Pas letrës së Opozitës së Bashkuar, Gjiknuri zihet ngushtë: Amendimet nuk ndryshojnë, po hajde t’i diskutojmë

0
165

Opozita deklaroi sot në Këshillin Politik se nuk ka kuptim të diskutohet për ndryshimet kushtetuese, kur sot kryeministri Edi Rama tha se ky amendim i depozituar në Kuvend nuk ndryshon pasi nuk e lejon procedura parlamentare.

“Nëse amendamenti kushtetues i njëanshëm nuk ndryshon, sepse Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon, atëherë për çfarë po na ftoni të diskutojmë apo dialogojmë? Për një amendament që nuk ndryshon? Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER,” deklaruan përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

I zënë ngushtë, Ddamian Gjiknuri i PS merret me retorikë në reagimin ndaj opozitës. Ai e pranon se ndryshimet kushtetuese janë të pandryshueshme.

LETRA E GJIKNURIT

Të nderuar z.Bylykbashi dhe z.Vasili,

E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Më lejoni të ju rikujtoj se në mbledhjen e datës 21 Korrik, Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Z.Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.

Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit.

Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cënon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë. Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i mvishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë.

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë.

Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.

Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.

Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje.

Në fund, do të ju lutesha shumë që t’i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj.

Në funksion të konfirmimit të mbledhjes së rradhës së Këshillit, ju lutem edhe njëherë sa më shpejt të na vini në dispozicion paraprakisht propozimet tuaja.

Faleminderit

Damian Gjiknuri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here