Sekretari për Çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata akuzoi kryeministrin Edi Rama se kërkon t’i mbyllë derën e BE-së vendit vetëm për të mbajtur pushtetin e tij.
I ftuar në News24, në rubrikën “Opinion” Gjata tregoi arsyet se përse opozita pranoi të ulet në Këshillin Politik pas iniciativës së opozitës parlamentare dhe maxhorancës për të ndryshuar kushtetutën. Ai e cilësoi Ramën hipokrit për çështjen e listave të hapura dhe tha se ka hallin e koalicioneve.
“Takimi i sotëm i Këshillit Politi u thirr me kërkesë të PS, z. Rama. Këshilli Politik mbështet mbi dy marrëveshje, e 14 janari në të cilën u ra dakord që reforma zgjedhore të formulohet në këtë Këshillin Politik dhe të votohet nga parlamenti. Reforma u formulua më 5 qershor. Palët u dakordësuan dhe pritej votimi.
Në marrëveshjen e 14 janari ka një pikë që thotë që çdo problem zgjedhor do zgjidhet në Këshillin Politik.
Edi Rama është gati të mbyllë portën e integrimit vetëm për pushtetin e tij. Ne kemi përgjegjësi dhe ndaj u ulëm. Çështja kryesore që po diskutohet është jashtë marrëveshjes së 5 qershorit. Është jashtë çdo logjike, e kemi firmosur dhe është mbështetur nga faktorët ndërkombëtarë.
Rama do të bëjë ndryshime të njëanshme për shkak të pushtetit të tij. Do të heq koalicionet”, deklaroi Gjata.
Ai tha se ne kërkojmë që marrëveshja e 5 qershorit të votohet siç është. “E para jemi pak muaj para zgjedhjeve, OSBE ka thënë të paktën 1 vit para zgjedhjeve. Kemi një marrëveshje të firmosur pse ngre çështje të tjera. Është ngritur dhe çështja e sistemit dhe ka qenë totalisht e papranueshme nga PS dhe listat e hapura. Nuk e ka hallin tek listat e hapura por tek koalicionet.
Nuk insistojmë vetëm ne në marrëveshjen e 5 qershorit. Kemi një Bundestag, një Gjermani të tërë që lëshoi një deklaratë. Maxhoranca dhe kryeministri po dalin kundër krerëve të BE. Nuk jemi vetëm ne, madje dhe faktori që vepron në Tiranë dhe ju e dini çfarë mbështetje i ka dhënë faktori. Ka shumë arsye dhe kryesorja mbyllja e derës së Europës. Ky është problem që del jashtë marrëveshjes. Ne shkojmë në Këshillin Politik sepse para të gjithash është Shqipëria, kemi negociatat”, tha Gjata.
Ai tha se qëndrimi i opozitës “është në unison me faktorin ndërkombëtar”, të miratohet pa asnjë ndryshim marrëveshja. “Rama po të hymë politikisht është i humbur. Po bërtet me të madhe që unë jam i humbur në zgjedhje. Ai po mundohet me të tilla marifete. Edi Rama po qeveris pa gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Ne duam që të miratohet marrëveshja e 5 qershorit, të tjerat ia lëmë kohës pasi taktikat e opozitës do të jenë në momentin e fundit”, tha ai.
Sipas Gjatës, Rama për pushtetin e tij dhe nga abuzimet që ka bërë humbja e privilegjeve, abuzimet është gati të mbyllë derën e Evropës, të pezullojë hapjen e negociatave vetëm për pushtetin që s’ka për ta mbajtur. “Ne patëm një krizë shumë të rëndë politike, ndodhi çfarë ndodhi, u ulëm dhe në Këshillin Politik, u miratua marrëveshja pati një qetësim. Tani Rama rihapi krizën politike jo vetëm në vend por edhe me faktorin ndërkombëtar. Ndaj njerëzit e përgjegjshëm bëjnë thirrje ta shfrytëzojmë dhe këtë mundësi.
Ne kemi përfaqësuesit tanë atje. Është zoti Bardhi, shto dhe axhendën e zotit Basha, si rrallë herë që një kryetar opozite të pritet në këtë formë. Ne nuk kemi ndërmend të japim dorën dhe ta ngremë nga budallallëqet që bën. Zoti Rama ka marrë njerëzit e vet me vete. Ai mund të marrë dhe atë të famshmin e 21-shit, Verin. Voto marrëveshjen e 5 qershorit dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha Gjata.
Ai deklaroi më tej se çështja e listave është hipokrizi e Ramës.
“Edi Rama këtë me listat po e bën për të gjetur një shkak. Hipokrizi, po e bën për koalicionet, nuk e ka për listat. U tall me shoqërinë civile, i përdori siç deshi. 1/3 listë e mbyllur, 2/3 populli, psh. 11 do jenë listë e mbyllur i vendos Rama, do marrë 15 mandate, 4 i ngelen popullit. Ngopen me lugë boshe. Është hipokrizi për të shkuar tek mbyllja e koalicioneve.
Nëse ti bën lista të hapura do ndryshojë mënyra e përllogaritjes do ndërhysh në kod. Do ndryshojë radhitja e vendeve në Kuvend, normalisht që do ndërhyhet në Kod. Qeverisja e Edi Ramës është një makinë e shkatërruar që i punon vetëm boria”, tha ai.
Gjata theksoi se ndryshime kushtetuese opozita do t’i bënte në një situatë tjetër, me një parlament tjetër, bashkë me shoqërinë civile dhe jo në këto kushte.
“Këtu nuk është çështja se nuk i ka votat. Çfarë i duhet Edi Ramës se më negocion PD. Ke firmën e zonjës Hajdari aty, çfarë negociatash të tjera kërkon të bëjmë me opozitën. Ka partinë e vet, ka stanin aty. Ky lider global dhe këtu po na tregohet lider mbi çështjet. Të shikojë partinë e vetë, jo me kë negociojmë ne”, deklaroi Gjata.