Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, në një dalje për mediat, ka komentuar raportin e drogës për Shqipërinë, në të cilin thuhej se trafikantët janë të lidhur me politikanët.
Në një deklaratë për media, Luan Rama thekson se “nga raportet më të fundit vijnë konstatime, qëndrime dhe përfundime alarmante që në fakt do të duhej të kishin ngritur në këmbë sot të gjitha autoritetet shtetërore të vendit”.
Deklarata për media e Zv/Kryetarit të LSI, Luan Rama
Në kushtet normale do të duhej që Shqipëria sot të ishte në një realitet tjetër, të kishte çelur negociatat me BE, të ishte duke punuar bashkë me partnerët tanë të BE në përmbushje të të gjitha kapitujve që përbëjnë korpusin e detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të integrimit të BE. Nga ana tjetër do të duhej që sistemi të funksiononte si në çdo vend tjetër normal dhe demokratik në Europë përmes zbatimit të ligjit, përmes funksionimit të organeve të sistemit të drejtësisë dhe natyrisht edhe përmes procesit të dialogut politik si një faktor i rëndësishëm që dëshmon për maturinë dhe cilësisë së pjekurisë së demokracisë në një vend.
Mirëpo për fat të keq Shqipëria nuk është kjo. Edhe nga raportet më të fundit vijnë konstatime, qëndrime dhe përfundime alarmante që në fakt do të duhej të kishin ngritur në këmbë sot të gjitha autoritetet shtetërore të vendit. Sot është bërë i njohur raporti më i fundit i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave. Një organizëm që funksionon në kuadër të BE. Në këtë raport që dëshmon më së miri se qeveria shqiptare jo vetëm që nuk e ka prioritet kombëtar integrimin europian, por po punon kundër procesit të integrimit, nënvizohen disa të vërteta të dhimbshme që janë akuzë e drejtpërdrejtë e qeverisë ndaj kryeministrit dhe akuzë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.
Më konkretisht në këtë raport, pra që është raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave, theksohet se: Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me politikën dhe politika ndërhyn duke neutralizuar zbatimin e ligjit përmes emërimit të personave të besuar ose militantëve të partisë.
Kjo nuk është një e vërtetë e artikuluar për herë të parë. Jo vetëm opozita, por edhe media e lirë, media e pavarur, por edhe institucione të tjera, organizma ndërkombëtare që monitorojnë proceset në Shqipëri, e kanë theksuar. Por e ardhur nga Qendra e Specializua Europiane për Monitorimin e Drogërave, në vigjilje të vlerësimit të asaj se çfarë po bën Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian, padyshim është jo vetëm akuzë, por një denoncim i rëndë i situatës në vend.
Më tej raporti vazhdon: Forma më e njohur e bashkëpunimit midis organizatave kriminale dhe organeve shtetërore është korrupsioni, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, thotë raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave.
Kjo do të thotë që e gjitha ajo që është proklamuar si arritje, si sukses apo si një fitore e madhe me Reformën në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse një flluskë sapuni apo një tullumbace propagandistike për t’u mbajtur në ajër për një gjë që në realitet është e pavërtetë sepse korrupsioni më i madh vazhdon të shfaqet veçanërisht në sistemin e drejtësisë, thotë raporti. Ndërkaq më tej i njëjti raport vazhdon: Organizatat e drogës i shërbejnë politikës në Shqipëri, duke zhvatur bizneset përmes gjobave, mbështetetjes së kandidatëve në zgjedhje ose frikësimit të kundërshtarëve politik, shkatërrimin e opozitës, prishjen e tubimeve partiake, manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe financimin e fushatave elektorale në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale, thuhet në raport.
Pra e gjitha kjo që thekson raporti nuk është gjë tjetër, por është një skaner, një skaner real dhe i detajuar i situatës kriminale, të korrupsionit dhe bashkëveprimit të qeverisë me krimin në funksion të asaj që në fakt e ka bërë Shqipërinë që të jetë një Narkoshtet, një shtet kriminal dhe një shtet që punon kundër interesave të qytetarëve të vet. Natyrisht kjo e ka një arsye dhe arsyeja vjen nga filozofia dhe politika qeverisëse e mazhorancës së krimit që aktualisht sot është në pushtet.
