Votimi i 5 Qershorit/ Bylykbashi: Farsë që synon zhbërjen e saj. Rama do zgjedhje me pazar pas dyerve…

0
130

Këtë të enjte në Kuvend, pritet që të votohet marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, hodhi poshtë deklaratën e kryeministrit Edi Rama se Këshilli e ka mbaruar mandatin dhe funksionin e tij.

”Janë një seri ndryshimesh të tjera të cilat duheshin dakordësuar nga Këshilli Politik, këtë mund ta kishim bërë pas 30 qershorit, pasi ishte një punë që kishte mbetur në fazën përmbyllëse, por veprimet e njëanshme e bllokuan Këshillin dhe kjo nuk është çështje e-mail-esh por e Edi Ramës, i cili kërkoi ta mbyllë pa e përmbyllur reformën zgjedhore. Marrëveshja politike e 5 qershorit është ende e paplotësuar, sepse ka ende çështje të diskutuara por jo të përmbyllura”,- tha në Euronews Albania.

Nga ana tjetër, Bylykbashi u shpreh se në 6 muajt e punës së Këshillit Politik PS-ja nuk shfaqi asnjëherë propozime apo qëndrime në favor të ndryshimit të sistemit zgjedhor, ndërsa opozita ishte e gatshme për ta diskutuar. ”Mirëpo dakordësia në fund ishte që sistemi zgjedhor do të diskutohej në një fazë të dytë pasi të përmbyllej procesi i reformës, sepse të ndryshosh sistemin do të thotë të ndryshosh Kushtetutën, pra do të vazhdonte në mënyrë konsensuale nëse do të bihej dakord për të parë se kush ishin alternativat, madje mund t’iu them edhe këtë, që kërkesat e opozitës parlamentare u diskutuan në këtë këshill dhe ekspertët i rrëzuan si jo në përputhje me Kushtetutën”.

I pyetur se çfarë do të ndodhë sot dhe çfarë pritshmërie ka PD-ja, Bylykbashi u shpreh se ”Rama nuk ka më alibi për ta miratuar marrëveshjen e 5 qershorit dhe detyrimi është i tyre për ta kaluar atë pasi opozita e ka kryer detyrën. Sigurisht ka elemente të tjera të cilat ishin për t’u dakordësuar në Këshillin Politik dhe Edi Rama duke thënë nuk ka më Këshill Politik, i bllokon ato, siç janë rekomandimet e OSBE/ODHIR-it për shitblerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit apo administratën zgjedhore, mbi të cilën është diskutuar por nuk është draftuar gjë”.

Gazetarja citoi kryeministrin të thoshte se propozimi i tyre nuk cenon koalicionet parazgjedhore, mirëpo Bylykbashi tha se qëllimi është ndalimi i koalicioneve. ”Pra t’u mohosh qytetarëve mundësinë që të kenë një ofertë politike të qartë dhe transparente përpara zgjedhjeve dhe jo pas zgjedhjeve me pazare pas dyerve”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here