Debati për listat është debat i kotë!

0
132
Nga Vehap Kola

 

Këtë kanë thënë të gjithë ata që ishin kundër hapjes dhe ndezjes së këtij debati në kulmin e përpjekjeve të opozitës për të siguruar sa të ishte e mundur mos vjedhjen e zgjedhjeve.

Sipas meje, këtë konfirmoi edhe dje Lulzim Basha duke sfiduar Ramën që nëse e do vërtet hapjen e listave, t’i hapim 100% dhe jo vetëm paksa.

Hapja e listave prapëseprapë nuk i mbron zgjedhjet nga deformimi, manipulimi dhe vjedhja.

Me hapjen e listave do të ndodhë pikërisht ajo që ne kundërshtarët e hapjes së debatit për listat kishim paralajmëruar.

Nëse Edi Rama do të përkulet dhe të pranojë hapjen e plotë të listave, siç ka propozuar Lulzim Basha, atëherë kryetarët e partive do të nisin të hartojnë një listë me 140 kandidatë në vend që të hartonin një listë me 75 kandidatë dhe 65 figurantë.

Asgjë s’ka ndryshuar edhe për faktin që Edi Rama vazhdon të jetë kundër listave të hapura dhe propozon hapjen vetëm pak të listës në mes dhe mbylljen në krye e në fund: përmes ligjit në krye dhe përmes figurantëve në fund.

Në reagimet e tyre euforike të ndriturit e populizmit në një revansh bosh kanë shpallur fitoren ndaj kryetarokracisë, fitoren e 75%-ëshit ndaj pakicës dhe fitoren e së resë mbi të vjetrën.

Çuditërisht, këtë fitore, sipas vet atyre, ua kanë dhënë vetë kryetarët e partive. Në fillim Rama, pastaj Meta dhe më në fund Basha – thonë ata.

Me këtë vlerësim logjikisht të paqëndrueshëm, ata shpallin fitoren mbi kryetarët, dhuruar nga vet kryetarët. Deri këtu jemi në të njëjtën filozofi me debatin për hapjen e listave: të hapen listat dhe kryetarët të zgjedhin 140 kandidatë, jo vetëm 75 kandidatë dhe 65 figurantë.

Por në reagimin e kujdesshëm të Nismës Thurje nuk është përmendur fakti që Edi Rama propozon të hapë vetëm 1/3 e listave dhe jo 100% të listave siç ka propozuar Lulzim Basha. Dhe këtu, të ndriturit e populizmit vënë shenjën e barazimit ndërmjet Ramës dhe Bashës. Përse? Besoj se përgjigjen e dini tashmë!

Edhe opozitarudimentare nuk mbetet pas tyre në shtirjen publike. Përfaqësuesja më rudimentare e saj dje shpalli fitoren mbi Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën dhe nuk bëri asnjë koment për propozimin e Ramës për hapjen vetëm të 1/3 së listës. Përse? Besoj se edhe këtë përgjigje e keni të qartë prej kohësh.

Si opozita nismëtare, si opozita rudimentare nuk kanë thënë asnjë gjysmë fjale për ndryshimet e njëanshme kushtetuese që ka dërguar Rama në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Nisma Thurje prej dy javësh nuk hap gojën për këtë debat. Ajo nuk di gjë për atë që po ndodh në Këshillin Politik, në parlamentin e Ramës apo në opozitën rudimentare. Ajo dëgjon, shikon dhe gjykon e sulmon vetëm Opozitën e bashkuar dhe Lulzim Bashën.

Atëherë, unë kam të drejtë të pyes: çfarë qëndrimi ka Nisma Thurje dhe Opozita rudimentare për ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës për të penguar koalicionet parazgjedhore?

A mos mendojnë ata se listat e hapura janë një e drejtë më themelore se e drejta për të krijuar koalicion parazgjedhor?

Reagimet e tyre të deritanishme nuk kanë asnjë koment mbi thelbin e luftës politike të ditës në Tiranë: shpëtimin e Kushtetutës dhe zgjedhjeve nga plani i Ramës për grusht juridik shteti.

Sa i përket opozitës rudimentare në parlamentin e Ramës, duket sheshit se ata janë në marrëveshje me Ramën dhe sa do që Opozita e bashkuar të pranojë apo mbrojë listat e hapura, ata do ta votojnë ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës duke realizuar kështu grushtin e shtetit.

Pra, a mund të themi se opozita rudimentare nuk është sinqerisht e interesuar për hapjen e listave, por është thjesht duke luajtur rolin si kukull e Ramës në Parlamentin e tij?

Ndërsa të ndriturit e populizmit në Nismën Thurje, të vetëshpallur si Opozita qytetare, nuk po thonë asnjë gjysmë fjale opozitare ndaj projektit të Ramës për grusht shteti.

Mos ndoshta edhe këta, me heshtjen e tyre që qëllimshme, po tregojnë se janë në marrëveshje me Ramën dhe nuk e kanë sinqerisht hapjen e listave?

Jeni të ftuar të më iluminoni me përgjigjet tuaja!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here