Jo vetëm 7 vjet më parë në 2013, por edhe në 2017 kur timoni, tepsia, tenxherja dhe kusia vajtën të tëra në duart e xhahilëve të pushtetit, por ditë pas ditë me gjithë veprimin e vet qeveria ka punuar dhe vazhdon të punojë për të arritur të tilla rekorde kriminale, ka punuar dhe vazhdon të punojë kundër Integrimit Europian të vendit dhe këtë nuk e thotë opozita, nuk e thonë kundërshtarët e qeverisë, por këto konkluzione, këto përfundime i thotë raporti më i fundit i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave dhe tjetra që është po kaq e rëndësishme, avokati, mburoja, apo tutori më i vëmendshëm në gjithë këtë bashkëveprim kriminal midis qeverisë dhe grupeve kriminale, për fat të keq është i ashtuquajturi Kuvend i vendit Parlamenti, sepse Parlamenti i Shqipërisë asnjëherë të vetme edhe megjithëse unë shpesh herë apo Lëvizja Socialiste për Integrim e kemi kërkuar të zbatojë detyrimin ligjor për të analizuar raportin vjetor të qeverisë në luftën kundër drogës në Kuvend dhe asnjëherë Kuvendi nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor dhe Kushtetues, çka dëshmon se këtu simbioza, bashkëjetesa dhe bashkëveprimi i strukturave të mazhorancës me krimin e organizuar janë jetike për njëri tjetrin.
Është kjo arsyeja që Kuvendi sot në vend që të ngrihej në alarm dhe të diskutonte këtë raport për të nxjerrë përgjegjësinë dhe për ti thënë Europës që jo të gjithë janë pjesë e kësaj veprimtarie kriminale dhe për ti vënë gishtin atje ku është në fakt e keqja, tek qeveria dhe kryeministri është në përpjekje, në përpëlitje për të ndryshuar Kushtetutën, për të vazhduar më tej të rrënojë shtetin, për të vazhduar më tej të rrënojë integritetin e instituticioneve kushtetuese dhe për të vazhduar e më tej të rrënojë çdo ditë e më shumë imazhin e shqipërisë në sytë e partnerëvë tanë ndërkombtarë.
Kjo është e vërteta lakuriq në sytë e të gjithëve dhe ç’është më e rënda kjo është e vërteta që e dinë të gjithë partnerët tanë strategjik dhe është e vërteta që e dinë edhe ata vlerësojnë, monitorojnë, që gjykojnë dhe që vendosin nëse Shqipëria meriton që të çelë negociatat me Bashkimin Europian apo jo.
Raporti i qendrës europiane për drogat që funksionon në kuadër të bashkimit europian ja ka bërë të qartë trupës apo institucioneve të bashkimit europian se kush është Shqipëria e vërtetë në raportet e politikës me krimin dhe të qeverisjes në veprimtarinë kriminale dhe nuk është e rastit që ka rritje të sipërfaqeve të kultivimit të drogës, nuk është e rastit që ka rritje të trafikimit të drogës në një kuadër të zgjedhjeve që afrojnë.
Gjithmonë për fat të keq viti para zgjedhjeve është vit i flukseve të rritura të veprimtarisë kriminale, është vit i flukseve të rritura të kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe kështu ka ndodhur në 2015-2016 kështu ka ndodhur në atë kohë kur organizatat kriminale shqiptare që kanë lidhje me politikën siç thekson raporti ndërhyjnë për të neutralizuar zbatimin e ligjit dhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve duke u përpjekur të shkatërrojnë opozitën, për të prishur tubimet partiake dhe për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, e nuk ka kaluar shumë kohë nga 2016 produktin e të cilës e pamë në 2017 dhe sërish në këtë vit, një vit përpara zgjedhjeve apo disa muaj përpara zgjedhjeve rritja e flukseve kriminale, e trafikimit apo dhe e kultivimit të drogës dhe bashkëveprimi me i ngushtë i krimit me qeverinë dhe i qeverisjes në shërbim të krimit është ajo që paraprin zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme elektorale prandaj është e domosdoshme, është urgjente, është detyrë patriotike largimi i kësaj kaste kriminale dhe prerja përfundimtare e bashkëveprimit të qeverisë ne krimin apo të krimit në qeverisje për të garantuar minimumin e mundshëm të rifillimit të procesit të integrimit europian të vendit.
Qeveria është kundër integrimit, qeveria është kundër interesave të vendit, qeveria është kundër interesave të qytetarëve dhe prandaj raporti më i fundit thekson atë që është më e rënda padyshim që organizatat e drogës i shërbejnë politikës në Shqipëri duke zhvatur bizneset përmes gjobave, përmes mbështetjes së kandidatëve në zgjedhje dhe nuk është e rastit që në listat e deputetëve të hapura apo të mbyllura, se dhe listat për kryetarë bashkie të hapura janë dhe rezultojnë njerëz më veprimtari kriminale, pra nuk është çështje sistemi, nuk është çështje listash por është çështje e kapjes së pushtetit nga bandat e krimit dhe e qeverisë në shërbim të krimit.
Faleminderit.