Partia Demokratike ka denoncuar sot, një vjedhje prej 2 milionë eurosh që po përgatitet nga zyrtarë të lartë të qeverisë si Blendi Goxhe dhe Mirlinda Karçanaj, thjesht për të regjistruar një bazë të dhënash, E-Transport.
Nga selia e PD-së, Endri Hasa, një ekspert i teknologjisë, drejtues i Departamentit të Shoqërisë dhe Informacionit, e ka krahasuar vlerën që i është dhënë këtij projekti aq të zakonshëm, sikur të ishte sistem i NASA .
“Një vjedhje tjetër e madhe po bëhet gati nga Transportet e Blendi Gonxhes dhe nga AKSHI i Mirlinda Karçanaj, – ka bërë të ditur Hasa. – 2 milionë euro vetëm për të regjistruar në një bazë të dhënash, linjat e transportit mes qyteteve.
Një punë që do shumë herë më pak para, Blendi Gonxhe dhe AKSHI po e shesin sikur po ndërtojnë “sistemet e NASA”-s.
Po harxhojnë 2 milionë euro për të krijuar gjoja një projekt të ri për E-Transport, ndërkohë që në sistemet aktuale të DPSHTR dhe AKSHI ekzistojnë tashmë 80% e moduleve dhe pajisjeve që po shiten për 2 milionë euro.
Vjedhja është e hapur, e dukshme, sepse fituesit është i paracaktuar. Qëllimi i projektit është i thjeshtë, si të transferohen 2 milionë euro taksa të qytetarëve nga arka e shtetit drejtpërdrejt në xhepat e drejtorëve hajdutë të Rilindjes dhe miqve të tyre.
Prokuroria duhet ta hetojë këtë vjedhje flagrante në drejtorinë e Blendi Gonxhes. Dhe kjo nuk është e vetmja…” ka përfunduar ai.