Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte sot në Shtëpinë historike të Kongresit të Lushnjes, ku dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një nga figurat më patriotike dhe të spikatura të kësaj treve dhe të mbarë kombit shqiptar, Abaz Bej Lushnja.
Teksa publikon dhe fotografi nga ceremonia e sotme, kreu i shtetit thekson se si prijës i shquar i “Besëlidhjes së Nëntë Krahinave”, të themeluar në Berat më 1834, Abaz Bej Lushnja, së bashku me Tafil Buzin, Zyber Hoxhën, shumë patriotë e mendje të ndritura të kombit shqiptar, hynë përjetësisht në historinë e popullit tonë për frymëzimin dhe organizimin e kryengritjeve kundër shtypjes osmane që do t’i paraprinin shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Mesazhi i Presidentit Ilir Meta
Në vlerësim për kontributin e shquar atdhetar, si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve anti-osmane në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit të XIX, pata sot nderin të dekoroja në Shtëpinë historike të Kongresit të Lushnjes, një nga figurat më patriotike dhe të spikatura të kësaj treve dhe të mbarë kombit shqiptar, Abaz Bej Lushnja, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Si prijës i shquar i “Besëlidhjes së Nëntë Krahinave”, të themeluar në Berat më 1834, Abaz Bej Lushnja, së bashku me Tafil Buzin, Zyber Hoxhën, shumë patriotë e mendje të ndritura të kombit shqiptar, hynë përjetësisht në historinë e popullit tonë për frymëzimin dhe organizimin e kryengritjeve kundër shtypjes osmane që do t’i paraprinin shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Nderim dhe mirënjohje të thellë për të gjithë patriotët tanë ndër shekuj, falë sakrificave sublime e të jashtëzakonshme të të cilëve, Shqipëria është sot një vend i lirë, i pavarur, sovran dhe i vendosur europian siç na takon! ??