Si ju ngeli në dorë ndërkombëtarëve Edi Rama dhe një zgjidhje!

0
134
Nga Poli Hoxha 

Të themi të drejtën po ndihet gjithandej një kënaqësi ‘e ligë’ me hallin e madh që e ka zënë faktorin ndërkombëtarë, për zhvillimet e rrezikshme së fundmi këtu në Shqipëri.

Dhe nuk kanë parë asgjë akoma!

Pasi montuan me dëshirë apo aksidentalisht një monstër ‘stabilokrate’ tani po djersitin që të çmontojnë një përbindësh ‘destabilokrat’.

Vetëm belbëzuan kur e mbushi partinë, parlamentin, pushtetin lokal dhe gjithë administratën me kriminelë deri ordinerë. Kur e ktheu vendin në bazë logjistike të krimit të organizuar global, e kur lulëzonte kanabisi nga Vermoshi në Konispol; kur Europa përmbytej e vazhdon, me ‘të bardhë’, ‘të kuqe’ e ‘jeshile’.

Zbuluan lulet e rralla të Kukësit kur fadroma shembte Teatrin Kombëtar e mbronin ‘cipën’ e Reformës në Drejtësi, edhe pse kuptuan qartë se Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë mbaheshin ‘djep bosh’ sipas një skeme mafioze të mirë-menduar.

Heshtën 7 vite rresht edhe pse përpara syve të tyre ky popull që i do pa kushte, nisi eksodin biblik drejt vendeve të tyre me demokraci prej vërteti.

Heshtën për shërbëtorin e një grushti miliarderësh që punojnë në privat e në shtet, sepse ju duhej një ‘stabilokrat’ i cili rotacionin që është zemreku i demokracive të tyre, e quan fundin e botës.

Dhe ja ku janë, ata edhe ne!

Kushdo që ka njohuritë minimale në historinë e politikës moderne, nuk ka hasur kurrë një rast më destabilizues dhe autokrat, se ky që po synon ta bëjë fakt të kryer në 30 korrik ‘stabilokrati’ Edi Rama.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ai po tenton që të ndryshojë Kushtetutën e vendit në mënyrën më antikushtetuese dhe vetëm në funksion të një skeme kriminale elektorale për të blinduar veten, edhe për dekada në pushtet.

Me pak fjalë e gjitha kjo mund të quhet pa asnjë dilemë; Puç Kushtetues dhe rënie e Republikës, në mes të Europës demokratike!

Me marrëveshjen e të martës që firmosi me të ashtuquajturën ‘opozitë parlamentare’, Edi Rama, më shumë se sa vrau ‘5 qershorin’ e ju tregoi ambasadorëve se sa vlejnë ata përball pushtetit të tij, prishi konsensusin mbarë-politik të kërkuar me aq ngulm nga fuqitë më të mëdha në botë; SHBA-BE-Gjermani-Britani e Madhe.

Ai e di mirë se lufta në bllok që po hap me ndërkombëtarët ka një kosto shumë të madhe, por te  Edi Rama duket se mbi këtë rrezik po prevalon frika e humbjes së pushtetit. Kjo jo edhe aq si qëllim në vetvete, se sa si panik nga ndëshkimi material dhe penal, që ai beson jo më kot se e pret nëse zhvishet nga pushteti.

Nëse amerikanët dhe gjermanët nuk i flasin me karta (dosje) të hapura tani, Edi Rama nuk ka për tu ndalur dhe në 30 korrik do ta shohin se si me thika dhe hanxharë, do të nxjerrë biftekët e tij elektoralë nga trupi i Kushtetutës së Republikës.

Por nuk është kjo më e rëndësishmja, sepse nuk është hera e parë që e bën.

Fataliteti i këtij turra-vrapi i cili duhet ndalur urgjent është, se ai po e çon vendin drejt një provokimi ekstrem social e politik.

Nëse eksperimenti i 30 korrikut kalon me “sukses” dhe njihet si “normalitet” nga kushdo qoftë; nëse ai prek Kushtetutën kur nuk ke se ku të ankohesh dhe të interpretohet; nëse lë jashtë këtyre vendimmarrjeve kardinale opozitën zyrtare, atëherë nga ky njeri dhe organizata e tij, duhet të presim edhe më të keqen.

Më thjeshtë; Po zgjat thikat mbi Kushtetutë si një kasap arrogant; pa viston, mendimin dhe konsensusin e të paktën gjysmës së elektoratit shqiptarë, i cili përfaqësohet nga partitë e bllokut opozitar.

Dhe nëse e bën këtë, ai na ka testuar dhe provokuar përfundimisht. Edhe më skeptikët, më të moderuarit dhe ‘mendje-hapurit’ do të binden, se Edi Ramën e ndal vetëm huri!

Ai shpreson se njësoj si më herët, me një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë dhe Brukseli, protestat do të ndalen me një fishkëllimë të Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit!

Nuk do ketë as telefonatë, e as fishkëllimë këtë herë. Por edhe nëse ka, ‘partia’ më e madhe opozitare në Shqipëri nuk është më PD e LSI, por ajo ‘Anti-Ramë’.

Ndaj ky rikthim urgjent në lojë i ambasadores amerikanë, pas alarmit dhe ultimatumit të Gjermanisë, është deciziv.

Sepse rruga ku po e çon Edi Rama vendin me shpejtësi, nuk po përkon më as me gjethen e fikut me të cilën është mbuluar deri më tani; ‘stabilokracinë’.

Me pak vonesë por tani po e shohin qartë se ‘stabilokrati’ i përkëdhelur prej tyre, sapo kuptoi se nuk do të jetë më në pushtet, po shndërrohet pa problem në ‘destabilokrat’!

Tani halli i shumicës së shqiptarëve dhe i opozitës është bërë, edhe stresi i tyre. Kollaj ta montosh një monstër ‘stabilokrate’, por nuk është edhe aq e lehtë të çmontosh me takime zyrash e kërcënime negociatash, një përbindësh ‘destabilokrat’.

Frika dhe paniku i tij për humbjen e pushtetit duhen marrë nën kontroll prej garantëve ndërkombëtarë të demokracisë dhe stabilitetit në Shqipëri që tani me Kushtetutën, sepse kur të vijë dita e votimeve, Rama, ka për të thirrur ‘nën armë’ gjithë krimin; e organizuar me gjithë resurset e pamata që ka, ordiner, ekonomik e financiar që lulëzoi nën mbretërimin e tij.

Gjithsesi e kanë një zgjidhje të thjeshtë, për këtë hall të madh që i ka zënë. Të mos merren më me kryeministrin dhe as me ‘zbutjen’ e Bashës e të Metës.

Mjafton që tu japin një sinjal të qartë shqiptarëve: Edi Rama nuk është më një ‘stabilokrat’ i mbrojtur prej nesh…!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here