuk është shndërruar si ky i fundit në një karikaturë që deformohet sipas llogarive e frikërave të momentit. Njëherë del prerë kundër listave të hapura me zë dhe figurë, pastaj bën sikur dëgjon apelin qytetar, më vonë nuk i dalin hesapet me lista të hapura 100 përqind dhe i arnon ato, kërkon të ndalojë të tjerët të bëjnë atë që bëri kur erdhi vetë në pushtet, pra një sjellje politike që përkufizohet vetëm dhe vetëm nga mbajtja e pushtetit me çdo çmim. Aq e ekzagjeruar kjo, sa i ka lënë pa gojë edhe mbështetësit e tij më të flaktë që nuk dinë çfarë varianti të mbështesin më parë. Sepse Edi Rama jo vetëm që po i ndryshon në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës por e bën këtë nën trysninë e llogarive që mesa duket nuk po i dalin në asnjë variant.

Përpjekjet e tij janë bërë aq të lexueshme, sa që edhe brenda vetë Partisë Socialiste ka filluar të ndjehet ankthi i humbjes së afërt. Daljet e shpeshta me orë të zgjatura të kryeministrit për të argumentuar çorbën që po gatuan gjoja në emër të interesit të qytetarëve, dëshmojnë pikërisht pasigurinë e tij në përballje me kundërshtarët në një garë me rregulla të ndershme elektorale. Dhe në këtë qerthull ku e ka futur veten, është e sigurtë që do ta thellojë krizën politike dhe do t’i japë dorën e fundit portretit të tij si një lider autokrat që kërkon të eleminojë konkurrencën politike nëpërmjet lojrave me sistemin dhe makinacioneve proceduriale. Edi Rama e ka futur përfundimisht veten në specien e politikanëve që kur u afrohet fundi, mendojnë të bëjnë gjithçka për ta ndalur atë, ndërkohë që vetëm e shpejtojnë dhe e bëjnë më të sigurtë. Për opozitën kjo ishte ëndrra më e bukur e një nate vere. /Lapsi.al/

Save

Share

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here