EDITORIAL
Si sot 28 vite më parë, në 19 korrik 1992, shpërthimi i një sasie të madhe tritoli në Rrugën “Mariano Amelio” në Palermo, do t’i merrte jetën prokurorit Paolo Borselino dhe pesë truprojave të tij. Mafia arriti të godasë edhe një herë fort shtetin, pas vrasjes makabre të Giovani Falcones vetëm pak muaj më parë kësaj ngjarjeje. Në vitet 1985-1986 Borsellino punoi së bashku me anëtarët e tjerë të grupit, mes tyre kryesori Falcone, për të përgatitur Maksi-Procesin, i cili i zhvilluar në vitet 1986 deri në vitin 1992, çoi prapa hekurave 342 mafiozë.
Borselino së bashku me Falconen, përkujtohen sot e përgjithnjë si dyshja më e fortë e luftës së shtetit kundër mafies italiane, një ndër më të rrezikshmet në glob. Në një thënie të tij, Borselino do të pohonte: “Politika dhe mafia janë dy fuqi që jetojnë në kontrollin e të njejtit territor: ose bëjnë luftë me njëri-tjterin, ose bien dakord!”
E nëse në Itali bashkëpunimi mes mafies e shtetit ishte thellësisht i provuar në vitet 80-90, Shqipëria ende sot vuan pasojat e këtij binomi. Janë të shumta, në gjithë këto vite të pushtetit socialist, të dhënat që na ka ofruar “Rilindja” për një dyshim të arsyeshëm bashkëpunimi mes krimit dhe shtetit.
Mbi të gjitha, dy janë “kryeveprat” e këtij bashkëpunimi: dosjet “184” dhe “339” që provuan katërcipërisht lidhjen mes botës së krimit e shtetit dhe së dyti trafiku i kanabisit. Përmes dosjeve të Dibrës dhe Shijakut u provua jo vetëm në Shqipëri por edhe ndëkrombëtarisht lidhja mes pushtetit dhe krimit, duke synuar tjetërsimin e votës së qytetarëve përmes blerjes, shantazhit dhe vjedhjes!
Sa i takon kanabisit, pas lulëzimit botëror në vitet 2014-2016, u duk se ky fenomen u shua për dy vite në vend . Por realisht siç edhe po tregojnë provat, ai vetëm sa ishte stopuar për t’u rihedhur në treg edhe më fort. Dhe e gjitha kjo valë e re kultivimi dhe tregtimi të marijuanës vjen vetëm 10 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku “Rilindja” e vetëdijshme për humbjen e sigurt që e pret po shfrytëzon të gjitha alterntativat e errëta në dorë për të ndryshuar fatin e saj!
Kështu sipas raportit të Antimafies Italiane, për vitin 2019, të publikuar vetëm pak ditë më parë, Shqipëria renditet e para në Europë për prodhimin e marijuanës dhe paratë e nga aktiviteti kriminal në Itali investohen në Shqipëri në sektorin e turizmit dhe të ndërtimit.
“Shqipëria është kthyer në vendin kryesor tranzit të trafikut të heroinës nga Afganistani e Azia Qëndrore. Grupet kriminale shqiptare luajnë rolin e ndërmjetësuesit dhe importojnë sasi të mëdha kokainë nga Kolumbia për tregun europian. Shqipëria është vendi i parë për prodhimin e marijuanës në Europë dhe renditet ndër vendet e para në botë. Aktivitetit i grupeve kriminale shqiptare shtrihet kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike, në trafikun e armëve, në trafikun e qënieve njerëzore si dhe në shfrytëzimin e prostitucionit që shpesh e kryejnë në bashkëpunim ne grupe të tjera kriminale. Paratë e fituara nga aktivitetit i paligjshëm investohen në Shqipëri, në asetet strategjike si në sektorin e ndërtimit e të turizmit.”, thuhej në përfundimet e raportit të Antimafies Italiane.
Të tilla përfundime janë prova ulëritëse të një fenomeni që vazhdon e vazhdon të rritet me dyshimin e arsyeshëm të mbështetjes nga shteti. Opozita e Bashkuar prej kohësh akuzon forcën politike në pushtet si bashkëpunuesen më të ngushtë të trafikantëve, ndërsa denoncimet ndër vite janë shoqëruar me fakte të shumta.
E megjithatë, përtej betejës politike mes palëve, në sintezë mund të pohojmë se ndërsa propaganda me luftën ‘fake’ ndaj krimit na shfaqet përditë në ekran, nën rrogoz palët nuk janë aq armiq sa duken!